Te ndryshme

Rindërtimi i Alepos dhe “lufta” për shpëtimin e tij nga “dubaizimi”

Ndërsa në Siri ende bien bomba, pushtetarët po përpiqen t’ua shesin pjesët e rrënuara të rrugëve investitorëve të huaj. Kështu së fundmi, e përditshmja gjermane, “Die Welt”, shkruante se investitorët gjermanë po planifikojnë rindërtimin “ndryshe” të qytetit.

Shumëkush, profesor Mamoun Fansa e mban për të çmendur. Arkeologu siriano-gjerman e ka origjinën nga Alepo, e për një kohë të gjatë ka qenë drejtor muzeu në Gjermaninë Veriore. Ai vijon të kujdeset e shqetësohet për vendlindjen e vet, ndërsa shumë kolegë të tij tundin kokën.

“Ndoshta unë jam naiv, por nuk më zë vendi vend”, thotë ai ndërsa gërmon në bibliotekën e tij në një rrugë të Berlinit për harta të vjetra qytetesh, letra e projekte të detajuara, të cilat i ka hartuar dikur. “Shumë nuk duan të kuptojnë se ai do të bëjë diçka për Alepon, megjithëse atje dëgjohen ende të shtëna. Ata janë mësuar të flasin gjithnjë për plane. Por unë nuk kam ndonjë plan”.

Para një viti e gjysmë, Fansa prezantoi një libër që bëri xhiron e botës: “Alepo. Një luftë që po shkatërron trashëgiminë kulturore botërore”. Nga trashëgimia e UNESCO-s, një titull të cilin Alepo e mban qysh nga viti 1986, sigurisht se nuk ka mbetur shumë. Xhami të prishura, minare të rrëzuara, çati shtëpish të ndara më gjysmë e mure të shpuara nga plumbat e predhat, në të cilat njerëzit tashmë duket sikur janë alpinistë që ngjiten këmbë e duar nëpër rrënoja.

25.000 civilë kanë vdekur nga luftimet në Alepo. Fotografitë tregojnë se çfarë ka lënë pas lufta mes Shtetit Islamik, Ushtrisë së Lirë Siriane dhe trupave besnike të Presidentit Asad brenda tre vjetëve. Pesëdhjetë për qind e banorëve tashmë kanë marrë arratinë, tetëdhjetë për qind e substancës ndërtimore në qytet, po ashtu është shkatërruar. Një lagje xhamish, e ndër to edhe ajo me famë botërore “Omaxhaden”, tashmë nuk janë gjë tjetër vetëm se rrënoja dhe hi, sikurse dhe shumë shkolla dhe spitale.

Mirëpo kjo nuk e ka ndalur grupin e ekspertëve nga Berlini të mendojë e planifikojë rindërtimin e metropolit me 2 milionë e gjysmë banorë. “Nëse nuk ndodh asgjë, atëherë do ketë sërish luftë” – thotë lajtmotivi i iniciativës. Planifikues urbanë gjermanë dhe arkitektë kanë kërkuar e studiuar 17 vjet në Siri – deri në minutën e fundit para se të niste lufta.

“Ne nuk mund të rrimë e të shohim në pritje të rinisë lufta”, thotë Hilmar fon Lojevski, anëtare e Këshillit gjerman të Qyteteve dhe dikur punonjëse e ndihmave në administratën e Alepos. “Nëse do të kishim një marrëveshje paqeje, investitorët e para së gjithash, ata nga Arabia Saudite dhe regjimi i korruptuar sirian, do të hidheshin me turravrap mbi qytetin e do të kujdeseshin që Alepo ta humbiste faqen e tij”. Atë e kërcënon, sipas Lojevskit, “dubaizimi” i metropolit 5000-vjeçar, që u përket vendbanimeve më të moçme të urbanizuara në botë.

Arkitektja dhe planifikuesja urbane, Anette Gangler, qysh nga vitet ’90 ka punuar në Alepo në hipotekën e qytetit. “Në fillim lufta dukej larg, diku në Homs apo Hama. Nuk e kisha menduar kurrë se ajo do vinte deri në Alepo”, thotë ajo. Në fillim duhet të ndërtojmë një ndërgjegje te sirianët për vlerën e trashëgimisë së tyre kulturore – dhe mos e merrni si të mirëqenë, sepse nocioni në fjalë ka më shumë konotacion perëndimor për ta.

