Zgjedhjet vendore 2019/ Përfundon seanca e Gjykatës Kushtetuese, çfarë u diskutua
“Lidhur me opinionin e marrë nga gjykata, opinioni nuk është detyrues. Ne mendojmë që në tërësi raporti ka pasur pjesë që janë kontradiktore. Thuhet që Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për sa i përket shqyrtimit të procesit zgjedhor. Në botë kuptimin tonë është më se e qartë se ky ndryshim, gjykata nuk mund t’i përmbahet vetëm kërkimeve dhe pretendimeve të palëve, por sipas bindjes së saj. Në pikën 47, e pranon që ka kompetencë.
Ne nuk jemi marrë vetëm me procesin, por në disa aspekte si respektimi i lirive dhe drejtave themelore të njeriut. Nëse ne i referohemi parimin e proporcionalitetit, komisioni ka dështuar në përgjigje. Komisioni Venecias ka më tepër opinion politik se përgjigje juridike për pyetjet e dërguara. Ajo e bën për të ruajtur ekuilibrat politike. Por gjykata duhet ta injorojë ketë opinion të komisionit të Venecias pasi gjykata nuk duhet të ketë si interes ekuilibrat politike”, tha Daci.
Përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi citoi gjatë diskutimit të saj disa paragrafë të opinionit duke u ndalur tek bojkoti i tyre.
“Komisioni i Venecias shprehet qartë se bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike nuk është pengese për zhvillimin e tyre”, u shpreh përfaqësuesja e Kuvendit.
Ndërsa Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona u shpreh se qëndrimet e tyre të parashtruara në seancën e shkuar të gjykatës u konstatuan si të drejta nga opinioni i Venecias.
“Gjykata nuk ka juridiksion për të shqyrtuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor”, tha ajo.
Përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi theksoi më vonë se Gjykata kushtetuese nuk e ka juridiksionin për shqyrtimin e zgjedhjeve, ndërsa organet që janë kompetente për këtë janë KQZ apo Kolegji Zgjedhor.
“Gjykata kushtetuese nuk e ka juridiksionin për shqyrtimin e zgjedhjeve. Kushtetuta dhe ligji për zgjedhjet ia lë këtë organeve si KQZ apo Kolegjit Zgjedhor në Gjykatën e Tiranës”, tha ajo.
Ndërsa përfaqësuesja e Presidencës, Ketrin Treska u shpreh se Presidenti Ilir Meta mbështet kërkesën e Shoqatës së Bashkive.
“Presidenti përsërit se mbështet kërkesën e Shoqatës së Bashkive. Kërkesat janë të drejta dhe çmojmë se duhet të shqyrtohet nga Gjykata dhe të pranohet. Objekt nuk është dekreti i presidentit dhe as veprimtaria kushtetuese, por në thelb është anti-kushtetutshmëria e zgjedhjeve vendore. Kuvendi dhe qeveria e kanë humbur mundësinë për të ankimuar dekretin në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti në përmbushje të rolit që ka, e ka shprehur qëndrimin e tij më dekret. Procesi i votimeve të 30 qershorit 2019 u zhvillua në një datë që nuk ishte caktuar nga presidenti, i vetmi organ që e cakton”, tha Treska.
Sipas Elira Kokonas, përfaqësueses nga Kryeministria,“Venecia” nuk është bazuar në qëndrime politike, duke i dhënë të drejtë opinionit.
“Është një qëndrim që me kënaqësi e vumë re në rreshtat e opinionit të Venecias sepse nuk është një opinion i bazuar në qëndrime politike siç u përmend këtu. Gjykata Kushtetuese nuk vlerësojnë administrimin e proceseve zgjedhore, aq më shumë kur janë vendore. Kjo kërkesë duhet të rrezohet dhe nuk duhet të pranohet”, tha ajo.
Tashmë topi është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa duhet të presim orë, ditë ose 1 muaj për të mësuar vendimin.
Kujtojmë se sipas opinionit final të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.
Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit. Ndërkohë kujtojmë se 6 bashki janë pa kryetar.
Mazhoranca është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët.
Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte “30 Qershorin”, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga “Kushtetuesja”.
Në 6 bashki, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.
Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.