Home / Kryeartikull / Kush e nxori rininë në shesh?!

Kush e nxori rininë në shesh?!

Nga Kim Mehmeti

Qeveritarët maqedonas po bëjnë çmos që protestat e rinisë shqiptare në Maqedoni t’i ngjyrosin me radikalizëm fetar, në mënyrë që ato të duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiptarinë. Sado që tingëllon perverse, kjo tendencë u ka shkuar për shtat edhe partive të këtushme shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë, partitë shqiptare në Maqedoni, do të mund të bindin diplomatët e huaj, si edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, se nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe se mosmarrëveshjet janë vetëm me rrymat radikale fetare.

kim mehmeti

Kim Mehmeti

Por tani, kur e panë se kjo nuk mund të finalizohet, ata po nguten që fajësinë për protestat t’ia kalojnë Shqipërisë dhe Kosovës, nëpërmjet notave verbale në shenjë proteste, drejtuar qeverive të të dyja vendeve. Pra me pak fjalë, po vepron ende ajo mendësi, e cila shqiptarët e këtushëm i konsideron si “ si ‘rrezik të përhershëm të brendshëm”, i cili, sipas tyre, është i komanduar nga jashtë Maqedonisë! Kjo mendësi, nuk i lejon qeveritarëve të këtushëm, përfshirë edhe ata shqiptarë, që të shohin se rininë shqiptare e nxori në rrugë keqqeverisja, si edhe partitë shqiptare që e çuan këtë rini drejt të ndjerit të papërfaqësimit!

Por nuk duhet harruar kurrë, se kjo rini u rrit duke u trajnuar me “protestat” e kontrolluara dhe të gënjeshtërta të BDI-së, që kishin për qëllim të zbutnin revoltën shqiptare, sikurse ishte edhe protesta kundër “Enciklopedisë”, apo ajo kundër ndërtimit të kishës ortodokse në Kalanë e Shkupit, por që sot është ndërtuar.

Në këtë funksion u organizua edhe protesta kundër sjelljes së përmendores së Car Dushanit në Shkup, për të cilën aktivistët e BDI-së dolën në shesh, gjoja për ta rrënuar. Mbase edhe mund ta rrënonin, mirëpo nuk ia arritën dot këtij qëllimi, pasi dolën natën dhe nuk mundën dot ta dallonin atë përmendore prej të tjerave. Ja pra, ky është shpjegimi për ato pyetjet se kush e nxori rininë shqiptare në rrugë dhe kush i “organizoi” këto protesta.

Përgjigja dihet: kjo qeveri maqedonase dhe këto parti shqiptare e nxorën rininë në shesh, madje bënë edhe një mëkat ndaj palës maqedonase në pushtet, duke e bindur atë gabimisht, se ai që kontrollon BDI-në dhe PDSH-në, i ka në dorë të gjithë shqiptarët e këtushëm!

[yop_poll id=”6″]

Leave a Reply

%d bloggers like this: