Arte

Grigor Përliçevi-Rilindasi bullgar nga Ohri që i këndoi Skënderbeut dhe shqiptarëve

Poema “Skënderbeu” është shkruar në greqisht nga Grigor Përliçevi në vitin 1861, ka afër 4136 vargje dhe është shkruar në stilin e poemave “Iliada” dhe “Odiseu” të Homerit

 Prof. As. Dr. Raqi Bello

Gjatë rrjedhës së shekujve shqiptarët dhe bullgarët kanë jetuar afër njeri-tjetrit. Qysh në takimet e para të këtyre dy popujve do të fillonte dhe krijimi i marrëdhënieve të ndërsjella. Fati i njëjtë historik ka bërë që edhe interesat kombëtare shpesh të jenë të përbashkëta dhe marrëdhëniet midis tyre të bëhen intensive dhe me ndikime të ndërsjella duke prekur aspekte të ndryshme të jetës ekonomike, politike, revolucionare, arsimore, kulturore etj.

Periudhë me rëndësi është ajo Skënderbeut, kur lufta çlirimtare e popullit shqiptar u bë shembull për shumë popuj të tjerë. Kjo stuhi çlirimtare nuk preku vetëm trojet shqiptare dhe shqiptarët por u përhap dhe tek bullgarët, që u bënë përkrahës dhe pjesëmarrës në ushtrinë e Skënderbeut. Vepra e madhe heroike e Gjergj Kastriotit u bë e njohur kudo dhe u bë pjesë e historisë botërore. Figura e tij u kthye në një personazh mjaft të njohur të letërsisë shqiptare, ballkanase dhe asaj botërore.

Ishte i madhi Marin Barleti, biografi i parë i Skënderbeut, i cili përhapi famën e heroit shqiptar në Europë duke na lënë të dhëna të vlefshme të biografisë së tij. E kaluara e lavdishme e popullit shqiptar dhe figura e heroit kombëtar Skënderbeut kanë ndikimin e vet edhe në kulturën bullgare para së gjithash në Rilindjen bullgare.

I pari që i kushton vëmendje të posaçme veprës së Skënderbeut është Jordan Haxhikonstantonov-Xhinot, rilindës bullgar nga Velesi (RMV). Ky rilindës i shquar, duke qenë dhe një njohës i mirë i gjuhës shqipe merret dhe me disa veçanti leksikore të kësaj gjuhe. Por padyshim motivet nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar më të pranishme janë në veprën e Grigor Përliçevit.

Kush është Grigor Përliçevi? Ai është një Rilindës i njohur Bullgar, mësues, shkrimtar dhe përkthyes. Lindi para 191 vjetësh në qytetin e Ohrit, më 18 janar 1830, fëmija i katërt i Marije Gjokovës dhe Stavre Përliçevit. Ka qenë nxënës në shkollën kishtare në Ohër, ku mësues i tij ishte rilindësi i mirënjohur bullgar Dimitër Milladinov. Në vitin 1848 Grigor Përliçevi për një vit bëhet mësues i greqishtes në Tiranë, ndërsa në vitin 1849 ai regjistrohet si student i mjekësisë në Athinë. Pas kthimit të tij nga Greqia në vendlindjen e tij në 1862, ai zhvilloi një veprimtari aktive apostolike, qëllimi i së cilës ishte futja e gjuhës bullgare në shkollat dhe kishat e qytetit.

Grigor Përliçevi, përveçse ishte një veprimtar aktiv në jetën sociale-politike dhe arsimore, u morr gjerësisht edhe me lëvrime në fushën e letërsisë. Veprat e tij më të njohura letrare janë dy poema që lidhen me historinë e shqiptarëve dhe një Autobiografi. Poemat autori i ka shkruar në greqisht, ndërsa Autobiografinë në bullgarisht. I lindur në Ohër, në një nga kryeqendrat e kulturës mesjetare bullgare, në kufirin midis zonave etnike bullgare dhe shqiptare, Përliçevi ka komunikuar gjatë gjithë kohës, që fëmijë, me shqiptarët në shqip dhe bullgarisht. Në shumë vende të Autobiografisë, së shkruar prej tij, del qartë se ai kupton dhe flet shqip. Siç e përmendëm edhe më lart, për një kohë të konsiderueshme (1848-1849) poeti ka jetuar dhe në Tiranë, si mësues i greqishtes. Këto fakte tregojnë që shkrimtari ishte një njohës shumë i mirë i shqiptarëve.

