Home / Kuriozitete / Si festohen ditëlindjet nëpër vendet e botës?

Si festohen ditëlindjet nëpër vendet e botës?

timthumbVende & tradita

Historia tregon se të parët që kanë festuar ditëlindjet ishin mbretërit, faraonët dhe perandorët. Por sot ditëlindjet janë një e drejtë universale e çdo shtrese. Ja si festohen në kontinente të ndryshme.

Mijëra vjet më parë, ditëlindjet konsideroheshin si periudha kur shpirtrat e këqij, si të kundërt me shpirtrat e mirë, ishin në gjendje të dëmtonin dikë, pasi ajo ditë e veçantë ndryshonte jetën e njeriut.

Besohej se e vetmja mënyrë për t’ia hedhur paq, ishte që personi të qëndronte pranë familjes dhe miqve, të cilët largonin shpirtrat e këqij. Po ashtu, dhuratat që i jepeshin atij që kishte ditëlindjen shërbenin si sende që nuk lejonin afrimin e së keqes.

Zakoni i ndezjes së qirinjve e ka origjinën nga besimi se zotat jetonin në qiell dhe se drita e qirinjve u çonte atyre një sinjal ose një lutje për ta të përgjigjeshin. Kur dikush i fryn qirinjtë dhe shpreh një dëshirë, është një tjetër mënyrë për të përçuar një mesazh.

Ditëlindjet e para mendohet të jenë festuar fillimisht në Egjipt, si traditë e faraonëve. Edhe data e vdekjes së faraonit festohej si dita kur ai kthehej në Zot.

Ditëlindja më e famshme në botë, që është pasqyruar edhe në librin e Biblës, është ajo e Krishtit në Betlehem. Rreth 2000 vjet pas asaj dite, të krishterët ende e nderojnë. Po ashtu, historia tregon për Mbretin Herod që e festoi ditëlindjen duke organizuar një darkë për lordët, kapitenët e lartë dhe miqtë e veçantë në Galile.

Kultura të ndryshme e festojnë ndryshe.

Europë

Romakët ishin ndër të parët që filluan festimin e ditëlindjeve të njerëzve të thjeshtë, jo vetëm kremtimin e ditës së festave të zotave apo perandorëve.

Në disa vende të Europës, kur lind një fëmijë, mbillet një pemë. Kjo bëhej prej besimit se nëse pema rritej e fortë dhe e shëndetshme, e njëjta gjë do t’i ndodhte edhe fëmijës.

Tradita e festave të ditëlindjes filloi në Europë shekuj më parë. Përveç faktit që besohej se ditëlindja lidhej me shpirtrat e këqij që kërkonin të ‘hynin’ brenda atij që kishte ditëlindjen, festimi i ditës së shënuar ishte ekskluzivitet i mbretërve dhe familjeve mbretërore.

Afrikë

Në Afrikë njerëzit e festojnë lindjen e një fëmije me gëzim. Në Kenia, nëna e mban fëmijën në shpinë dhe e çon në stallën e bagëtive, atje presin pleqtë e fshatit dhe i ati i fëmijës për t’i vënë emrin.

Në Afrikën Perëndimore, kur bebja është tetë ditëshe, nëna e merr dhe e nxjerr shëtitje për të njohur botën, miqtë dhe familjarët janë të ftuar të njihen me të porsalindurin.

Në disa vende të Afrikës mbahen ceremoni në grupe fëmijësh, atyre u prezantohen ligjet, besimet, zakonet, këngët dhe kërcimet e fisit. Sipas disa zakoneve të ndryshme, fëmijët që janë në moshën nëntë deri njëmbëdhjetë vjeç, janë gati të konsiderohen të rritur. Për ta fituar statusin e pjekurisë, ata bëjnë disa prova.

Amerika

Në Amerikën e Jugut dhe atë Qendrore, ditëlindjet festohen me pinata, këto janë kukulla të mbushura me ëmbëlsira dhe karamele që goditen symbyllur me një shkop për të fituar shpërblimin.

Ditëlindjet e fëmijëve festohen më shumë se të të rriturve, përveç ditëlindjeve si 20, 30, 40 ose 50.

Në Amerikën Veriore, ditëlindjet festohen me tortë dhe qirinj, këto të fundit përfaqësojnë edhe moshën e atij që ka ditëlindjen. Zakoni e do që personi në fjalë, të mendojë një dëshirë dhe të fryjë qirinjtë, për t’iu realizuar dëshira.

Më herët, ekzistonte tradita që personi i cili kishte ditëlindjen duhej t’i punoheshin rrengje në mënyrë që të mos i ecte ters. Këndimi i këngës së ditëlindjes është gjithashtu një pjesë e veçantë e ceremonisë. Ditëlindja e 16 e një vajze është më e rëndësishmja në Amerikë.

Azi

Sipas traditës hindu, në ditëlindjen e parë të një fëmije, atij i priten flokët për të simbolizuar ripërtëritjen e shpirtit. Në Kinë mbizotëron besimi se dhurata që zgjedh një fëmijë nga moria e dhuratave që i janë bërë, përcakton rrugën që ai do të ndjekë në jetë.

Në Japoni, ditëlindjet më të veçanta janë ato të moshës 3, 5 dhe 7-vjeçare. Koreja, nga ana tjetër, preferon të festojë 100 ditët e para të një fëmije për të kremtuar mbijetesën e tij në këtë botë.

Australia

Në Australi, teksa këndohet kënga e ditëlindjes, fëmija ha një gatim të veçantë, që njihet si “Buka e Zanës”. Kur dikush mbush 21 vjeç, atij i jepen çelësat e shtëpisë për të festuar arritjen e moshës madhore.

Historia e këngës së ditëlindjes

Kënga e ditëlindjes është më shumë se njëqindvjeçare. Ajo u shkrua më 1893 nga dy motra, Pati dhe Mildred Hill, të cilat ishin mësuese në Kentaki. Muzika ishte fillimisht një përshëndetje mëngjesi për nxënësit e tyre, që titullohej “Mirëmëngjesi të gjithëve”. Tekstit iu dha e drejta e autorit më 1935-n, 11 vjet përpara vdekjes së Patit dhe pronësia e tij ka prodhuar që atëherë miliona dollarë. Pronarët e fundit janë Warner Communication që e blenë atë në vitin 1989 për 22 milionë dollarë. Kënga e ditëlindjes është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.