“Synimi ynë ishte të nxisnim turizmin dhe nëpërmjet tij, të kontribuonim në rigjallërimin e qendrës historike të qytetit.” Nga viti 1994 deri në 2011, planifikuesit urbanë gjermanë kanë punuar në Alepo, ku studiuan kushtet e jetesës dhe morën kontakt të ngushtë me popullsinë. 20 milionë euro i kushtoi kjo qeverisë gjermane.

Bashkë me fondacionin “Aga-Khan” dhe Shoqërinë Gjermane të Bashkëpunimit Teknik, ia nisëm rindërtimit të qytetit të vjetër, të cilin shtresa e pasur e popullsisë, tashmë e kishte braktisur. Kjo punë u zhvlerësua përgjatë pak javëve, pasi trupat e Asadit zhvilluan luftime kudër popullsisë së vet – me mortaja, bomba, tanke dhe nga ajri. Lagje të tëra e banesa u shkatërruan me bomba avionësh – ku përfshiheshin, jo vetëm objektivat ushtarake, por edhe pikat e njohura civile të qytetit. Areale historike, të cilat dukeshin tërheqëse në aspektin e planifikimit urban, u bënë njësh me tokën. Me shumë nxitim, qeveria në Damask ka ngritur një “Ministri për Rindërtimin”– pasi është një mall i mirë për t’u shitur jashtë për imazhin e shkatërruar të vendit ku lufta ende vazhdon. Por u shkatërruan gjithashtu edhe zonat me “banesat informale”, në të cilat natyrisht se banonte popullsia më e varfër e qytetit, pasi ata kishin qenë gjithnjë një halë në sy për Asadin.

Mirëpo, puna nuk përfundon me kaq. Tani pasi ISIS është larguar, Asad nuk po lejon kthimin e qytetarëve në Alepo. Po bëhen zhdukje të dokumenteve kadatsrale, hipotekore e arkivore, po u vështirësohet investimi pronarëve e të interesuarve. E prej kësaj, thuhet se ka përfitim njeriu më i pasur i Sirisë, kunati i Presidentit Asad, një multimiliarder që menaxhon një pjesë të madhe të ekonomisë vendase.

Por duket se urbanistët gjermanë kanë bërë një punë të lavdërueshme, pasi me kohë kishin nisur procesin e dixhitalizimit të hartave urbane, duke shfrytëzuar punën në arkivën e qytetit dhe në hipotekë. E tashmë, të dhënat mund të gjenden edhe online e të shfrytëzohen për investitorët. Hilmar fon Lojevski, për këtë arsye kërkon tashmë një moratorium për kohën pas vendimit të paqes. Si fillim, duhet të aplikohet një ndalim ndërtimesh – që të mos kemi një xhungël projektesh agresive. “Këtë e kemi edhe nga eksperienca jonë në Gjermaninë e Pasluftës. Ne në thelb humbëm shumë në substancën ndërtimore, e ndoshta po aq sa edhe nga vetë lufta”, thotë ajo.

Alepo, thonë ekspertët në Berlin, nuk duhet të bëhet Bejruti i ri. Deri sa nisi lufta civile në Liban, ai ishte “Parisi i Lindjes”, një qendër plot shkëlqim në botën arabe. Por rindërtimi solli një masakër urbane e arkitektonike. Banesa luksoze dhe rrjete të mëdha shitjesh, u instaluan në qendër të qytetit, e kjo kushtoi nga ana tjetër shkatërrimin e më shumë se 200 shtëpive historike dhe zhvendosjen e popullsisë së atjeshme. Një fat i tillë e pret edhe Alepon, nëse do t’i anashkalojmë këto eksperienca. Sidoqoftë, përtej kësaj, mendimi i profesorit Mamoun Fansa, është se shkatërrimet kulturore në Lindjen e Mesme, nga Alepo deri në Palmira e Nimrud, mbartin me vete një mesazh të qartë: “Një popull pa kulturë, është e lehtë ta robërosh”. Për këtë arsye, ata që e kanë këtë qëllim po përdorin si Shtetin Islamik, ashtu dhe regjimin e Asadit.

Përgatiti: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button