Në librin e tij Autobiografi gjejmë shumë detaje kurioze për mënyrën e jetës dhe zakonet e shqiptarëve. Ai përmend tipare të tilla të shqiptarëve si „pastërtia e moralit“, „i cili-veçanërisht në Shqipëri-konsiderohet urdhërimi i parë i zotit“ dhe pikën e dobët e shqiptarëve për kafe, duke theksuar se „Arnauti pi 20 kafe në 24 orë“. Pra, Përliçevi shkrimtar na del një njohës mjaft i mirë, deri në detaje, i shqiptarëve dhe historisë së tij që nga nxjerr motivet dhe heronjtë e poemave të tij të famshme, të shkruara në greqisht: „Serdari“ (bullg. „Сердарят“, gr.„Ὁ Ἁρματωλός“), shkruar në vitin 1860 dhe „Skënderbeu“ (bullg. „Скендербег“, gr. „Σκεντέρμπεης“), shkruar në vitin 1861 gjatë kohës që ishte student për mjekësi në  Universitetin e Athinës.

Poema e parë është dhe sprova e parë letrare e autorit e cila menjëherë tërhoqi vëmendjen e kritikës greke të kohës. Me këtë poemë mori pjesë në konkursin letrar në Athinë në vitin 1860 dhe fitoi Kurorën e dafinës-çmimin më prestigjioz letrar të kohës. Në poemë përshkruhet lufta midis fshatrave myslimane dhe të krishtera në rrethinat e Dibrës, ku një i ri i krishterë, kapedani Kuzman, ngelet i vrarë në betejë. Të mbijetuarit e armiqve të tij e çojnë në fshat, ku vajtohet nga nëna dhe e fejuara e tij. Poema nuk është shumë e gjatë, por të ngërthen me thjeshtësinë dhe përsosmërinë e vargut. Atje dalin në pah disa karakteristika të shqiptarëve të asaj kohe të trashëguara në breza dhe që mbërrijnë deri në ditët e sotme si vlera dhe norma të jetës së tyre. Midis tjerash në poemë më 1860 shkruan: “…Të gjithë shqiptarët janë zemërgjerë, mendjemprehtë dhe mirënjohës të mëdhenj; janë mikpritës dhe të besës si asnjë komb tjetër; të ndershëm, thellësisht liridashës dhe të patrembur në luftime…”.

Në librin „Autobiografi“ vetë Përliçevi vëren se tek „Serdari“ ka lëvduar disa virtyte të mira të shqiptarëve. Për poetin shqiptarët, të krishterë dhe myslimanë, janë të talentuar, krenarë, trima, guximtarë, fisnikë dhe liridashës. Janë bujarë dhe të besës si asnjë popull tjetër. Shqiptarët myslimanë e kanë pranuar myslimanizmin me të vetmin qëllim, për të lehtësuar peshën e rëndë të pushtuesit. Ndarja në baza fetare, sipas poetit, sjell vëllavrasje dhe robëri ndër shqiptarët dhe bën që të zgjatet më shumë robëria në këto troje.

Edhe me poemën tjetër „Skënderbeu“, Grigor Përliçevi, gjithashtu mori pjesë në konkursin letrar në Athinë, dy vjet më vonë se konkurimi i parë. Poema “Skënderbeu” e Grigor Përliçevit i ka afër 4136 vargje dhe është shkruar në stilin e poemave “Iliada” dhe “Odiseu” të Homerit.

Vepra është përkthyer dhe botuar në shqip më 1967 prej Spiro Çomorës. Me këtë poemë poeti fitoi famë dhe respekt në botën e letrave dhe në veçanti tek shqiptarët duke na lënë një nga krijimet letrare më të mira për heroin kombëtar shqiptar. “Skënderbeu” është një poemë për luftën heroike të popullit shqiptar kundër pushtuesve turq. Është ndërtuar në mënyrë poetike një episod i shkurtër, por shumë i rëndësishëm i ngjarjeve të vërteta historike-beteja midis turqve dhe shqiptarëve gjatë rrethimit të fundit të Krujës më 1467. Veprimi kryesor zhvillohet në kuadrin e vetëm një dite, por për poetin e madh Përliçev është e mjaftueshme për të krijuar një poemë të bukur. Ai e ka pasuruar me sukses ngjarjen qendrore me episode dhe skena të tjera të përshtatshme, me shumë digresione epike dhe lirike. Emrat e personazheve kryesorë të poemës janë të vërtetë, ndër të cilët spikat figura madhështore e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut, mbrojtës dhe udhëheqës i popullit në luftën për pavarësi.

