Home / Kryeartikull / Protesta e opozitës, si rikthim i saj në identitet

Protesta e opozitës, si rikthim i saj në identitet

Nga Alfred Peza

Opozita shqiptare pasi dështoi me të gjitha rrugët e tjera, për të provokuar krizën e ëndërruar politike që do të çonte në rrëzimin e Edi Ramës, më në fund u detyrua që të rikthehet në identitet. “Kolegji i Kryetarëve të partive opozitare” ka njoftuar se protesta e parë për vitin 2019, do të zhvillohet më 16 shkurt, në orën 11.00 në Tiranë. Pas plot 9 muajsh, kjo është protesta e parë e opozitës, e cila ka që nga maji i 2018 që nuk arrin të organizojë dot mitingje në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë.

Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Për shkak të një numri shumë të pakët pjesëmarrësish në protestat pas zgjedhjeve të 2017, u kuptua shpejt se opozita dështoi në përpjekjet e saj për të frymëzuar popullin. Kjo lidhet me mungesën e një strategjie të përbashkët, programi, plaftorme dhe kauze që do të ngjizte në opinion publik, frymën e opozitarizmit që të çon dalëngadalë më pas, drejt përhapjes së frymës së madhe të ndryshimit. Një ndryshim ky që si në çdo shtet tjetër demokratik, bëhet realitet nëpërmjet votës masive të qytetarëve, në ditën e zgjedhjeve të reja.

Duke mos arritur që të organizonin dhe motivonin strukturat e veta, që kishin dalë të mundura në zgjedhjet e 2017, përgjatë 2018 me dështimin e protestës së fundit në Tiranë, opozita jonë duket se kuptoi që problemin më të madh nuk e kishin me qytetarët, por me anëtarët. Sepse në fund të fundit, protestat e opozitës në rrugë, nisin fillimisht si një tregues i organizimit të anëtarëve të partive të tyre. Me shpresën se në këtë mënyrë, do të arrijnë që të tërheqin për tiu bashkuar, edhe qytetarët e tjerë të pakënaqur për njëmijë e një arësye me mazhorancën qeverisëse.

Ka dy fakte të pakundërshtueshme që të çojnë tek ky konkluzion, i cili me siguri i ka trembur shumë liderët e PD dhe LSI në radhë të parë, duket i detyruar që të ndryshojnë totalisht strategji dhe qasje, në përballjen e tyre të re me qeverinë pas dështimit në protestën e majit 2018:

Së pari, PD i është rikthyer tani protestave në rrugë, vetëm pak orë pasi Lulzim Basha e riformatoi përgjatë gjithë muajve të shkuar, strukturën drejtuese të partisë së tij nga baza e deri në qendër. Në të gjitha bashkitë e vendit, u vendosën kryetarët e rinj të degëve të PD të promovuar prej tij. Ndërsa në sekretariatin dhe Kryesinë e re të Partisë Demokratike, bëjnë të gjithë të përzgjedhurit e tij. Vetëm pasi u qetësua dhe u sigurua për këtë, u mor vendimi për tiu rikthyer protestave opozitare në rrugë. Si një test dhe mundësi, për ti motivuar ato për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme lokale, të 30 qershorit të këtij viti.

Së dyti, LSI i është rikthyer portestave në rrugë, vetëm pasi nëpërmjet të gjitha formave që tentuan radikalizimin e situatës politike në vend, deri në përpjekjet për kapjen e protestës së studentëve të vërtetë të dhjetorit, duket se ia doli disi, që të ndalte rrjedhën e pandalshme të anëtarësisë së vet. Pas humbjes në zgjedhjet e 2017 dhe rikthimit të saj në opozitë,- pas 8 vitesh në pushtet, herë në qeverisje me PD dhe më pas me PS,- drejtorët e LSI dhe shumë të punësuar të tjerë në administrate që kishin përfituar, nisën të linin me shpejtësi gardhin e partisë. Disa për shkak se u bënë objekt dhe subjekt i drejtësisë për shkak të abuzimeve me pushtetin. Ndërsa të tjerë, duke treguar se ishin pjesë e LSI vetëm për pragmatizëm, nisën që të flirtonin me mazhorancën.

Përse u rikthyen në shesh?

Në këto kushte, si Lulzim Basha ashtu edhe Monika Kryemadhi, ndoqën një qasje krejt tjetër opozitare, për të shmangur shpërbërjen e strukturave të tyre të brendshme. Ndaj, nisën të zbatojnë strategjinë e re. Një strategji që synonte të godiste jo mazhorancën në tërësi, por direkt në mënyrë nominale, ministrat dhe figurat kryesore politike të PS. Duke besuar se në këtë mënyrë, po përcillnin në radhët e veta, shpresën se qeveria mund të rrëzohehej për shkak të tyre, nga momenti në moment. Ndaj herë sajuan “Babalen”, herë tentuan të vidhnin protestën e kuksianëve, herë atë të aktorëve të Teatrit Kombëtar, herë atë të banorëve të Unazës së Re në Tiranë. Në fund, tentuan që të manipulonin edhe protestën e studentëve të vërtetë, kur dolën para ministrisë së Arsimit.

Për ta bërë edhe më të plotë këtë strategji opozitare, në ndihmë u erdhi edhe ish Kryetari i LSI, sot Presidenti I Republikës, Ilir Meta. Nga vera e 2018,- ndryshe nga sa gjatë vitit të parë në detyrë,- Meta i ka rikthyer këto muaj mazhorancës, 10-15 dekrete. E si të mos mjaftonin këto, ai shkoi aq larg sa në kundërshtim me gjithë historinë dhe traditën 28 vjeçare të krerëve të shtetit, refuzoi të dekretonte fillimisht ministrin e Brendshëm, e më pas edhe shkarkimin e ministrit të Jashtëm dhe emërimin në vend të tij, të ministrit të ri të propozuar nga Kryeministri.

Kur e kuptuan se as rruga e intrigës, as rruga e grabitjes së protestave dhe kauzave qytetare e studentore, por as edhe shkelja e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës nuk i çoi dot tek ëndrra për të rrëzuar Edi Ramën, tashmë u detyruan që ti braktisin të gjitha ato.

Pas plot 9 muajsh eksperimentesh politike të dështuara, opozita jonë deklaroi se do ti rikthehet protestave të organizuara prej saj, në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë. Duke u rikthyer në identitetin e tyre natyror politik, liderët e opozitës tregojnë se i kanë mbaruar hallet e tyre të brendshme. Tani, duket se po gjejnë kohë që të bëjnë sikur do tia qajnë edhe hallin e shqiptarëve. Ndaj pjesëmarrja e tyre në protestën e 16 shkurtit, do të tregojë sesa i besojnë ata në të vërtetë, lojës së re të opozitës sonë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: