Home / Europa / Kriza e imigrantëve ”ndryshon” axhendën e samitit për Ballkanin

Kriza e imigrantëve ”ndryshon” axhendën e samitit për Ballkanin

Ky samit, në të cilin janë të ftuar gjithashtu kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, do të përqendrohet në bashkëpunimin rajonal dhe perspektivat e zgjerimit të bllokut të 28 vendeve me disa vende të zonës.

Por ”rruga e Ballakanit Perëndimor”, marrë nga mijëra imigrantë që dëshirojnë të shkojnë në Perëndim, kristalizon tashmë kujdesin, ndërkohë që Bashkimi Evropian po përballet me krizën më të rëndë të refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore.

Nga muaji janar deri në muajin qershor, rreth 102 000 imigrantë kanë hyrë në Bashkimin Evropian nga Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, kundër 8 000 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas agjencisë Frontex, të ngarkuar me kufijtë e jashtëm të hapësirës Shengen.

Prekur nga fluksi i imigrantëve që vijnë nga Greqia, Maqedoni dekretoi javën e kaluar gjendjen e emergjencës dhe mbylli kufijtë e saj për tre ditë duke detyruar imigrantët të kalojnë me forcë kordonet policore.

Të paktën 7 000 persona janë futur në Serbinë fqinje me shpresën për të shkuar në Hungari, anëtare e BE-së.

Austria, shumë e prekur nga kjo krizë e imigracionit, parashikon të rrisë luftën kundër rrjeteve kontrabandiste, kërkon një shpërndarje të barabartë të refugjatëve mes vendeve të BE-së, një bashkëpunim më të madh për sigurinë , një ndihmë për vendet e origjinës së imigrantëve dhe një strategji për azilin në shkallë evropiane .

“Ky është një shkatërrim njerëzor, një shkatërrim për të gjithë Bashkimin Evropian, është urgjente që ne të reflektojmë për situatën në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi dje ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz.

“Ne duhet të gjejmë një strategji të re për të mbështetur Greqinë dhe vendet e Ballkanit perëndimor”, shtoi ai gjatë një vizite në Maqedoni.

Por këto vende të Ballkanit nuk janë vetë vende tranziti për ata që largohen nga dhuna në Siri, Irak dhe Afganistan, ato janë gjithashtu vende të nisjes, me mijëra banorë që imigrojnë drejt Evropës perëndimore.

”Nga 44 000 imigrantë në kufijtë e këtyre vendeve me Bashkimin Evropian në tremujorin e parë 2015, 27 000 ishin shtetas të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, sipas Frontex.

Kjo shpjegohet nga një situatë ekonomike ”shkatërruese”, me një rritje ekonomike inekzistente, një papunësi shumë të lartë dhe investime shumë të pakta, analizon Dusan Reljic, nga Institutti gjerman për çështjet ndërkombëtare dhe sigurinë (SWP), një qendër studimesh./ /ec/

Leave a Reply

%d bloggers like this: