Kosova

“Zambaku i Prizrenit” nën hetime!

ldquo-zambaku-i-prizrenit-rdquo-n-euml-n-hetime_hdQeveria e Ramadan Mujës në Prizren nuk po mund të funksionojë pa përfshirjen në keqpërdorime dhe për pasojë hetimeve nga organet e drejtësisë. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare duket se është bërë pjesë e punës e kësaj qeverie, e cila tashmë po përballet me një sërë procesesh gjyqësore.

Listës së gjatë të keqpërdoruesve të detyrës zyrtare të “Qeverisë Muja”, i janë shtuar edhe disa zyrtarë të Drejtorisë së Kulturës. Ata dyshohen se vitin e kaluar kanë keqpërdorë detyrën zyrtare gjatë organizimit të Festivalit “Zambaku i Prizrenit”.

Burimet e sigurta të “PrizrenPress” bëjnë të ditur se zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës, dyshohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare në financimin e “Zambakut…”.

“Përveç zyrtarëve të Drejtorisë së Kulturës, janë duke u hetuar edhe disa nga organizatorët e Festivalit”, tregon burimi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadria, ka konfirmuar për “PrizrenPress” se Policia ka zhvilluar hetime ndaj disa zyrtarëve të Komunës së Prizrenit për Festivalin “Zambaku i Prizrenit”.

“Policia e Kosovës ka hetuar këtë rast dhe e ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prizren”, konfirmon Sadria.

Ai ka bërë të ditur se rasti i “Zambakut të Prizrenit” është dërguar në Prokurori në korrik të këtij viti.

”Rastin e kemi dërguar në prokurori saktësisht më 4.7.2014”, tregon ai.

Zëdhënësi Sadria thotë se zyrtarët e Komunës, të cilët janë hetuar nga Policia e Kosovës, dyshohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare.

“Ata dyshohen se e kanë keqpërdorë detyrën zyrtare”, tregon Sadria, duke mos pranuar t’i tregoi edhe emrat e zyrtarëve të dyshuar.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Mitush Biraj nuk ka pranuar të flasë për rastin.

Ai ka udhëzuar gazetarin e “PrizrenPress”-it, që këtë rast të marrë në polici.

”Shkoni në polici, sepse ata i kanë të gjitha rastet çka ju intereson”, ka thënë shkurt Biraj.

Kurse, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha tha se nuk është në dijeni për këtë hetim të Policisë së Kosovës.

“Për herë të parë po dëgjoj për këtë hetim”, tha Berisha.

Ditë më parë “PrizrenPress” ka raportuar për një tjetër proces gjyqësorë të zyrtarëve të Komunës së Prizrenit.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte planifikuar që të mbahej seanca gjyqësore ndaj drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe dy zyrtarëve tjerë të arsimit, të cilët po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me ta po akuzohet edhe një biznesmen nga Prishtina, për vepër penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Gjykimi i planifikuar nuk u mbajt për shkak se i akuzuari Çoçaj, kishte deponuar një parashtresë në gjykatë, me të cilën kishte kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore.

Në aktakuzë të pandehurit Nexhat Çoçaj, Nezir Osmani dhe Gëzim Gërgi, akuzohen se nga data 28 shtator 2009, e deri më datë 03 nëntor 2009 në Prizren, në cilësinë e personave zyrtar, i shfrytëzojnë detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkelin me dijeni ligjin e prokurimit dhe kushtet e parapara me kontratën e lidhur mes komunës së Prizrenit dhe NTSH “Rikon” për furnizimin e shkollave të Komunës së Prizrenit me aparate fotokopjuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button