Home / Kryeartikull / Demokracia shqiptare si lavatriçe e korrupsionit dhe krimit të pandëshkuar!

Demokracia shqiptare si lavatriçe e korrupsionit dhe krimit të pandëshkuar!

ANDREA STEFANI

Andrea-Stefani-I pushtuar nga gjakimi patologjik për pushtet, Sali Berisha sapo ka hedhur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndërkaq, i vënë në krye të Partisë Demokratike (PD) që të luajë rolin si kryetar kukull i saj, Lulzim Basha sapo ka ndërmarrë një aksion për dekriminalizimin e Parlamentit. Çudia qëndron në faktin se Basha vetë ka disa llogari të paqëruara me drejtësinë. Ndaj janë jo pak ata që ngrenë supet: Si mundet një politikan që është akuzuar për krime, të mund të udhëheqë luftën kundër krimit?

***

Rrënjët e kësaj farse të pështirë që po na imponohet duhen kërkuar, së pari, në mungesën prej mbi dy dekadash të drejtësisë dhe, së dyti, në taktikën e rikthimit në pushtet që po ndjek Berisha, lideri historik dhe i përjetshëm në PD. Kështu, Shqipëria rrezikon që, për shkak të pandëshkueshmërisë kronike të krimit e korrupsionit, të bjerë në rrethin vicioz, ku krimi dhe korrupsioni qeveritar i ndëshkuar me votë, por i pandëshkuar me ligj, paraqitet si alternativë politike për t’u rikthyer në pushtet po me votë! Demokracia dhe vota e saj po degradojnë në lavatriçe të krimit dhe korrupsionit të madh. Pluhuri larës është pandëshkueshmëria! Rrjedhimisht, ashtu si Berisha i parë, i rrëzuar për shkak të korrupsionit me piramidat financiare, u zëvendësua nga Berisha i dytë “i ndryshuar”, ashtu edhe Berisha i dytë (që doli se nuk kish ndryshuar fare dhe që u rrëzua me votë, për shkak të korrupsionit dhe auokratizmit nacionalist), mund të rikthehet në pushtet si Berisha i tretë edhe pse i maskuar si Lulzim Basha apo kushdo qoftë tjetër. A nuk është kjo një tallje ekstreme e historisë me shqiptarët dhe e shqiptarëve me veten, kur pranojnë si alternativë politike një lidership të kriminalizuar?!

***

Për shkak të plotfuqishmërisë së tij prej monarku tribal në PD, rënia nga pushteti e Berishës nuk u pasua me kritikën e fajeve e në radhë të parë, të korrupsionit që gjatë tetë viteve të qeverisjes nga Berisha i dytë arriti rekorde të papara. Skemave djallëzore të Berishës u dedikohet edhe vënia në krye të PD-së e Lulzim Bashës, një prej ish-ministrave të tij që, gjithashtu, qëndron në krye të disa skandaleve, ndër të cilat vend kryesor zënë ato të rrugës Durrës-Kukës dhe masakra e 21 janarit.

***

Për masakrën e 21 janarit është shkruar shumë, por, mbi të gjitha, është parë shumë. Pavarësisht kësaj, odiseja e drejtësisë së vonuar ka sfiduar edhe përrallën e “Mbretit lakuriq” të Andersenit. Tashmë të gjithë e dinë, përfshirë dhe ambasadorë të Perëndimit, cilët janë përgjegjësit për masakrën, por bëjnë sikur nuk e dinë. Të gjithë e kanë parë kush vrau, si vrau dhe përse vrau, por bëjnë sikur nuk e kanë parë. Kanë parë edhe se si ish-Kryeministri Berisha ushtroi të gjithë pushtetin autokratik, brutal dhe antishtetëror për të penguar hetimet, për të zhdukur provat e vrasjes së katër protestuesve dhe plagosjes së shumë të tjerëve me armët e ushtarëve të Gardës së Republikës. Të gjithë panë e dëgjuan një sulm të Berishës (ku banditizmi konkurronte me tërbimin) mbi institucionin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe të kryeprokurores Ina Rama. Të gjithë e panë dhe shohin si Berisha tenton ende një hedhje faji “alla hitleriane” mbi opozitën, duke e akuzuar, në mënyrën më absurde, për vrasjet e protestuesve. Të gjithë po bëjnë sikur nuk e dinë dhe po i shmangen “me rikoshet” të vërtetës së përgjakshme. Ky është zhvillimi më tragjik që parathotë një të ardhme shumë të keqe për Shqipërinë. Parathotë rënien e tij nën diktaturën e krimit të pandëshkueshëm që sot ka nisur të riciklohet si alternativë e pushtetit politik. Krimi i pandëshkuar marshon me sloganin niçean në ballë: Ajo që s’më mposht, më bën më të fortë! Pandëshkueshmëria e masakrës së 21 janarit është një nga ato helme shumë të rrezikshme për të ardhmen e demokracisë që gatuhen nga të vërtetat e thëna, por të papërfillura. Mosndëshkimi është jo vetëm legalizim i krimit, por edhe legjitimim i kriminelëve për të kërkuar pushtet. Dhe a ka tradhti, poshtërsi më të madhe ndaj vendit se t’i lësh si alternativë “shpëtimi” krimin?

