Home / Kryeartikull / Partia e liderit është më efikase se sa partia e strukturave

Partia e liderit është më efikase se sa partia e strukturave

Nga Ervis Iljazaj

Ndryshimet Statutore të Partisë Demokratike kanë ngjallur debat, ku shumë prej zërave kritikë të Kryetarit të saj, kanë akuzuar Lulzim Bashën si autoritar dhe si person që po kërkon të marrë pushtet absolut në atë parti, duke anashkaluar pushtetin e strukturave.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Një nga defektet më të mëdha që ka Basha në drejtimin e Partisë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve, është pikërisht mos tregimi i një “dore të fortë’’ brenda Partisë Demokratike. Ende Lulzim Basha nuk është në trend me atë që po ndodh si fenomen në drejtimin e partive politike, atë të personalizimit dhe liderizimit të saj. Dhe mungesa e këtij transformimi në Partinë Demokratike përbën një disavantazh në raport me kundërshtarin.

Ky fenomen, nga i cili nuk mund të shpëtonte Shqipëria, vjen si pasojë e ndryshimeve shoqërore dhe kulturore, të cilat kanë transformuar partitë politikë. Parti të cilat janë të organizuara në mënyrë të strukturuara, që mbledhin rregullisht forumet apo organet brenda tyre për vendimmarrjet politike që nuk ekzistojnë më. Janë parti të shekullit të kaluar dhe nëse janë të tilla, janë thjesht një pengesë për efikasitetin e tyre në një shoqëri kaq komplekse dhe që ecën me një shpejtësi të madhe drejt ndryshimeve.

Ka një personalizim të jetës partiake, i cili po karakterizon funksionimin e partive edhe përtej vendit tonë, aq sa drejtuesit e saj nuk quhen më kryetarë, por liderë. Pra, si të thuash kemi të bëjmë me një liderizim të politikës me të gjitha elementet që ai nënkupton.

Tashmë, po ndodh një fenomen që politologët e quajnë demokraci plebishitare. Në momentin që lideri i partisë zgjidhet me një anëtar një votë, i fortë me mbështetjen e anëtarësisë, anashkalon të gjitha strukturat e partisë. Gjithashtu, sot, ndryshe nga dekada më parë, funksionet e partive janë të shumta. Në këtë mënyrë kanë nevojë për një katalizator dhe një vendimmarrje të përqendruar për të kontrolluar të gjitha aktivitetet. Këtë e bëjnë nëpërmjet liderit, i cili i fortë më mbështetjen popullore nuk ka nevojë për legjitimitetin e strukturave për vendimmarrjet politike.

Në transformimin e partive politike dhe personalizimin e tyre, padyshim ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe evolucioni mediatik. Me zhvillimin e mjeteve të komunikimit dhe sidomos me anë të rrjeteve sociale ka një komunikim direkt të liderit dhe popullit, duke zbehur kështu rolin e strukturave partiake. Në fund të fundit, strukturat e ndryshme të partisë, kanë shërbyer si një lloj ndërmjetësimi midis anëtarësisë dhe drejtuesve. Ndërmjetësim, i cili nuk është më kaq i domosdoshëm me zhvillimin e mjeteve të komunikimit.

Aq e vërtet është kjo, saqë në garat elektorale nuk kanë aq shumë rëndësi programet sesa personazhet që garojnë në të.

Larg qëllimit për të thënë nëse ky fenomen është një gjë e mirë apo e keqe për funksionimin e politikës, e rëndësishme është të theksohet se ky është një fenomen që ka prekur politikën përtej kufirit të Shqipërisë, si pasojë e zhvillimeve shoqërore dhe kulturore që nuk kanë vonuar të mbërrijnë edhe në vendin tonë.

Andaj, më shumë se sa funksionimin e partive, dhe personalizimin e tyre, duhet të shqetësohemi për funksionimin në mënyrë të pavarur të pushteteve të tjera që i kontrollojnë ato, në mënyrë që ky personalizim që ka ardhur për arsyet e lartpërmendura të mos kthehet në autoritarizëm, por të shërbejë vetëm si një përgjegjësi më e madhe për persona të caktuar, duke mbajtur në shinat e ligjshmërisë çdo aksion politik.

Leave a Reply

%d bloggers like this: