Ekonomia

Intervistë/ Papajani: Informaliteti, risi bashkëpunimi me biznesin

Biznesi bashkëpunoi frytshëm me administratën tatimore në aksionin e ndërmarrë nga qeveria kundër informalitetit në ekonomi.

Artur Papajani, Drejtor i Shërbimeve për Tatimpaguesin në një intervistë për ATSH-në na njeh me rezultatet e këtij aksioni gjatë 2017-s, që në fakt ai e quan program, por edhe me masat që do të ndërmarrë kjo administratë për ato biznese të cilat nuk iu përgjigjen thirrjes së administratës tatimore për të hyrë në binarët e ligjit.

“E veçantë e këtij programi, madje risi e tij, ka qenë bashkëpunimi me biznesin”, shprehet Papajani, duke shtuar se “ky është është tregues i rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit të bizneseve në të gjithë vendin për koston që biznesi informal ju shkakton bizneseve, konsumatorëve dhe ekonomisë në tërësi”.

Lidhur me hapat që do të ndiqen pas 1 janarit, Papajani thotë se administrata tatimore do të ushtrojë të drejtën e saj kundrejt tatimpaguesve të cilët kanë detyrime të papaguara tatimore, bartësit e të cilave përveç akumulimit në kohë të këtyre detyrimeve nuk përfituan nga mundësia shumë e mirë që ju dha ligji i faljeve, i cili përfundimisht e mbylli ciklin më 30 dhjetor 2017.

Në intervistën tonë, Papajani flet edhe për shërbimet e përmirësuara për tatimpaguesin. “Që nga 2017 reforma e deregulimit ka përfshirë 9 shërbime që jepeshin në sportelet e administratës tatimore. Kalimi i këtyre 9 shërbimeve në platformën qeveritare e-albania ka dhënë efekte të jashtëzakonshme duke i kursyer kohë tatimpaguesit e nga ana tjetër duke i dhënë më tepër frymëmarrje shërbimit ndaj tatimpaguesve për të zgjeruar fushën e veprimit”, thotë ai.

1-Aksioni kundër informalitetit, cilat janë rezultatet?

Ndryshe nga herët e tjera të programeve të ngjashme kundër informalitetit, theksi është vënë në rritjen e shkallës së edukimit e informimit të tatimpaguesve, shoqëruar me veprime të verifikimit në terren lidhur me nivelin e zbatueshmërisë së legjislacionit tatimor.

Përgjatë 12 javëve të nisjes së zbatimit të këtij programi, Shërbimi ndaj Tatimpaguesve ka asistuar ballë për ballë mbi 79 mijë tatimpagues, ndër të cilët 13 mijë janë kontaktuar nga ky shërbim për informimin e nxitjen për të përfituar nga ligji i faljeve, mbi 32 mijë për të nxitur vetëkorrigjimin, ndërsa më shumë se 13 mijë është numri i vizitave këshilluese të përfunduara në vendndodhjen e bizneseve.

Ndërkaq Qendra e Thirrjeve ka ofruar shërbim e asistencë në numrin e vënë në dispozicion për çdo problematikë dhe mbështetje ndaj çdo tatimpaguesi duke asistuar mbi 19 mijë telefonues si dhe përdorues të komunikimit elektronik Live Chat.

Në 3 muaj janë përfunduar mbi 18 mijë kontrolle (kontrolle nga zyra, vizita fiskale, apo verifikime në terren). Si rezultat i kontrolleve 1,641 tatimpagues kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore.
Ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku gjatë kësaj periudhe numri i tatimpaguesve që kanë reaguar pozitivisht është 3.410 dhe vlera është 2 miliard e 812 milionë lekë.

Për sa i takon zbatimit të ligjit të faljeve, ka vijuar procesi i fshirjes automatike të detyrimeve për periudhën përpara vitit 2010 dhe kompensimi me kredi, si për periudhën përpara vitit 2010 dhe atë 2011-2014, gjithashtu dhe fshirja e detyrimeve me kusht për periudhën 2011-2014 për ata tatimpagues që kanë paguar principalin, më shumë se 41 mijë tatimpagues kanë përfituar. Si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur është 19.7 miliardë lekë dhe përdorimi i kredisë për shlyerje të detyrimeve në nivel principali, është në vlerën 2.847 miliardë lekë.

Strukturat e zbatimit të drejtorisë së Hetimit Tatimor, kanë vijuar me verifikimet në territor, janë verifikuar 27.435 subjekte ku 19% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar. Janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë këtyre 12-të javëve mbi 1 mijë punonjës që janë gjetur të padeklaruar dhe janë bllokuar 568 subjekte të paregjistruar në organet tatimore apo për shkelje të tjera të parashikuara në legjislacion. Së fundi, janë regjistruar 5 472 biznese të reja.

2- A ka pasur bashkëpunim nga biznesi?

