Zaganjori: Dosja e 21 janarit do jetë në shqyrtim brenda 6 muaj
“Dosja e 21 Janarit do të jetë në shqyrtim brenda 6 mujsh”. Kështu u shpreh sot Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori gjatë një takimi me gazetarët mbi punën 1 vjetore të institucionit që drejton.
Sipas parashikimit të tij, pritet që ngjarjet e bujshme të 4 viteve më parë ku mbetën të vrarë 4 protestues të gjykohen në fillim të shtatorit të këtij viti.
Zaganjori ndër të tjera u shpreh dhe për sulmet me tritol. Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh se, sulmet me tritol përbëjnë një kërcënim për të gjithë, madje dhe për gjyqtarët, për shkak të punës që këta të fundit kryejnë.
Zaganjori shton se shpërthimet e fundit kanë tronditur shoqërinë dhe se “duhet bashkëpunim i mekanizmave të shtetit dhe mes vetë politikës për të luftuar krimin i cili nuk ka ngjyrim”
“Duke pasur parasysh ngarkesën e Gjykatës, punën e Gjykatës, me ndryshimet që janë bërë në ligjet për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, është parashikuar rritja e numrit të gjyqtarëve nga 17 në 19. Mjafton të pjestohet 6000 me 17 gjyqtarët dhe dalin rreth 400 çështje për një gjyqtar në vit. Do të na ndihmonte shumë sikur ky detyrim ligjor të plotësohej. Ky nuk ështe faji im por është problem i politikës. Mesa duket formula për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk funksionon ashtu siç duhet. Ngjarjet e kohëve të fundit e kanë tronditur shoqërinë dhe shpresoj që të gjendet bashkëpunimi, të gjendet forca e duhur për ta përballur. Lufta ndaj krimit është një luftë permanente e shtetit dhe kërkon një bashkëpunim sa më të mirë nëpërmjet vetë politikës”.