Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, në një intervistë dhënë për radion Dojçe Vele, theksoi se rastet e Monstrës, Nikolla Mlladenovit, televizionit A1 dhe çështjes së emrit, që do të publikohen nga opozita, do të jenë pikë kthese që do të detyrojnë dorëheqjen e Qeverisë. Sipas Zaevit, pavarësisht se Gruevski dëshiron të demonstrojë qëndrueshmëri dhe normalitet, pas publikimit të një pjese më të madhe të mbi 90 bombave të përgatitura, presioni ndaj Gruevskit do të jetë tepër i madh që ky i fundit të mbijetojë.
“Nëse për shembull ka 90 tema, pako për publikim, pjesa më e madhe e tyre janë mjaftueshëm të ndjeshme që të jenë moment kthese. Qytetarët do të marrin vesh deri ku ka arritur Gruevski në tregtinë për emrin e shtetit, çfarë ka ndodhur me Martin Neshkovski, për krimet financiare, çfarë ka ndodhur me televizionin A1 dhe raste të tjera si “Monstra”, Nikolla Mlladenov. Për shkak se Zaevi dhe LSDM-ja i posedojnë këto dëshmi, nuk e kemi ndërmend të prognozojmë se deri kur mund të durojë kështu Gruevski, por e dimë se koha e tij ka mbaruar. Gruevski i përket së kaluarës. Qeveri kalimtare patjetër të ketë, dhe zgjedhjet patjetër të ndodhin. Kjo është e pashmangshme”, tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.
Ai theksoi gjithashtu se nëse Gruevski nuk ikën vetë, atë do ta detyrojë populli, me protesta masive.
“Të gjitha anketat dhe analizat që i bëjmë tregojnë se revolta është shndërruar në zemërim. Zemërimi rritet. Çdo moment lumenj njerëzish mund të rrjedhin rrugëve. Ne do të mundohemi maksimalisht që ti kontrollojmë gjërat. As unë, as cilido në LSDM dëshiron skenar të tillë, por gjithçka mund të ndodh. Për këtë shkak shpresoj se më herët do të vjen dorëheqja e Gruevski, se sa dita kur nuk do të mund ta kontrollojmë zemërimin e masës”, u shpreh Zoran Zaev, lider i LSDM-së.
Zaev pret që edhe faktori ndërkombëtar, pasi ti dëgjojë bombat më serioze, të kyçet seriozisht në proces dhe të adresojë vërejtje të hapura për qeverisjen e Gruevskit.