Home / Kryeartikull / Bëni si them unë, jo “si u bëra unë”

Bëni si them unë, jo “si u bëra unë”

Nga Arben Manaj

Kur Erion Veliaj ishte ministër në kabinetin e Ramës dhe ishte përpara zgjedhjeve lokale, në Londër, në një takim me studentë shqiptarë e të huaj të një universiteti të njohur të Anglisë, bashkë me një mikun tim shumë të mirë, i djathtë me bindje politike, në mbarim të prezantimit të Veliajt, dhe pas takimit tonë të parë, të të dyve, me Erionin, tha shumë sinqerisht e pastër: Ne në PD, nuk kemi një të tillë kaq elokuent e të zotë si Erioni!

M’u kujtua ky detaj, teksa lexoja për replikën mes Dash Pezës dhe Bashkim Finos për atë, nëse një kryetar bashkie do të duhet të ndërpresë mandatin, nëse zgjidhet kryetar partie. Kjo replikë, në esencë, do të ishte naive të mos besohet se lidhet me emrin e përveçëm të Erion Veliajt, dhe pritshmërinë se ai ka më shumë shanse të jetë, kurdoqoftë, edhe kryetar i Partisë së tij, nën shembullin e Edi Ramës dhe Lul Bashës. Jo domosdoshmërisht, por nëse bëhet, nisur nga pozicionimi i tij, padyshim edhe kryeministër, në qoftë se fiton partia e tij zgjedhjet parlamentare. Dhe këtu fle lepuri.

Më habit qëndrimi i Finos, një ish-kryetar bashkie, që mbërriti në postin e Kryeministrit, pa kaluar nga partia ose posti i kryetarit, edhe pse në atë periudhë kur i ndodhi atij mrekullia, partia e tij ishte pa kryetar ose me kryetar në burg. Parimisht, kjo ide është paragjykuese në rastin më të pakët, dhe konceptualisht jo demokratike, në rastin më të pafat. Çdo njeri nuk ka përse të kufizohet në të drejtën e tij universale, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Në fund të fundit, çdo dilemë merr përgjigje dhe shfajësohet, nëse ajo vjen përmes vullnetit të shprehur dhe të pakontestuar të elektoratit ose anëtarësisë. Kushdo qoftë ai ose ajo, që kalon përmes këtij procesi, si në pushtetin lokal dhe atë qendror apo edhe në proceset përzgjedhëse përmes sistemit brilant “një anëtar, një votë” në kontekstet partiake, ka autoritetin dhe moralin e padiskutueshëm për të drejtuar partinë dhe qeverinë, në rast se fiton. E kundërta, do ishte jonormale.

Pozicionimi anti-Veliaj i Finos nënkupton një parehati sikletosëse në radhët e jo pak të ashtuquajturve “senatorë”, që këto vite, u kanë dëshmuar se ata do të jenë të rëndësishëm, por jo vendimtarë dhe të pazëvendësueshëm, si dikur, në një parti që fatmirësisht dhe dialektikisht, sjell prurje të reja moshore dhe intelektuale, profesionistësh të arsimuar në Perëndim, të cilat shihen si kërcënim për një pjesë të tradicionalëve.

Të më ndjejë Erjon Veliaj, nëse e marrim si shembull, edhe unë edhe Fino, më parë, për një gjë që është hipotetike dhe ndoshta edhe mund të mos e ëndërrojë një post të tillë, sipas shembullit të Edi Ramës, edhe pse, në parantezë, personalisht do të isha pro një lëvizjeje të tillë, për shumë arsye.

Por mbi të gjitha do të isha inkurajues, për vizonin dhe energjinë që gjeneron si individ, pozicionim që do t’i garantonte Partisë Socialiste një vazhdimësi dhe stad akoma më të avancuar në socialdemokracinë perëndimore. Janë disa arsye dhe rrethana, që logjikshëm, nuk do duhej ta frenonin atë ose edhe çdo të zgjedhur në pushtetin vendor në rrethet më të mëdha të vendit, sidomos dhe kjo për një arsye specifike, që i japin atij dhe atyre, kushdoqofshin, avantazhe në këtë garë.

Në rastin e Erion Veliajt, ashtu edhe të Lul Bashës ose edhe Voltana Ademit e Vangjush Dakos, të qenët bashkiak ose kryebashkiak, por sidomos në Tiranë, nisur nga madhësia dhe numri i popullsisë dhe halleve qe administron, është një lloj kryeministri në vetvete. Është një përvojë e jashtëzakonshme menaxhimi, aq e nevojshme, siç ka treguar edhe përvoja e kohëve të fundit për të drejtuar kryeqytetin, por edhe Shqipërinë. Këtë përvojë politike, në moshë kaq të re, argumentueshëm, kush më shumë e më mirë e kush më pak, e ka Rama, por edhe Basha, padyshim. Në fund të fundit, kjo është një përvojë që e has edhe gjetiu.

Në Kanada kemi një kryeministër si Justin Trudeau, i datëlindjes 1971, krahasuar me 1979-n të Erion Veliajt. Në Londër p.sh, Boris Johnson, kryetari aktual i bashkisë, pritet të jetë njeriu më i rëndësishëm i konservatorëve, kur Cameron nuk do të konkurrojë më për kryeministër, si kryetar i Partisë Konservatore në 2020.

Andaj, nëse ka konkurrim të drejtë dhe të ndershëm mbi bazë platformash dhe idesh, që Erion Veliaj ka treguar se është disa hapa të tjerëve në kësi rastesh, do ta kuptoja sikletin e një pozicionimi parapritës të artikuluar nga Fino, që kurrë nuk do të besoja se po përdoret si delfin nga dikush tjetër. Dhe ky dikush tjetër, nuk mendoj kurrën e kurrës se mund të jetë Rama, pasi Fino nuk është Kokëdhima, me sa di unë. Keqardhja vjen nga fakti se Fino vetë, ka qenë kryetar bashkie dhe Kryeministër, dhe në një moshë mjaft të re.

E ndërsa Fino ka të drejtë në kufizimin e mandatit të kryetarëve të bashkive në dy të tillë, sanksionimi i mosqenies kryetar bashkie ose lënies së këtij posti, nëse bëhesh kryetar i një partie parlamentare dhe meqë përmendet Veliaj, i bie një partie që ka shanse më shumë se të gjitha të tjerat për të qeverisur Shqipërinë, bashkë me PD-në ose edhe LSI-në, pra, ky sanksionim u heq mundësinë të tjerëve, duke i paragjykuar të jenë edhe kryeministra të vendit, si dikur vetë Fino, pa kaluar nga shtegu i kryetarit, e që e paragjykuan shumë në atë botë, por që me meritë, arriti t’i zhgënjejë skeptikët e vet, siç po zhgënjen vetë Fino, sot ata që ishin mbështetës të tij “në kohën e kolerës” shqiptare.

One comment

  1. Nuk po mund te lexoj. Fjali nje kilometer te gjata,pa kuptim, ku keni mesuar te shkruani shqip. Eshte per te ardhur keq,kush lejon shkrime te tilla ne gazete.

Leave a Reply

Your email address will not be published.