Te ndryshme

Punët e shtëpisë luftojnë stresin dhe rrisin mirëqenien

Nëse mendoni se asgjë nuk mund t’jua largojë stresin dhe t’ju kthejë prehjen mendore, gaboheni. Shkencëtarët kanë gjetur mënyrën më të thjeshtë për t’ju kthyer buzëqeshjen në fytyrë: bëni punët e shtëpisë.

Këto të fundit shkaktojnë zënka në çdo shtëpi të botës, por debati se kush e ka radhën për t’i larë enët, tashmë ka marrë një kthesë të re.

Tundimi për t’i lënë enët e palara deri në mëngjes, të mbledhura mbi njëra-tjetrën në lavapjatën e shtëpisë suaj, është shpeshherë i madh në fund të një dite stresuese, por shkencëtarët tanimë besojnë se punët e përditshme të shtëpisë mund t’ju bëjnë mirë për shëndetin dhe mirëqenien.

Një hulumtim ka zbuluar se njerëzit që përqendrohen te larja e enëve, duke treguar kujdes në veprimin që po bëjnë, ndihen më pak të stresuar dhe më pak nervozë.

Kërkuesit nga Universiteti Shtetëror i Floridës vendosën të zbulojnë nëse larja e objekteve mund të përdoret si një praktikë informale për të promovuar përqendrimin dhe përmirësimin e mirëqenies emocionale.

Ata prisnin të zbulonin se njerëzit që kryenin larje enësh të vetëdijshëm për procesin, do të merrnin si shpërblim pasoja pozitive, si ulje të ndjesisë së negativitetit që shkakton stresi dhe do të fillonin të mbivlerësonin kohën e kaluar duke larë enët.

Me larje të vetëdijshme të enëve, kërkuesit nënkuptuan gjendjen e të qenët mendërisht aktiv, me vëmendje të përqendruar në të tashmen.

Studimi zbuloi se njerëzit që i lajnë enët duke e pasur aty mendjen, të përqendruar te ndjesia e sapunit dhe enëve, përmirësojnë mirëqenien dhe raportojnë më pak nervozizëm e ndihen më të frymëzuar.

E vërteta është se kur një person arrin të përqendrohet tek ajo që po bën aktualisht, ai i vëzhgon mendimet dhe ndjenjat nga një distancë, pa i gjykuar ato si të mira apo të këqija.

Në vend që t’ju marrë rutina, praktika inkurajon që një person të jetojë çastin dhe të jetë i vetëdijshëm në proceset e jetës së përditshme.

Për të analizuar një proces kaq të thjeshtë siç është larja e enëve, kërkuesit nga Universiteti i Floridës rekrutuan 51 studentë. Gjysmës së tyre, ata iu dhanë të lexonin një paragraf me 230 fjalë që nënvijëzonte rëndësinë e eksperiencës ndjesore të larjes së enëve.

Pjesa tjetër e pjesëmarrësve lexoi një paragraf të së njëjtës gjatësi rreth teknikave të larjes së enëve. Secili prej pjesëmarrësve lau 18 enë.

Më pas, atyre iu kërkua të plotësonin një formular të matjes së vëmendjes, afeksionit dhe kujtimit të eksperiencës. Pjesëmarrësit e studimit, të cilët i lanë enët duke e pasur mendjen tek ai proces, u zbulua se arritën rezultate më të larta në gjendjen e vigjilencës, gjë që i rriti pasojat pozitive si frymëzimi, ulja e nervozitetit dhe mbivlerësimi i kohës së larjes së enëve.

Ndjenja e nervozitetit u ul me 27 për qind tek ata që i lanë enët, sipas mënyrës së përqendrimit, ndërsa frymëzimi u rrit me 25 për qind tek i njëjti grup.

Ndërkohë, nuk pati asnjë ndryshim te grupi që e kreu procesin sipas teknikave të mësuara. Kërkuesit thanë se zbulimet e tyre mund të kenë pasoja të rëndësishme në aktivitetin ditor të të tjerëve.

Studiuesit thanë se përqendrimi i vëmendjes në veprimet që dikush kryen aktualisht, sjell pasoja mjaft pozitive, pasi qartëson mendjen dhe kultivon pikëpamjen e jashtme të ngjarjeve stresuese që kanë pak rëndësi për të ardhmen. Studimi u publikua në revistën “Vëmendja”.

Si të luftoni stresin?

Kryeni aktivitete fizike. Që nga ushtrimi i thjeshtë te palestra, shëtitjet e gjata, lëvizja brenda shtëpisë apo çdo lloj lëvizje tjetër është e mirë për të luftuar stresin. Nga dhjetë deri në tridhjetë minuta, aktiviteti fizik sjell efekte të dobishme, pasi çliron energjinë e tepërt.

Ruani miqësinë. Shokët dhe miqtë janë njerëzit më të mirë me të cilët mund të luftoni stresin. Duke folur për situatat që ju stresojnë apo duke marrë mendimet dhe ngushëllimet e shokëve, nivelet tuaja të stresit bien ndjeshëm. Koha e kaluar me shoqërinë, ju argëton dhe ju largon mendjen nga ndodhitë e parëndësishme të jetës së përditshme.

Shmangni stresin e panevojshëm. Pavarësisht se mund t’ju duket se çdo gjë meriton vëmendjen tuaj, bëni mirë ta klasifikoni informacionin që duhet të merrni seriozisht dhe që mund të ndikojë te gjendja juaj shpirtërore. Për këtë arsye, shmangni stresin e panevojshëm dhe kuptoni se çfarë ka vërtet rëndësi.

Përshtatuni me atë që ju streson. E vetmja mënyrë për të mos pësuar një shkatërrim nervor me diçka që rezulton të jetë stres i përditshëm, është të përshtateni me atë që ju streson. Kuptojeni dhe përpiquni ta zgjidhni atë që është burimi juaj i stresit. Kështu do të shpëtoni prej tij.

Gjeni kohë për qetësi dhe argëtim. Jeta i ka pak nga të gjitha. Mos lejoni që dita juaj të mbushet vetëm me situata serioze dhe stresuese. Gjeni kohën për t’u argëtuar dhe për t’u relaksuar, sepse kjo do t’ju rrisë nivelet e hormoneve që prodhojnë ndjesi pozitive te ju.

*Burimi: Daily Mail.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button