***

Protagonizmi patologjik i Sali Berishës në bllokimin e hetimeve për 21 janarin, e la në hije disi Lulzim Bashën që, në fakt, ishte ministër Rendi dhe ligjërisht, mban përgjegjësinë kryesore të padiskutueshme politike për vrasjen e protestuesve atë ditë. Por Basha nuk dha dorëheqjen as nga posti ministror. Vite më parë, nuk kish dhënë dorëheqjen, si ministër i Transporteve, edhe për një tjetër nga skandalet më korruptive të tranzicionit, atë të rrugës Durrës-Kukës. Por ashtu si monedha e re nxjerr nga qarkullimi monedhën e vjetër, ashtu edhe skandalet më të reja, si “Gërdeci” apo “21 Janari”, sikur e nxorën nga diskursi politik dhe publik këtë megavjedhje që u kanë bërë xhepave të Atdheut sharlatanët nacionalistë të “Rrugës së Kombit”, Berisha dhe Basha. Veç atë skandal korruptiv që shqiptarët po e harrojnë, megjithëse vazhdojnë ta vuajnë si borxh kolosal publik, ua kujtoi këto ditë një artikull i revistës globale “Foreign Policy”. Na rikujton se investimi, që sipas akuzës së prokurorisë shqiptare i ka kushtuar shtetit një dëm prej 337 milionë USD, u bë me këmbënguljen e Sali Berishës, edhe pse Banka Botërorë këmbëngulte për një tjetër projekt të Rrugës së Kombit, shumë më pak të kushtueshëm, që do i kursente kombit 700 milionë USD!

***

“Foreign Policy” u kujton ca shqiptarëve, që vazhdojnë ta votojnë Bashën, se ai, bashkë me Andi Tomën, u akuzua në vitin 2008 nga prokuroria për abuzim me detyrën dhe shkelje të procedurave në mënyrën si e zgjodhën konsulentin (Ecorys) për procedurën e tenderit që i dha kontratën kompanisë amerikanë “Bechtel Enka”. “Prokurorët argumentuan se dyshja i shkaktoi dëm shtetit, duke pranuar çmime për njësi shumë më të lartë se ato të ofruara nga kompanitë e tjera dhe duke e lejuar punën të fillonte pa plan dhe pa kosto fikse të përcaktuara”, nënvizon “Foreign Policy”. Dihet se çështja e Bashës u mbyll nga gjykata në vitin 2009 mbi baza procedurale. Basha shmangu me burracakëri argumentimin publik të “pafajësisë” së tij. Por, të paktën, të mos arrinte këto nivele të papara paturpësie, sa të shfaqej si lider kukull i fushatës së “dekriminalizimit”. Ndërkaq, “Foreign Policy” shton se Berisha i paska deklaruar që prokuroria, ndërsa akuzonte për rrugën Durrës-Kukës, paska qenë “tërësisht e motivuar politikisht”. Sipas “logjikës” së Berishës, i bie që pikërisht gjykata, ajo që s’ka shqiptar që të mos e dijë se ka mbi dy dekada në kthetrat e politikës, të mos ketë qenë e motivuar politikisht, ndërsa shpëtonte Lulzim Bashën. Por edhe Berishën!

Leave a Reply

Your email address will not be published.