Home / Kryeartikull / Tre bastet elektorale të Edi Ramës dhe opozita në krevatin e mullixhiut

Tre bastet elektorale të Edi Ramës dhe opozita në krevatin e mullixhiut

Lorenc Vangjeli

Janë të paktën tre lëvizje të njëpasnjëshme të Edi Ramës që kapën në befasi edhe bashkëpunëtorët e tij, edhe kundërshtarët, edhe vetë opinionin publik.

Dy javë më parë askush nuk mund të vinte bast se Rama do të vinte bast me bastet. Lojrat e fatkeqësisë ishin pjesë e peisazhit urban kudo në Shqipëri dhe gjithkush, praninë e tyre, e quante të zakonshme e normale si ndryshimi i stinëve.

Duke bërë një akt drastik, Rama e preu këtë nyje gordiane me shpatë.

Duhet ta bënin institucionet, por si zakonisht në Tiranë, e bëri vullneti i individit.

Bindja e përgjithshme është se shumica dërmuese e shqiptarëve që votojnë e duartrokitën këtë lëvizje. Dhe duartrokitje të tilla përkthehen me votë. Edhe pse duket se thirrja e publikut për të votuar është e largët.

Si kurrë më parë, policia e shtetit, mbas një hetimi dy vjeçar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, bëri një aksion të shpërndarë në 12 qytete, që për çudinë e të gjithëve nuk u dekonspirua deri në momentin e fundit. Me shumë gjasa, pas aksionit të nisur për drogë, që vazhdoi me pranga për dy ish-deputetë socialistë, të tjerë deputetë, në episode të tjera kriminale, tre të majtë, tetë të djathtë dhe dy të LSI-së; disa të zgjedhur e ish-të zgjedhur locale dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë mund të jenë subjekt hetimi “për marjen e favoreve që nuk kanë të bëjnë me borderonë e parlamentit shqiptar”.

Mundësia e verifikimit penal të tyre, mund të sillte një tërmet shumë të fortë politik, përpara të cilit, nisma e dikurshme e dekriminalizimit do të dukej lisharës fëmijësh.

Duke goditur krimin dhe duke marë inisiativën për të goditur krimin edhe në nivele të larta, Rama ka gjithashtu llogarinë elektorale të tij. Fundja atë për të cilën ai është votuar dy herë dhe që me gjasë, duket se do të jetë oferta për votim për herë të tretë.

Akti i fundit politik ishte i lidhur me alkoolin. Ndalimi i alkoolit për të miturit, do të mërzisë ca tipa adoleshentësh që duan të duken trendy me lekët e babit dhe whiskey-n e klubeve, por bën të lumtur prindërit e tyre. Pikërisht atë fashë qytetarësh që votojnë dhe votën e të cilëve Rama e kërkon sërish me këtë lëvizje gjithashtu elektorale.

Në të tre rastet, opozita abstenoi.

Mund të votonte pro ndalimit të basteve dhe të vazhdonte sërish mërgatën nga parlamenti.

Opozita mund të kujtonte se ka qenë së paku në tre vitet e fundit në luftë nën flamurin e antikrimit dhe të bëhej palë me policinë e prokurorinë në superaksionin e antidrogës. Ajo mund të falenderonte trupën policore që mori pjesë në aksion, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të përfshirë në të, partnerët ndërkombëtarë që ishin pjesë e operacionit dhe pastaj mund të thoshte sërish se Rama është kreu i mafies në Shqipëri, se Xhafaj duhet të ikë një orë e më parë dhe se Gjunkshi i Durrësit duhet të shoqëronte miqtë e vet të Shijakut edhe në qeli.

Me logjikë minimale, opozita do të duhej t’i bashkohej qeverisë në inisiativën për të thyer gotën e alkoolit për të miturit. Do të kryente një akt normal politik, qoftë dhe për të mos ja lënë Ramës inisiativën dhe ofensivën e plotë për në zemrat e këtyre adoleshentëve që ju mohon alkoolin.

Nëse do të bënte këto tre përgjigje për inisiativat e kryeministrit, Basha do të kishte më shumë arsye dhe më shumë besueshmëri kur të fliste për dy zgjedhje në një ditë. Nuk e bëri. Veproi me inat siç bëjnë gjithmonë opozitat shqiptare.

P.S.

Kryeministrat, në një republikë jo parlamentare, por kryeministrore si Shqipëria, luajnë gjithmonë shah me gurët e bardhë. Në rastin e Ramës, ai bëri tre lëvizje të njëpasnjëshme elektorale dhe opozita refuzoi të japë përgjigje. Nuk mundi edhe njëherë të kuptojë se kapriçioja kokëfortë në politikë ka vetëm një shpërblesë: t’i çon hiret me pahir në krevatin e mullixhiut.

Politika është profesion që kërkon talent. Nuk dhurohet as si mandat deputeti dhe as si karrige kryeministri. Eshtë njëlloj si ai slogani i një shtëpie mode italiane që pritet të dalë për sezonin pranverë-verë 2019: Zonjë nuk lind, bëhesh tek Stefaneli!

Leave a Reply

%d bloggers like this: