Kosova

Zyrtari i NATO-s: Demarkacioni të zgjidhet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi

Pas deklaratave të James Foggo, komandant i forcave të përbashkëta të NATO-s për Evropë, i cili zgjodhi që në vizitën e tij në Kosovë të flasë për çështjen e kufirit me Malin e Zi, Express ka kontaktuar sërish me zyrën e tij në Itali për të kërkuar sqarime shtesë rreth asaj që tha ai për demarkacionin. Në një përgjigje për gazetën, një ushtarak i NATO-s, ka shtuar se aleanca e tyre nuk luan asnjë rol të drejtpërdrejtë në kufijtë e shteteve. Për ta, kufiri është një çështje mes palëve të interesuara, Kosovës dhe Malit të Zi.

Deklarata e një ushtaraku të lartë amerikan e bërë të mërkurën, teksa po merrte pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës në KFOR, mori vëmendje të madhe në opinion. Madje, komentet e tij për Malin e Zi dhe Kosovë u pëlqyen nga anëtarë të Komisionit për Demarkacionin.

Admirali i Ushtrisë Amerikane, në atë ceremoni u pyet edhe rreth demarkacionit, derisa ai nuk hezitoi të thotë se rreth kësaj teme, pret që Kosova dhe Mali i Zi të zhvillojnë bisedime. Ushtarakët shpesh u ikin temave politike.

“Të kesh një anëtare të NATO-s në kufi siç është Mali i Zi, është një gjë e mirë për Kosovën. Në këtë aspekt unë pres që të ketë dialog produktiv mes Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë ai.

Express ka kërkuar sqarim shtesë në zyrën e gjeneralit, për të kuptuar nëse deklaratat e tij përfaqësojnë një qëndrim personal apo të njëjtat janë pikëpamje edhe të aleancës euroatlantike NATO.

Nga zyra e admiralit amerikan, në përgjigjen për Express e që i atribuohet një “oficeri ushtarak të NATO-s, bëjnë të ditur se aleanca e tyre nuk luan rol në çështjet e kufirit dhe se kjo e fundit është çështje midis palëve që janë të interesuara.

“NATO-ja nuk luan rol të drejtpërdrejtë në çështjet e demarkacionit të kufirit – as midis shteteve tona anëtare dhe as mes vendeve të tjera. Që nga themelimi i NATO-s në 1949, 17 vende janë bërë anëtare të Aleancës. Aty ku vija e demarkacionit është një çështje midis palëve të interesuara. Ne presim që dy vendet të zgjidhin këto çështje në mënyrë paqësore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjën e NATO-s.

Deklarata e Foggos, ku admirali amerikan flet për dialogun Kosovë – Mali i Zi rreth demarkacionit është pëlqyer nga Shpejtimi Bulliqi, kryetar i Komisionit për Demarkacion, i cili e ka shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

Rikujtojmë se aktualisht Mali i Zi ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Kosovën për demarkacionin, duke thënë se kjo është çështje e mbyllur për ta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button