Home / Kryeartikull / “Rilindja” e drejtësisë

“Rilindja” e drejtësisë

LEONARD BODURI

Sistemi apo Gjin Gjoni?!

Leonard Boduri

Pas “dokumentarit” të shfaqur për 300-ditëshin e parë të Rilindjes dhe modestisë së tepruar të Kryeministrit në prezantimin e sukseseve të panumërta në çdo fushë të jetës, nuk mund të mos veçojmë rrëfimin mallëngjyes të kreut të ekzekutivit për bisedën “intime” me kancelaren e Gjermanisë, Merkel, lidhur me kërkesën e saj këmbëngulëse për reformimin e sistemit të drejtësisë. Me nota tronditëse, pas një fjalimi pak më të gjatë se finalja me shtesë e Botërorit, Rama arriti të na i bënte mishin kokrra-korra me monologun e tij shekspirian mbi sistemin e drejtësisë. Rrëfimi i tij prekës rrëzoi brenda pak sekondash kështjellën prej rëre të ndërtuar me aq mund nga kalemxhinjtë e oborrit për ekstremistët plëngprishës europianë që na hodhën në erë statusin e vendit kandidat dhjetorin e vitit të shkuar. Arsyeja e vërtetë për refuzimin na paskësh qenë ekskluzivisht gjendja e rëndë në sistemin gjyqësor. Për korrektesë nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se z. Rama është koherent në deklaratat dhe akuzat e tij lidhur me sistemin e drejtësisë në vend, duke ruajtur të njëjtat konsiderata që ka shprehur edhe pas vendimit të formës së prerë të gjyqësorit për pafajësinë e ish të pandehurit dhe bashkudhëheqësit aktual Meta. Pikërisht për këtë arsye, kjo reformë i është besuar dhe po udhëhiqet me tërsëllimë nga ministri rilindës i Drejtësisë, Nasip Naço, edhe ky po ai ish-ministër i qeverisë së korruptuar të Saliut, gjithashtu i akuzuar deri dje sistematikisht për afera të papara korruptive. Natyrisht nuk mund të jemi kaq “naivë” sa të biem në grackën e akuzave personale ndaj ministrave apo ish-ministrave, pasi siç ka thënë “shoku” Rama në kohën kur nuk dinte nga të mbulohej me gjethe fiku pas “lakuriqësisë” së plazhit të ngjalave pas aleancës me Metën: fajin nuk e ka individi, nuk e ka as Saliu (e tmerrshme të mohohet edhe kjo pjesë), Iliri jo e jo, por vetëm sistemi. Ah ky sistemi i mallkuar! Mirëpo në rrethana lehtësuese, d.m.th në ndikimin dehës të takimit të paharruar me kancelaren Merkel, Rama doli nga vetja këtë herë, duke u marrë jo me sistemin, por me individin që mban emrin Gjin Gjoni, simboli, sipas tij, i korrupsionit në gjyqësor. Qëllimi është i qartë për të gjithë: Të shkulim një Gjon të palës tjetër dhe të ngulim një Gjon tonin që ta kemi lepe-peqe, por për kritere apo rregulla për një ndikim afatgjatë në sistemin e drejtësisë ashtu siç mund të ketë sugjeruar mes rreshtave kancelarja Merkel, askush nuk flet.

Emergjenca për reformë në drejtësi

Deri më sot, Rilindja përparimtare u ka rezervuar vendimeve detyruese të gjykatave koshin e plehrave. Të mos harrojmë se ishte pikërisht moszbatimi i vendimeve të gjykatave për atë të flamosur Qark të Fierit preteksti i Rilindjes për të mos votuar 3 ligjet në Parlament që na shtyu statusin një vit para ekstremistëve të pandehur europianë. Mirëpo pas ardhjes në pushtet, moszbatimi sistematik i vendimeve të gjykatave për rikthimin e të larguarve nga administrata në mënyrë të padrejtë, përbën një shkelmim të vazhdueshëm me dashje të shtetit të së drejtës. Ditën për diell, oligarkia e ndërtuar me shumë mund nga politika gjatë këtij tranzicioni të pafund po shfaqet gjithmonë e më qartë edhe me sfondin “mavi”. Natyrisht nuk ka njeri racional në vend që mund të mbrojë sistemin aktual të drejtësisë, por po me të njëjtën shkallë racionaliteti kemi të drejtën e plotë të përpiqemi të kuptojmë pozicionin e PS-së ndaj drejtësisë në tërësi dhe jo vetëm ndaj disa elementeve të përzgjedhur sipas qejfit për reformim, si dhe të rilexojmë qëndrimin e “patericës” së Aleancës për Shqipërinë Europiane, LSI-së, dhe koherencën e saj lidhur me vlerësimin e sistemit të drejtësisë në vend. Kur përfundoi gjyqi kundër Ilir Metës, pas verdiktit të gjyqësorit për pafajësinë, deklaratat plot pompozitet të LSI-së iu drejtuan rilindësve në opozitë duke lëvduar pa rezerva sistemin e drejtësisë dhe integritetin e institucioneve të pavarura. Sot, e njëjta LSI, përsëri në qeveri si një “perpetuum mobile” politike, thotë pikërisht se e keqja më e madhe është po kjo drejtësi dhe ky sistem gjyqësor që i dha dje pafajësinë Metës. Këto dy qëndrime nuk mund të bashkëqëndrojnë: ose vendimi i djeshëm për pafajësisë e Metës është dhënë nga një drejtësi e superkorruptuar dhe e ndikuar fort nga politika duke përfshirë z. Meta, ose ajo drejtësi me integritet të pashembullt vazhdon të jetë e drejtë dhe e pavarur. Këtu, metamorfozë brenda një nate sipas tekave të LSI-së nuk mund të ketë. Qëndrimi alla-vasal i LSI-së nuk e pastron dot gjendjen aktuale të gjyqësorit as me lëvdatat e djeshme dhe as me kritikat e sotme pasionante. Sistemi i drejtësisë në vend është realisht tejet problematik, i superkorruptuar, nën ndikimin dhe në gjendje vasaliteti të vazhdueshëm ndaj politikës, por për fat të keq problematika e gjyqësorit nuk është një dukuri e veçuar, pasi ajo vërehet po aq e rëndë sa në Parlamentin e vendit të mbushur me njerëz me të kaluar kriminale aq edhe në përbërjen e ekzekutivit. Akuzohen me të drejtë gjyqtarët për jetën e luksit që afërmendsh kërkon mijëra euro, kur me rrogat që u takon të marrin duhej të ishin akoma duke shlyer kreditë e shtëpive, mirëpo në garën për korrupsion nuk ngelin aspak mbrapa as deputetët e tempullit të demokracisë (të majtë e të djathtë), për jetën luksoze të të cilëve duhet të mbyllim sytë dhe thjesht të besojmë në “fjalën e tyre të nderit”. A mund të besojmë se disa (jo të gjithë) të përlyer deri në grykë në Parlament do të impenjohen për të bërë një reformë në gjyqësor që nesër mund t’i ndëshkojë edhe ata vetë nëse reforma bëhet si duhet? Mbase do të ishte e udhës që katharsisi i vërtetë dhe reformat të nisin nga Parlamenti i vendit, organi më i lartë përfaqësues në vend.

Reagim ndaj dhunës verbale në Parlament

Aleanca për Shqipërinë Europiane nuk ka heshtur kësaj here ndaj akuzave dhe shpifjeve periodike të opozitës në Parlament për gjoja të kaluarën kriminale të disa deputetëve rilindës. Rilindja theu heshtjen dhe reagoi në mënyrë origjinale ndaj “shpifjeve të ulëta” të opozitës ndaj përfaqësuesve të saj. Kësaj here nuk ishte rilindësi Prenga me kamxhik, por trimi mbi trima Arben Ndue Ndoka, i cili me një akt heroik përveshi mëngët dhe i dha përgjigjen “e merituar” opozitarit Strazimiri në një ndeshje spektakolare boksi, e cila mori edhe duartrokitjet në heshtje të dyshes Rama-Meta, që nuk mund të duronte dot më sulmet verbale të opozitës në foltoren e Kuvendit. Një ditë pas marrjes së brezit të artë në boksimin parlamentar, “kampioni” Ndoka nuk e pa të arsyeshme të sfidonte në ring edhe z. Ristani, pas çjerrjes së maskës që ky i fundit kreu “live” me publikimin e vendimeve të drejtësisë italiane për heqje lirie të z. Ndoka nën akuzën e ushtrimit të prostitucionit në rrethana të rënduara. Ndoka, nga ana e tij, pasi ka pranuar se dënimi nga drejtësia italiane është dhënë si pasojë e lajthitjeve të moshës së “rinisë”, përsëri deklaroi se ndihej i fyer nga akuzat dhe shpifjet e opozitës. Gjithsesi, nuk dihet nëse tërheqja nga përplasja me z. Ristani ka ndodhur për shkak të diferencës në peshë (për kilogramë e kemi llafin) dhe frikës së një humbje të mundshme në përballje. Për të arritur një fitore të sigurt z. Ndoka u përpoq të siguronte fitoren duke zgjedhur një sfidant tjetër për ndeshjen e radhës. Dorashka iu hodh këtë herë, kundër çdo rregulli kalorësiak, zëdhënëses së PD-së Vorpsi, duke e kërcënuar dhe duke iu hakërryer harbutërisht dhe pa pikë mëshire për akuzat e pranuara tashmë dhe për “shpifjet publike” të kryera nga foltorja e Partisë Demokratike. Natyrisht për shkak të “bojkotit” të palës kundërshtare, ndeshja u fitua në tavolinë, dhe brezi i kampionit të boksit i mbeti sfidonjësit të madh Ndoka. Pas këtij triumfi, Rilindja mund të flejë mbi dafina dhe të jetë e sigurt se me 2 votat e trafikuara nga LSI-ja, Kadeli-Duzha, dhe me dyshen shpërthyese të kampionëve olimpikë shpatullgjerë dhe sypatrembur, Armando Prenga dhe Arben Ndoka, do të arrijë të ruajë numrin e artë 85 në Parlament me qëllim që të kryejë me sukses vetëm me votat e saj një nga reformat më të thella në sistemin e drejtësisë, që do të na sjellë përparimin sipas Oksidentit. Bravo Rilindje!

Leave a Reply

Your email address will not be published.