Rajoni

Gjermania, 40 mijë euro në mbështetje të shkëmbimit dhe dialogut mes Shqipërisë dhe Serbisë

Gjermania mbështet ngritjen e një qendre në mbështetje të shkëmbimit dhe dialogut mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Ambasada Gjermane në Tiranë njofton se Gjermania mbështet me një vlerë prej 40.000 euro një projekt të dy organizatave joqeveritare në Shqipëri dhe Serbi, i cili mendohet se do të mbështesë dialogun dhe shkëmbimin mes këtyre dy vendeve.

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) dhe Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Lëvizjes për Integrim (“Forum for International Relations of the European Movement Serbia (EMinS)“) në Serbi, synojnë që përmes ngritjes së një qendre të përbashkët dhe përmes aktiviteteve dhe projekteve që do të realizojë ajo, të kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve kandidate për anëtarësim në BE, Shqipërisë dhe Serbisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me Drejtorin e AIIS, Albert Rakipi, në Ambasadën Gjermane, ambasadori Hellmut Hoffmann deklaroi se, “e përshëndesim fort këtë iniciativë! Përafrimit i nevojitet shkëmbim! Është diçka e mirë që në kuadër të këtij projekti krahas dialogut politik mes përfaqësuesve shtetërorë të Shqipërisë dhe Serbisë të bashkohen gjithnjë e më shumë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve kulturore dhe arsimore”.

Projekti parashikon diskutime me të rinj, përfaqësues të biznesit, të kulturës dhe shkencës, krijimin e një forumi për shkëmbimet rreth temash kontroverse në sektorin e marrëdhënieve dypalëshe, ngritjen e Akademisë Evropiane të Rinisë („European Academy of Youth“) me të rinj shqiptarë dhe serbë, krijimin e një programi dypalësh disamujor praktikantësh, programe shkëmbimi për gazetarë të të dyja vendeve.

“Ky është një projekt strategjik dhe afatgjatë që i shërben procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Shqiperisë dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit”, tha Drejtori i AIIS Albert Rakipi dhe falënderoi Qeverinë Federale për mbështetjen.

Financimi i siguruar nga pala gjermane në vlerën e plot 40.000 eurove mundësohet nga fonde speciale, që Qeveria Federale i ka vënë në dispozicion të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore me qëllim garantimin e paqes në rajon. Përmes bashkëpunimit të organizatave joqeveritare shqiptare dhe serbe synohet të mbështetet procesi i afrimit dhe pajtimit mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë.

Programet e shkëmbimit për të rinjtë, të cilat do mund të ndihmojnë në eleminimin e pargjykimeve, përmirësimi i raportimit mediatik mbi vendin tjetër dhe krijimi i mundësive më të shumta për bashkëpunim të mëtejshëm janë avantazh jo vetëm për Shqipërinë dhe Serbinë, por i shërbejnë stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në tërësi.

Organizata joqeveritare “Albanian Institute for International Studies (AIIS)“ e krijuar në vitin 2003 në Tiranë angazhohet në përafrimin e Shqipërisë me strukturat euroatlantike. Fokusi kryesor i organizatës EMinS, themeluar në vitin 1992 në Serbi, janë projektet në nxitje të integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkani Perëndimor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button