Home / Sporti / “Finalja” e Budapestit, Reja e ka një strategji

“Finalja” e Budapestit, Reja e ka një strategji

Trajneri kuqezi,Edoardo Reja, në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Hungarinë

Një finale, e konsideron kështu sfidën me Hungarinë tekniku i kombëtares, Edoardo Reja, edhe për faktin se një rezultat negative në këtë ndeshje do ta komplikonte frikshëm çështjen e vendit të dytë të grupit, për të vazhduar ëndërrimin e prezantimit për herë të parë në finalen e një Botërori. E kështu, në Budapest, në konferencën zyrtare për shtyp, tekniku italian nuk i është larguar thelbit, duke e shprehur hapur ambicjen për fitore.

“Për ne janë të gjitha finale. Natyrisht është një ndeshje e rëndësishme, e dimë mirë forcën e Hungarisë, por po kalojmë një moment të mire. Kemi fituar edhe siguri në këndvështrimin e veprimeve në fushë dhe kemi ardhur këtu për të bërë një ndeshje të madhe, duke u munduar të bëjmë rezultat, sepse është e rëndësishme për ne. Jemi në vendin e dytë dhe duam ta ruajmë”.

Si një italian tipik, duke e ditur edhe se përballë ka një njeri të të njëjtës shkollë, Reja nuk zhbilancohet aspak për formacionin, duke i shtuar dilema, qartësive që ai ka, por duke e justifikuar mëdyshjen për ta vendosur gjithcka në ditën e ndeshjes, me gjendjen fizike të lojtarëve.

“Një trajner ka gjithnjë dyshime për formacionin, sepse kështu ndodh para se të vendosë se me cilët titullarë do të zbresë në fushë, por do të vendos vetëm në fund. Kam 24 lojtarë në dispozicion, patjetër që kam dyshime, por duhet të shoh lojtarët dhe të zgjedh në bazë të gjendjes së tyre fizike. Hungaria është shumë fizike si skuadër, kështu që kërkoj lojtarët me formën më të mirë”.

Hungaria është dorëzuar në “Elbasan Arena” 1-0 me golin e Brojës, por këtë herë do të jetë një ndeshje ndryshe. Këtë e ka të qartë kapiteni Etrit Berisha, por e di mirë edhe Reja, që pikërisht në detyrimin që kanë hungarezët për ta fituar ndeshjen, ka ngritur strategjinë e tij.

“Ata duke luajtur në shtëpi është e qartë se do të imponojnë diçka më shumë sepse do të duan të fitojnë. Rossi, duke qenë italian, do të mundohet të mos kapet në kundërsulm, duke vendosur kontrollin e lojës. Ajo që duhet të bëjmë ne është të mbyllim hapësirat dhe të dalim përpara me cilësitë që kemi. Ata do të mundohen të bëjnë diçka më shumë, por në këtë mënyrë do të zhbalancohen e ne duhet ti shfrytëzojmë”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: