Home / Kryeartikull / Ç’pritet pas djegies së mandateve të opozitës?

Ç’pritet pas djegies së mandateve të opozitës?

Gjithçka tjetër, në mos qoftë politikë tipike ballkanike, d.m.th hileqare, si ka pas ndodhur deri më sot, do të jetë një tjetër humbellë për Shqipërinë, sa për të hedhur lumin, sipas shprehjeve tipike anadollake: “shtyje, ta shtyjmë”, “të dalë ku të dalë” e, më në fund edhe “si ka vajtur, do të vejë”!

Nga Kiço Blushi

Ne nuk bëjmë llogari aritmetike.Vendimi ynë për të dalë nga parlamenti është vendim politik dhe ne nuk mund të rrimë e të shohim datën se kur do të skadojë mandati. Ato llogari le t’i bëjë Rama me Metën. Kemi marrë një vendim politik dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, – kështu pat deklaruar, i vendosur, para ca ditësh, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Madje Paloka u shfaq aq i prerë sa paralajmëroi edhe deputetët e vet të cilët mund të guxojnë të hyjnë në Kuvend duke shkelur “vendimin politik” të partisë. Afërsisht të njëjtën përsëriti edhe Bregu pas takimit, për këtë çështje, me eurodeputetin Knut.
Koha e reflektimit gjithsesi po shkurtohet,  pasi Kuvendi do të mblidhet për herë të fundit më 18 dhjetor, ndërsa më 10 janar do të digjen përfundimisht e ligjërisht mandatet e deputetëve të PD-së. Në këtë rast pyetja dramatike është kjo: A do të lejohet të digjen mandatet e opozitës dhe Kuvendi, për herë të parë në historinë e pluralizmit, do të mbetet e do të jetë me opozitë të përjashtuar, njëngjyrësh? Apo, për hir të mosacarimit të mëtutejmë të situatës politike do të lejohet, nëpërkëmbja dhe shkelja e Kushtetutës dhe e së drejtës, pra, do të mbyllen sërish sytë, si është vepruar në jo pak raste dhe konkretisht kur u zaptua ndërtesa e SHQUP-it, kur fillimisht u quajt shkelje e pas marrjes së pushtetit u mbyllën sytë?
Nuk ka dyshim që edhe “djegia e mandateve” po përdoret si tërheqje litari, si në një lojë primitive e lashtë ballkanike ku provohet më së tepërmi fuqia e muskujve të palëve ndërluftuese, se sa forca e arsyes. Pas ndryshimit të rregullores së Kuvendit, që i mundësoi opozitës të flasë pas kryeministrit, si dhe pas njohjes së vendimeve të Gj. Kushtetuese, u duk sikur u plotësuan kushtet e vëna. Por jo, bojkoti do të vazhdojë. Protestat, protestat e përsëri protestat kanë mbetur përgjigja e vetme politike e opozitës së Bashës. Po ç’vjen pas protestave? Nuk thuhet çdo të pasojë: rrëzimi i qeverisë? Largimi i Ramës? Apo zgjedhjet e parakohshme ?
Asnjë nga këto zgjidhje, që janë derivate të natyrshme të çdo lloj proteste popullore nuk është dëgjuar deri më sot. Nuk shqiptohet asnjë kërkesë e tillë, qartë e prerë, si qëllim përfundimtar e logjik i çdo pas-proteste “të suksesshme”. Kjo  duket e habitshme dhe e pabesueshme për një parti që aspiron sa më shpejt marrjen e pushtetit e që, për më tepër, ka qenë për shumë vite në qeverisje.
Në të kundërt tani po kërkohet me ngulm ndërhyrja e ndërkombëtarëve, e ambasadorëve të Tiranës, arbitrazhi i tyre “i paanshëm”, d.m.th një tjetër “Krokodil”.
Tekefundit kjo do të thotë që, ose opozita nuk ka besim te fuqia e vet dhe trysnia e protestave, ose ajo ka mbetur në udhëkryq e pa vizion, ngaqë është e  papërgatitur për sfida të reja, si janë zgjedhjet e parakohshme. Edhe  pse pretendohet përditë nga opozita se tek ne po thellohet sa më s’ka keqqeverisja, asnjëherë nuk është guxuar të shqiptohen nga krerët e saj fjalët: “Ne kërkojmë urgjentisht zgjedhje të parakohshme që të dalin nga kjo krizë e thellë”! Në fund të fundit protestat nuk janë qëllim në vetvete. Nëse pjesëmarrja nëpër protesta vjen në rritje,- si po thuhet,- dhe ato po bëhen mbarëpopullore, atëherë nuk ka tjetër rrugë, përveç zgjedhjeve të parakohshme. Këtë do të kërkonte çdo lloj opozite e përgjegjshme në botën demokratike.
Ndërsa aktualisht protestat po përdoren vetëm si një justifikim i të qenit “opozitë”. Mesa duket dobësia, mungesa e besimit te vetja si dhe te garancia e suksesit po e shtyn opozitën, si ata fëmijët grindavecë të lagjes që kërkojnë ndihmën e prindërve për të zgjidhur sherrin. Në rastin konkret opozita kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, herë nëpërmjet kërcënimit me protesta dhe më shpesh me deklarata “Facebook”-u që t’i detyrojnë palën kundërshtare të ulet në tryezën e marrëveshjes, t’i japë dorën e më pas edhe besën njëri-tjetrit (mundësisht me firmë) që, pas kësaj, maxhoranca të deklarojë publikisht se ka për të respektuar një për një ligjet dhe Kushtetutën…Si dhe, mbas sodit, që deputetët e saj nuk do të rrihen e nuk do të poshtërohen më në sallën e Kuvendit.  A nuk është kjo, në vija të trasha, ç’ka po kërkohet nga opozita prej faktorit ndërkombëtar?
Ka patur ditët e fundit disa reagime të deputetëve të PE-së lidhur me bojkotin, por ato deri më tash nuk kanë patur aq forcë e ndikim sa të ndryshojnë e thyejnë bojkotin. Nuk kemi dëgjuar deri tani ndonjë qëndrim të prerë nga ambasadori amerikan Arvizu (ndoshta ngaqë ky është në largim e sipër) dhe as nga ai i Gjermanisë, apo makar edhe nga ndonjë prej vendeve dytësore të BE-së. Megjithatë gjasat janë që me afrimin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri ambasadorët e akredituar në Tiranë afërmendsh nuk do të kenë aq kohë të mjaftueshme në dispozicion sa të merren me mëzmëzet tona të tipit “e lagu, s’e lagu”, ndaj mund të hamendësohet që data e fundit e skadimit kushtetues të mandateve të opozitës, më 10 janar, të vijë krejt papritur e pa kujtuar, pa e zgjidhur lëmshin e bojkotit.
Ç’pritet të ndodhë në një rast të tillë “të paprecedent”? Arsyetimi i parë që vjen është ky: Meqë këto “llogari duhet t’i bëjë Rama dhe Meta”, siç paralajmëroi Paloka, atëherë i bie që e gjithë përgjegjësia që Kuvendi të mbetet pa opozitë do të bjerë mbi ata të dy, -Ramën dhe Metën, konkretisht mbi qeverinë e partitë e tyre. Por a do të pranojnë të marrin dhe a do të mbajnë këtë përgjegjësi “historike” mbi vete çifti Rama-Meta? Apo mos vallë do të mbyllin sytë, që, ca më troç do të thotë: A do të pranohet të shkelet kësisoj Kushtetuta, qoftë edhe duke gjetur disa pretekste “proceduriale” që të mos përjashtohen deputetët e PD-së nga Kuvendi pas 10 janarit?
Është e vështirë të parashikohet. Është si të hedhësh fall në filxhan të kafesë. Por ngjarjet e fundit dhe këmbënguljet e guximshme të Ramës për të vendosur shtetin ligjor, kontrollin mbi territorin, duke mos u tërhequr nga prishjet e ndërtimeve pa leje, nga Lazarati, nga burgosjet masive për faturat e papaguara të energjisë elektrike, nga dënimet edhe për shkeljet e semaforëve,  etj, etj, mund të  hamendësohet që Rama nuk ka për t’u  tërhequr, nëse përnjëmend e kërkon, si ka thënë, me çdo çmim, edhe me “humbjen e pushtetit”, instalimin e shtetit ligjor.
E po ndodhi që Kuvendi do të mbetet pa opozitë, pra po u respektua Kushtetuta më 10 janar, atëherë e vetmja zgjidhje politike mbetet që Rama të kërkojë zgjedhje të reja  parlamentare, bashkë me ato vendore, jo vetëm për të mos e rënduar situatën politiko-ekonomike në vend, për të legjitimuar, me votë popullore reformat e thella që ka nisur (e që po kundërshtohen nga opozita), por edhe për të mirëseardhur me zgjedhje të lira e demokratike një klasë e re politike, me  mendësi demokratike dhe evropiane.
Gjithçka tjetër, në mos qoftë politikë tipike ballkanike, d.m.th hileqare, si ka pas ndodhur deri më sot, do të jetë një tjetër humbellë për Shqipërinë, sa për të hedhur lumin, sipas shprehjeve tipike anadollake: “shtyje, ta shtyjmë”, “të dalë ku të dalë” e, më në fund edhe “si ka vajtur, do të vejë”!

Leave a Reply

Your email address will not be published.