Te ndryshme

Damasku, jeta e sirianëve që vendosën të mos iknin

Historitë e sirianëve që po çajnë rrugën për në Europë teksa i largohen luftës kanë marrë shumë vëmendje nga ana e medias, por çfarë mund të themi për ata që kanë mbetur pas? Jeta e përditshme, por jo e zakontë e sirianëve

Teksa vështroja valën e sirianëve që i largoheshin vendit në kërkim të sigurisë në Europë, nxitja që të kthehesha në vendin tim të humbur shtohej. Kam jetuar dy vitet e fundit në Londër dhe tani vendosa të vija në Bejrut për të qenë më pranë shtëpisë.

Nuk isha kthyer në Damask që prej një viti dhe duhej ta rivizitoja qytetin që njihja. Qindra mijëra banorë të qytetit ishin larguar dhe kështu Damasku, metropoli më i vjetër i banuar vazhdimisht në botë, tani është gjysmë i braktisur.

Shumica e njerëzve që njoh janë larguar – disa për të gjetur siguri, të tjerë kanë vdekur dhe disa janë në burg. Klasa e mesme e arsimuar, që nuk mund të vazhdonte më përditshmërinë, mori detin për të arritur në Europë.

Disa të rinj që qëndruan pas fshihen brenda në shtëpi, të frikësuar nga rekrutimi i detyruar në ushtri dhe gratë po punojnë shumë për të fituar bukën e gojës. Njerëzit që qëndruan janë të rraskapitur, por thjesht nuk duan të bëhen refugjatë. Ata preferojnë të rezistojnë sa më shumë të munden.

Është një situatë e çuditshme.

Vlera e paundit sirian ka rënë kundrejt dollarit dhe çmimet janë rritur. Ata që dikur fitonin rreth 500 dollarë në muaj, mjaftueshëm për një jetë të mirë, tani shohin se rrogat e tyre vlejnë vetëm 50 dollarë – me të cilat nuk kalon dot as javën.

Por pazari i vjetër dhe tregu i erëzave ende është i mbushur me njerëz që enden, duke shijuar ndërveprimin me pjesën historike të Damaskut. Dyqani i njohur i akullores Baghdashi, në mes të tregut Hamideh, nuk ka pak klientë.

Në xhaminë Umayyad, burra, gra dhe fëmijë shijojnë rrezet e diellit dhe pamjen e zogjve që fluturojnë mbi minare. Kur ua dëgjon këngën kupton se ata janë nga e gjithë Siria, nga vende ku njerëzit e zhvendosur janë larguar.

Rrugicat e tregut të erëzave janë veçanërisht të qeta. Pronarët e dyqaneve antike kishin dikur një rrjedhë të vazhdueshme parash nga turistët. Tani koleksionet e tyre të çmuara i ka mbuluar pluhuri dhe presin për ditën kur biznesi të ngrihet sërish në këmbë.

Por në zonat më të pasura të Damaskut, më shumë restorante janë hapur – ka kafene të reja, madje edhe bare të reja, disa me karaoke gjatë mbrëmjeve. Pista e tyre e vallëzimit nxehet kur DJ luan këngë në nder të Presidentit Bashar al-Assad apo aleatit të tij, liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, forcat e të cilit kanë ndihmuar ato të Assad-it. Gjatë këtyre këngëve, disa njerëz qëndrojnë të ulur dhe konsumojnë me qetësi pijet e tyre.

I pëshpërit një personi që kam afër: “që kur është bërë kjo muzikë e zakonshme?” Ajo pi pak nga vera që ka dhe thotë se është një akt besnikërie, që mund të të ofrojë mbrojtje nga regjimi.

Më pas DJ vë një këngë me një mesazh tjetër “I Will Survive” (Do të mbijetoj) – dhe kushdo fillon të kërcejë. Këta janë të mbijetuarit e luftës, ose të paktën ata që ia dolën t’i shpëtojnë dëmit, duke i mbajtur kokat ulur, duke shmangur politikën apo duke qëndruar pranë qeverisë – i dinin pasojat nëse do t’i ktheheshin kundër Assad-it.

Gjëmimet e luftës dëgjohen më pak në qendër të qytetit këto ditë dhe është bërë më e lehtë të lëvizësh përreth pasi disa pika kontrolli janë hequr. Por në periferi të Barzeh-ut, dikur një bastion i demonstratave të hershme anti-Assad dhe fushë e luftimeve të rënda, pamja është si e një qyteti fantazmë.

Shumica e ndërtesave janë të rrënuara, megjithëse disa rebelë ende jetojnë aty. Një armëpushim lejoi disa familje të zhvendoseshin dhe kështu Nada, një aktiviste që e njoh prej shumë kohësh, ia doli të shkojë në Turqi, ndërsa e ëma mbeti pas duke qepur me shtiza për të fituar bukën e gojës.

Familja e një tjetër kontakti të vjetër, Lailas, bën vizita të përditshme në gjykatë me shpresën se ajo do të lirohet. Ajo është akuzuar për akte terrorizmi, thjesht sepse ndihmoi fëmijët në Ghoutën Lindore.

Ia dal të vizitoj qytetin-fushëbetejë të Talit, ku kam rrënjët, 20 minuta me makinë nga qendra e Damaskut. Shumë njerëz në Tal u revoltuan ndaj qeverisë – ka pasur luftë dhe bombardime këtu, kurse  tani ka një lloj armëpushimi.

Familjet i kanë rindërtuar shtëpitë dhe e kanë riparuar dëmin. Dikur me 100,000 banorë, Tali tani ka një milion banorë, kryesisht familje të zhvendosura nga zonat e tjera të shtetit.

Komuniteti vendas i ka mirëpritur. Nuk ka asnjë shtëpi bosh dhe familjet kanë një vend për të jetuar. Askush nuk shkon në gjumë i uritur. Dhe nuk ka asnjë të armatosur përreth.

Pyes një banore se çfarë i mban këtu. “Ku të shkojmë?” thotë ajo. “Do të vdesim një ditë, më mirë të vdesim në shtëpi sesa në ekzil”.

*Burimi: Lina Sinjab/BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button