Politika

Zgjedhja e Idrizit, Rama: Greqia nuk na tregon dot se cilin zgjedh Parlamenti

Gjatë konferencës për shtyp me Aleksandër Vuçiç, kryeministri shqiptar Edi Rama është pyetur edhe për marrëdhëniet me fqinjët e tjerë, Greqinë dhe Maqedoninë.

Rama ka thënë se pavarësisht nga marrëdhëniet e mira, Greqia nuk mund t’i tregojë Shqipërisë se si duhet të veprojë Parlamenti sa i takon emërimit të Shpëtim idrizit nënkryetar të Kuvendit dhe largimit të Vangjel Dules nga ky post.

“Për Greqinë kemi një marrëdhënie të gjatë të fqinjësisë së mirë, një partneritet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi me qeverinë e Athinës. Unë e kam uruar kryeministrin Tsipras, e kam ftuar për një vizitë në Tiranë, do isha i lumtur të vizitoja Athinën dhe nga ana tjetër nuk shoh asnjë arsye në botë që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh, ose politikanësh në Tiranë, të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore, informacione për kërkimet në det, – u shpreh kryeministri Rama. – Ndërkohë që s’është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës, përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që për ne është e interesit kombëtar, që është çështja e kufirit detar. Ne duam të vijojmë edhe bashkëpunimin me të shkuarën, kemi zgjidhur problemin e vjetër dhe shumë të vështirë të shqiptarëve të toponimeve. Ne jemi zotuar që me fqinjët të kemi 0 probleme, por nuk mund të mbyllim sytë për një problem që s’e kemi krijuar ne dhe s’e kemi ushqyer ne”.

“Sa i takon emërimit të zotit Idrizi si nënkryetar të Kuvendit, – nënvizoi Rama, – nuk është e drejtë që ne t’i tregojmë Athinës se kë duhet të zgjedhë në Kuvend, ashtu edhe Athina nuk duhet të na tregojë ne se si duhet të veprojë Parlamenti i zgjedhur nga populli sovran. Kështu që kjo është një çështje e qartë për të gjithë”.

Ndërsa për deklaratat në lidhje mbi një veto të mundshme ndaj Maqedonisë në NATO nëse nuk zbaton marrëveshjen e Ohrit dhe nuk zbardh të vërtetën mbi ngjarjen tragjike në Kumanovë, Rama mohoi ta ketë thënë një gjë të tillë: “Unë do të nënvizoj atë që është thënë në deklaratën e samitit të Uellsit, nuk kam kërcënuar dhe as kam shpallur ndonjë qëndrim me fjalën ‘veto’, të cilën e keni thënë ju, me ndihmën e politikanëve dhe mendimtarëve të Tiranës, – iu përgjigj Rama pyetjes së gazetarëve. – Ne jemi anëtarë të NATOS-s dhe ne flasim me gjuhën e NATO-s”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button