Kronika

Llalla në Bruksel, në vemendje “Frroku”, “Balili”, madje edhe abuzimi me fondet e BE

Lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe terrorizmit ishin temat kryesore të takimit të prokurorit të përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla me Frederic Van Leeuw, Prokuror Federal i Belgjikës, gjatë vizitës që zoti Llalla po zhvillon në Bruksel. Por në vemendje ishin edhe “Çështja Frroku”, “Çështja Balili”, korrupsioni në nivele të larta në Shqipëri, madje edhe abuzimi me fondet e BE.

Pas takimit, Arta Tozaj e RTSH zhvilloi me ta një bisedë. Fillimisht ajo pyeti Frederic Van Leeuw, Prokuror Federal i Belgjikës, se cila ishte tema e bisedimeve.

Frederic Van Leeuw, Prokuror Federal i Belgjikës: “Folëm shumë për terrorizmin sepse për fat të keq, Belgjika ka një përvojë të sigurtë për këtë dhe evoluimin, çfarë përbën një problem të përbashkët, pasi nuk njeh kufij; sikundër dhe për problemin e trafikut të lëndëve narkotike, mbjellja e canabis dhe luftrat mes grupeve të ndryshme, që prekin Shqipërinë për momentin, por dhe ndikimet, që mund të sjellin këto për Europën  Perëndimore, tek ne, Italia, apo vende të tjera. Prandaj është me rëndësi që të shkëmbejmë të dhëna e të bisedojmë mbi këto gjëra”.

RTSH- Po përsa i takon kriminalitetit, si paraqitet situata me shqipëtarët?

Frederic Van Leeuw, Prokuror Federal i Belgjikës: “Sigurisht që kemi dosje të përbashkëta, pasi ka një popullsi me origjinë shqipëtare që jeton këtu prej shumë kohësh dhe qëllimi ynë është për të gjetur mënyrën më efikase të shkëmbimit të të dhënave dhe kemi një protokoll me prokurorin e përgjithshëm, që mundëson të njëjtat dobi dhe për të punuar me efikasitet, është i rëndësishëm kontakti mes prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndryshëm, që merren me dosje të veçanta.  Në këtë mënyrë, ne kemi mundur të avancojmë me shumë shpejtësi dosjet belge, duke ekzekutuar urdhër-arreste, apo thirrje për seancat hetimore. Njësoj funksionon dhe për palën tjetër, me dosjen “Frroku” për shembull, ne biseduam se ku do të ishte vendi më i mirë i gjykimit për fajësimin mbi faktet e këtij personi”.

RTSH: …dhe vendosët për në Shqipëri? A keni të reja ?

Frederic Van Leeuw, Prokuror Federal i Belgjikës: U vendos kështu dhe për momentin nuk mund të flas pasi çështja vijon ende dhe procesi nuk mbahet në media, por para gjykatave, qofshin në Belgjikë, apo në Shqipëri. Por, raste të tilla diskutimesh mes prokurorëve janë të nevojshme për të përcaktuar vendin se ku do të bëhet drejtësia.”

Përveç rastit “Frroku”, kryeprokurori shqiptar Adriatik Llalla veçon dhe dosjen “Balili”,  për të cilin autoritetet belge sinjalizuan Tiranën, gjatë 2015. Kjo çështje u ngrit në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë: “Me prokurorinë belge, ne kemi shumë raste të hetimit, kryesisht për trafikimin e lëndëve narkotike, për shfrytëzimin e prostitucionit, organizatat kriminale e çështje të tjera. Rastet e bashkëpunimit më të frytshëm është së pari, ai i njohur si çështja “Frroku”, ende në proces gjykimi momentalisht. Ish deputeti Frroku është në përfundim të procesit të gjykimit dhe pritet dhënia e vendimit nga ana e gjykatës. Por, çështja e ditës që diskutohet sot në Shqipëri është çështja “Balili”, hetimi për të cilin ka nisur nga prokuroria belge dhe ne vijojmë hetimet në Tiranë.

Natyrisht, lufta kundër korrupsionit ishte ndër temat kryesore gjatë të gjitha takimet e zhvilluara në Bruksel.

RTSH: Çfarë po ndodh me dosjet e korrupsionit në nivel të lartë dhe kur pritet që prokuroria të finalizojë këto dosje?

Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë: “Çdo gjë është në varësi të rezultateve të hetimit. Prokuroria do të konkludojë në bazë të provave që do të mblidhen në fund të hetimeve. Kemi mjaft raste të kësaj natyre që janë në proces hetimi, si nga prokuroria e përgjithshme, prokuroria e krimeve të rënda për zyrtarët që janë kompetencë e kësaj prokurorie, dhe në rezultatet përfundmtare të hetimit do të vlerësohet përgjegjësia e zyrtarëve që janë nën hetim “.

RTSH: Meqënëse ju u takuat me drejtorin e OLAF, a keni ndonjë dosje të përbashkët hetimi përsa i takon abuzimit të fondeve të BE-së në Shqipëri?

Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë: OLAF është një ndër strukturat më të rëndësishme të Bashkimit Europian për hetimin e veprave penale të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të vetë Bashkimit Europian. Përvoja e tyre është një përvojë, të cilën ne duam ta sjellim në Shqipëri. Gjetëm mbështetje tek zyra e OLAF për të vazhduar kontaktet në vijim, për të ardhur ata në Shqipëri dhe për të parë mënyrën se si mund të organizojmë një zyrë të tillë në prokurorinë shqipëtare.

RTSH: A mund të nis një hetim psh. mbi abuzimin e fondeve të BE-së të përdorura për reformën në drejtësi, apo në rastin e diskutueshëm të vilës së ambasadores Vllahutin?

Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë: Ajo është kompetencë vetëm e kësaj zyre të BE-së për të hetuar zyrtarët e vet mbi mënyrën se si i përdorin këto fonde.

Mardhënia e ashpërsuar, së fundmi, midis zoti Llalla me ambasadorin amerikan në Tiranë Lu, nuk është përmendur gjatë takimeve në Bruksel. Ndërkaq mësohet se janë diskutuar aspekte të posaçme lidhur me zbatimin e ligjit të “për dekriminalizimin” në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button