Ekonomia

Marrëdhëniet energjetike SHBA-Shqipëri

aNë Tiranë një delegacion i Departamentit amerikan të Shtetit: E nevojshme rritja e sigurisë energjitike në Shqipëri dhe Rajon.

Në Shqipëri një delegacion nga Departamenti Amerikan i Shtetit u takua sot në Tiranë me ministrin e Energjitikës dhe Industrisë Damian Gjiknuri. Delegacioni amerikan kryesohej nga Alina L.Romanowski, koordinatore e ndihmës amerikane për Europën dhe Euroazinë dhe Christine Tefft, shefja e programit për Europën në të njëjtin department, ndërsa në bisedime ishte i pranishëm edhe drejtori i USAID-it në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga ministria e Enrgjitikës, zoti Gjiknuri “informoi delegacionin amerikan për reformat e ndërmarra në sektorin energjitik në Shqipëri. Masat e marra, kanë bërë të mundur që të rritet likuiditeti në sektor, të kryhen pagesat e prapambetura për prodhuesit privatë të energjisë dhe të fillojë një fazë investimesh aq shumë të nevojshme”. Ministri shqiptar tha se “po punohet intensivisht edhe në sektorin e gazit me synim diversifikimin e burimeve të energjisë”, ndërsa duke u ndalur te projekti i gazsjellësit TAP ai e cilësoi atë “si një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe rajonin”

Sipas njoftimit “nga zyrtarët amerikanë u theksua progresi i bërë në kuadër të reformave,  si dhe nevoja e rritjes së sigurisë energjitike në Shqipëri dhe rajon. Nga ana e tyre, u nënvizua nevoja e nxitjes së energjive të rinovueshme, veçanërisht atyre diellore. Ndërkohë ministri Gjiknuri theksoi nevojën “për rritje të pranisë së investimeve dhe asistencës amerikane në Shqipëri, për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe ekspertizës, duke konsoliduar eksperiencat e kaluara pozitive”, u shpreh ministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button