Ndoshta kjo poemë pritej që të shkruhej nga një poet i madh si Përliçevi, në një kohë kur kjo pjesë e Ballkanit, si shqiptarët ashtu dhe bullgarët, ndodheshin akoma nën pushtetin osman. Dhe poetit romantik nuk i është dashur të shtegtojë larg vendlindjes për të gjetur një figurë historike që të ishte simbol i bashkimit dhe lirisë për popujt e robëruar të Ballkanit. Skënderbeu, ky hero kombëtar i shqiptarëve, një legjendë historike e Evropës, që me fitoret e tij kishte dëshmuar që armiku nuk ishte i pathyeshëm, vazhdonte të ishte heroi i dashur jo vetëm i shqiptarëve por edhe i bullgarëve. Në kohën e Përliçevit qarkullonin legjenda dhe këndoheshin këngë për Skënderbeun jo vetëm nga shqiptarët. Ato janë mbledhur nga shumë rilindës bullgarë, si vëllezërit Milladinov po edhe nga vetë Përliçevi. Padyshim që ndikim ka pasur dhe vepra e historianit shkodran Marin Barleti „Historia e Skënderbeut“, një nga veprat më të vjetra, kushtuar heroit shqiptar. Për një mjeshtër të penës siç ishte Përliçevi, lindur dhe rritur me legjendat dhe këngët për heroin kombëtar shqiptar, nuk do të ishte e vështirë t’u jepte formësim artistik motiveve që qarkullonin në këto anë. Përmes portretizimit madhështor të Krujës krenare dhe të pathyeshme, Përliçevi shpreh dëshirën e popujve të Ballkanit për liri, ndërsa nëpërmjet figurës së Skënderbeut dhe shokëve të tij ëndrrën e këtyre popujve për lindjen e një mbrojtësi të fuqishëm i cili do t’i udhëhiqte në luftën kundër pushtuesit. Çdo gjë që ndodh në poemë është e lidhur me figurën e Skënderbeut, gjithçka rrotullohet rreth tij. E gjithë poema është një lavd i pavdekësisë së trimit shqiptar.

Skënderbeu i Përliçevit nuk është një sundimtar i ashpër  mesjetar, por një prijës i mençur, fisnik dhe i dashur për popullin e tij. Eposi, i krijuar nga poeti, dallohet për vlera të mëdha artistike. Fuqia artistike e Përliçevit është gjithnjë e përqendruar në skalitjen e figurës së heroit epik, veçori kryesore të të cilit janë shpirti luftarak, forca dhe guximi. Ai ka një pamje mbresëlënëse: gjigand me ballin e gjerë, hundën e shqiponjës dhe mjekrën e trashë, më i madhi dhe më i bukuri nga të gjithë; duket si i pavdekshëm që ushqehet me bukë; shquhet midis personazheve të tjerë si një lis në pyll. Ish-prijësi i popullit shqiptar në luftën kundër pushtuesit vjen nga e kaluara për të mbrojtur dhe marrë hak, për të zbuluar forcën e popullit të papërkulur, për t’i treguar rrugën e lirisë përmes luftës. Nëpërmjet tij dalin në pah dhe virtytet e shqiptarëve. Ata kanë cilësi të jashtëzakonshme: janë të guximshëm, bujarë dhe të mëshirshëm dhe mbajnë fjalën e dhënë.

Siç doli më lart Përliçevi si njohës i mirë i shqiptarëve dhe i gjuhës së tyre u ndikua nga historia e tyre dhe heroit kombëtar shqiptar duke na lënë krijime letrare të nivelit botëror, por dhe ai vetë me veprat e tij ka luajtur një rol modest frymëzimi në Rilindjen Kombëtare shqiptare.

Vepra e shkrimtarit të madh bullgar Grigor Përliçev udhëton në kohë dhe vjen sot me një mesazh për popujt e Ballkanit duke i ftuar për komunikim dhe dialog me njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve etnike dhe fetare. Veprat e tij janë urat shpirtërore të paqes që i ndërtoi sa ishte gjallë dhe vazhdojnë të kryejnë funksionin e shkëmbimit kulturor midis tyre edhe në kohët moderne. Grigor Përliçevi u nda nga jeta më 6 shkurt të vitit 1893 në qytetin e tij të lindjes në Ohër.

 

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button