Zaev: Arritëm marrëveshjen me shqiptarët, qeveria në Mars
Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev ka bërë të ditur se i ka siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marrë mandatin nga Presidenti për krijimin e Qeverisë së re.
Zaev, që po qëndron në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, tha se ka harmonizuar qëndrimet me partitë politike shqiptare, përfshirë edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Tanimë kemi siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marrë mandatin. Besoj se ka mbetur një pjesë e vogël për t’u biseduar rreth formimit të Qeverisë së Maqedonisë, sepse çështjet kruciale, siç është platforma e Qeverisë së re, platforma e Lidhjes Social Demokrate, platforma e partive politike shqiptare, Ligji që rregullon përdorimin e gjuhëve tanimë janë harmonizuar”, ka theksuar Zaev.
Zaev tha se ka mbetur që të ulet me kryetarët e partive të tjera për të diskutuar rreth ndarjes së dikastereve ministrore dhe kuadrin që do të jetë pjesë e qeverisë së re.
“Besoj se brenda 10 apo 15 ditëve Maqedonia do ta ketë qeverinë e re të kryesuar nga social demokratët”, tha Zaev.
Ai nuk beson se do të ketë protesta të organizuara nga VMRO DPMNE e kryesuar nga Nikolla Gruevski si shenjë pakënaqësie apo shfaqje revolte.
“Ajo se do të ketë protesta apo bojkot nga VMRO DPMNE nuk do të ndodh, sepse siç e dini kur e majta vjen në pushtet atëherë ka dialog. Ne jemi të hapur për të biseduar për gjithçka dhe të arrihet një zgjidhje. Nuk ka nevojë për protesta. Nëse unë tani shtroj pyetjen pse duhen protesta askush nuk e di, madje këtë nuk e di as Gruevski, megjithëse paralajmëron protesta. Pse? Sepse shkojnë në opozitë pas 11 vitesh. Nëse dëshirojnë pa arsye të mbajnë protesta atëherë le të shëtisin pak rrugëve“, tha Zaev.