Tjetër e veçantë e këtij programi, madje risi e tij, ka qenë bashkëpunimi me biznesin. Hap konkret është organizimi i tryezave të dialogut me grupet e organizuara të biznesit ku konkretisht janë organizuar 86 takime në të gjithë territorin nga drejtoritë rajonale, përfshirë edhe takime të rëndësishme organizuar nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.Tryeza të tilla ishin ato me prodhuesit e industrisë ushqimore, operatorët e turizmit, fasonistët, biznese të ndërtimit etj.

Vlen për t’u theksuar që pavarësisht numrit të verifikimeve në terren, të cilat ndryshe nga më parë, u zbatuan edhe tek bizneset e mesme e të mëdha, në formën e vizitave fiskale, biznesi i është përgjigjur me një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi. Kjo vjen nga interesi në rritje i biznesit formal, për të mbyllur hapësirat e atij informal, që në fakt është tregues i rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit të bizneseve në të gjithë vendin për koston që biznesi informal ju shkakton bizneseve, konsumatorëve dhe ekonomisë në tërësi.

3- Nga vlerësimet në terren, cilat janë problematikat e hasura?

Janë problematika të cilat herë pas here hasen në mënyrë të përsëritur, siç janë ato të mos lëshimit të kuponit tatimor, mosdeklarim i të punësuarve, mbajtja e përgjegjësive tatimore kryesisht të TVSH-së, por edhe të Tatim Fitimit, artificialisht në një shkallë më të ulët se ajo reale, deklarime të pagave dukshëm nën ato reale e për rrjedhojë edhe sigurimi i punëmarrësve në kufijtë minimalë, mangësi në ruajtjen e dokumentacionit tatimor. Sidoqoftë në raport me dy vjet më parë ka një përmirësim të dukshëm të sjelljes së biznesit

4- Çdo të ndodhë në janar të 2018-s me bizneset që do të gjenden në shkelje të ligjit?

Përballë shkelësve të ligjit administrata tatimore kryen në çdo rast detyrën duke zbatuar drejtë dhe pa hezitim legjislacionin në fuqi. Vlen të theksojmë që administrata do të thellohet më tepër për rritjen e shkallës së informimit të tatimpaguesve për të nxitur përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.

Ndërkaq administrata tatimore do të ushtrojë të drejtën e saj kundrejt tatimpaguesve të cilët kanë detyrime të papaguara tatimore, bartësit e të cilave përveç akumulimit në kohë të këtyre detyrimeve nuk përfituan nga mundësia shumë e mirë që ju dha ligji i faljeve, i cili përfundimisht e mbyll ciklin më 31 Dhjetor 2017. Pra ndaj tyre do të ndiqen të gjitha hapat e parashikuara për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura.

5- Cilat janë shërbimet që do të përmirësohen për biznesin vitin që vjen?

Që nga ky vit reforma e deregulimit ka përfshirë 9 shërbime që jepeshin në sportelet e administratës tatimore, konkretisht: vërtetim për pagesën e kontributeve nga subjekti; për përgjegjësitë tatimore; për regjistrim të investitorit; për posedim mjeti; për pagesën e detyrimeve; për individ të paregjistruar; vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën); vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit, si dhe për pagesën e kontributeve për individin.

Kalimi i këtyre 9 shërbimeve në platformën qeveritare e-albania ka dhënë efekte të jashtëzakonshme duke i kursyer kohë tatimpaguesit e nga ana tjetër duke i dhënë më tepër frymëmarrje Shërbimit ndaj Tatimpaguesve për të zgjeruar fushën e veprimit. Shërbimi ndaj Tatimpaguesve do të angazhohet gjerësisht në rritjen e shkallës së informimit të tatimpaguesve. Parashikojmë që të rritet dukshëm numri i vizitave këshilluese në terren, kryesisht ndaj bizneseve të reja të cilat kanë më shumë nevojë të njihen me procedurat dhe legjislacionin tatimor.

Një set i plotë me fletëpalosje informuese të llojeve të ndryshme të detyrimeve tatimore apo çështjeve aplikative të procedurave tatimore do të jetë i disponueshëm që nga muaji Janar. Ky material i bollshëm informativ së pari do t’i drejtohet të gjithë bizneseve të vogla, që për shkak të kalimit të qarkullimit prej 2 milionë lekësh, në bazë viti kalendarik, do të marrin përgjegjësinë tatimore të TVSh-së, duke nisur nga 1 Prilli i vitit që vjen.

Kështu një fushatë kombëtare përgjatë 6 mujorit të parë të vitit do të përfshijë seminare të dendura trajnimi me të gjithë këto biznese me trajnues të përzgjedhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Për këtë qëllim një plan i detajuar komunikimi është miratuar e do të zbatohet, për herë të parë nga .

Njëkohësisht një fushë tjetër është ajo e rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj tatimpaguesve dhe ka të bëjë me përthithjen e mendimit të çdo tatimpaguesi, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo pas vizitave në sportel përmes anketimeve periodike përmes faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, lidhur me nivelin e cilësinë e shërbimit të përfituar çka do të na ndihmojë në vijim të identifikojmë nevojat e tatimpaguesve dhe përmirësojmë proceset për përmbushjen e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button