Home / Kryeartikull / Një shtet i përjetshëm aksionistësh

Një shtet i përjetshëm aksionistësh

Nga Skënder Minxhozi

Zhurma rreth gjyqit të fituar nga vjehrri i Lulzim Bashës (pronari formal) për pallatin e prishur në bregdetin e Vlorës, zbulon dy standarde të ndryshme, me të cilat qeveria trajton një gjyq të shtrenjtë, që është interesi personal i kundërshtarit të tij dhe gjyqet e thjeshta të demokratëve në opozitë.

Nëse i hedh një vështrim të shpejtë, mënyrës dhe shpejtësisë me të cilën është bërë gjyqi nga Tirana në Strazburg, duket qartë se qeveria ka një “shkelje syri” për t’i kopsitur letrat.

Në vitin 2013, kur pallati u prish ishin të hapura dy çështje. E para ishte çështja e paligjshmërisë  së pallatit, e cila vazhdon të hetohet dhe mund të ketë ndëshkime, dhe e dyta ishte çështja e prishjes për interes publik, pasi do të bëhej Lungomare.

Qeveria përzgjodhi çështjen e dytë, pra prishje për interes publik dhe e prishi pallatin se duhet të ndërtohej Lungomare, por kjo nuk e përjashton hetimin për çështjen thelbësore, zaptimin e detit, daljen nga njolla e pronës dhe hipotekimi i paligjshëm.

Sidoqoftë një gjë, që ishte e qartë në vitin 2013, nga vetë qeveria, duket se nuk ka qenë e qartë për përfaqësuesit e qeverisë në Gjykatën e Strazburgut kur është bërë seanca gjyqësore, pasi pallati është prishur me të tjera arsye dhe është mbrojtur me të tjera arsye.

Për hir të së vërtetës ka shumë gjurmë të tolerancës së qëllimshme të qeverisë për të shkuar drejt fitores së gjyqit, për të mos dyshuar në ndonjë histori tjetër korruptive.

Por nëse e marrim të mirëqënë që qeveria i ka hapur rrugën një gjyqi të përciptë për të mbyllur letrat në favor të Lulzim Bashës, për një shumë marramendëse që shkon në xhepat e Lulzim Bashës, për diçka që duhet të ndëshkohej, qeveria nuk ka standard të njëjtë për dhjetra apo qindra demokratë të thjeshtë opozitarë, që kanë probleme gjyqësore me qeverinë. Të gjithë e dimë se ka plot demokratë të hequr nga puna, apo që kanë konflikte me shtetin, por qeveria është treguar shumë vigjilente me gjykatat që ata të mos i fitojnë kaq lehtë gjyqet sa i fiton Lulzim Basha, kryetari i tyre. Shumë prej tyre kanë thjeshtë gjyqe pune, apo rrogash të pamarra, e që të gjitha së bashku nuk bëjnë as sa gjysma e vlerës që mori Lulzim Basha, por dhe për ato, qeveria duket se ka orientuar gjykatat të jenë të ashpra dhe dorështrënguara.

Pra një qeveri që tregohet zemërgjerë me liderin e opozitës, për një shumë spekulative të pamerituar që do të trondiste çdo njeri dhe dorështrënguar me fukarenjë të opozitës, që u duhet rroga për të shtyrë ca muaj në opozitë, tregon se ka një marrëveshje jo publike për këtë histori.

Nëse do të ishte e kundërta, Basha as nuk do kishte guxuar ta çonte deri në Strazburg këtë çështje dhe do refuzonte të angazhonte dhe Avokaten e Popullit në këtë histori, të zgjedhur nga një marrëveshje politike, si favor për  opozitën. Nëse kthejmë kokën pas dhe shikojmë masakrat që bënte Berisha ndaj kundërshtarëve të vet biles dhe në emër të  “Sigurisë Kombëtare” , siç ka qenë rasti i shtypshkronjës së gazetës “Tema”, gjykata as guxonin ta merrnin çështjen në dorë. Bile as avokat nuk gjeje dot se trembeshin.

Në rastin e pallatit të Bashës, jo vetëm që gjyqet janë bërë në një kohë rekord, në tre shkallë në Shqipëri, por dhe gjyqi në Strazburg, është i mbushur me pikëpyetje dhe trafik influence mes atyre që “mbronin” palën e dëmtuar dhe atyre që duhet të mbronin shtetin shqiptar.

Është një histori që i bën opozitarët të ndjehen dy herë të fyer. E para se qeveria duket hapur se është në krah të udhëheqësit të tyre, që bën sikur trash zërin për protesta dhe e dyta se e njëjta qeveri, është e dhunshme ndaj tyre, kur kanë halle të ngjashme, por jo të njëjta, për nga shuma.

Leave a Reply

%d bloggers like this: