Opinion

Tragjedia e paralajmëruar, koha për të ndëshkuar skuthët on line

Nga Lutfi Dervishi

Një grua 41-vjeçare, nënë e 4 femijeve fëmijëve, ka rënë viktimë e bullizmit në Tiktok, ndërsa reagimi i parë i autoriteteve tregon se ngjarjet tragjike do të përsëriten.

Pasi duroi një kalvar njëvjeçar të ngacmimit/poshtërimit në tiktok, 41 vjeçarja vendosi t’i jap fund jetës.
Kalvari i saj nisi në dhjetor 2022 kohë që kërkoi mbrojtje në shtepinë e ligjit, duke raportuar në polici atë që po i bëhej në TikTok. Viktima nuk e dinte që autori/autorja i këtij makthi online banonte në Itali. Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo thënie sot tingëllon me shumë se ironike.
Epidemia e bullizmit kibernetik në TikTok nuk është një incident i izoluar dhe tragjedia është kronikë e një ngjarje të paralajmëruar.
Sot policia thotë se, kallëzimi i të ndjerës është përcjellë në prokurori. Ky reagim me shumë se sqarim është justifikim. Ministri i Brendshëm e sheh këtë ngjarje si dhunë ndaj vajzave dhe grave ndaj të cilëve nuk do të ketë justifikim!
Problemi nis në fakt tek gjuha që figurat publike, përdorin në publik, te hapësira në media që i jepet turli farësoj idioti/të marri dhe te “legjitimiteti” i anonimatit dhe gjuhës së urrejtjes on line.
Ngjarja e Durrësit hedh dritë mbi rreziqet që mbart sfera virtuale, ku cdokush mund të bjerë viktimë e sulmeve mizore, që çojnë dhe në tragjedi.
Mjaft të lexosh disa komente anonime on line për të kuptuar se deri në çfarë derexheje ka mbërritur diskursi publik dhe çfarë “normaliteti” ka fituar gjuha e urrejtes.
Në mungesë të një normaliteti në sferën publike, në mungesë të një normaliteti në Parlament, në mungesë të një normaliteti në TV, mjaft njerëz kërkojnë një lloj eskapizmi në rrjetet sociale dhe nga shiu bien në breshër, bien pre e agresorëve anonimë.
Ndërsa pasojat e bullizmit të pakontrolluar në internet, janë të qarta për të gjithë ka ardhur koha për të bërë diçka. Vajtimi on line nuk mjafton. Reagimi sa për t’ia hedhur edhe këtë radhë veç sa ngre pyetjen: kush e ka radhën?.
është koha që skuthët on line të marrin mesazhin se “anonimati” nuk do të jetë më mburojë/ leje për gjuetie. është koha që çdokush që bën poshtërsi on line të ndëshkohet
Në emër të “lirisë së fjalës” nuk mund t’i marrësh jetën tjetrit.
Media ka shumë për të bërë sidomos me tolerimin që i ka bërë anonimëve, prindërit kanë shumë për të bërë për të informuar fëmijët se çfarë ka pas fasadës magjepëse të rrjeteve sociale, shoqëria ka shumë për të bërë për të kuptuar ndikimin/peshën e fjalëve si në rrugë ashtu edhe në internet
Ligjëvënësit mund të bëjnë detyrën duke marrë angazhim konkret.
është koha që ata që shfaqen anonimë on line të kuptojnë se gjurmët digjitale janë të pashlyeshme dhe nuk janë aq të padukeshëm sa mendojnë.
Veprimi i shpejtë dhe i fortë kundër autorëve të ngacmimeve në internet, veçanërisht kur anonimati përdoret si mburojë, dërgon mesazhin e duhur: akte të tilla do të përballen me forcën e ligjit.
Humbja tragjike e jetës së 41 vjeçares është një kujtesë se lufta kundër anonimatit dhe komenteve denigruese në internet nuk është sfidë teknologjike, por kërkesë morale e kohës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button