Ekonomia

Procedura e re, si riaktivizohen tre kategoritë e bizneseve që kalojnë në pezullim

Personat e tatueshëm të kaluar në regjistrin pasiv, nëse do të rifillojnë aktivitetin ekonomik, në çdo kohë mund të kërkojnë të kalojnë në regjistrin aktiv.

Aktivizimi i tatimpaguesit dhe kalimi i tij nga regjistri i tatimpaguesve pasiv në regjistrin e tatimpaguesve aktivë bëhet me kërkesë të tatimpaguesit, por edhe nga administrata tatimore bazuar në të dhëna të konstatuara dhe informacione të administruara nga ana e saj. Një udhëzim i fundit i Ministrisë Financave qartëson procedurat e riaktivizimit të bizneseve të pezulluara sipas tre kategorive kryesore.

Në të gjitha rastet dhe për të gjitha kategoritë e tatimpaguesve, kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv (riaktivizimi) bëhet menjëherë, pa u kushtëzuar nga detyrimet tatimore të papaguara ose deklarata të padorëzuara të tatimpaguesit. Për detyrimet e papaguara ose deklaratat e padorëzuara zbatohen të gjitha procedurat dhe ndërmerren të gjitha hapat ligjore deri në përmbushjen e këtyre detyrimeve. Për tatimpaguesit që riaktivizohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si rezultat i heqjes dorë nga pezullimi i veprimtarisë, kalimi nga regjistri (statusi) pasiv në regjistrin (statusin) aktiv të administratës tatimore bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit në administratën tatimore do të jetë data e miratimit të aktivizimit në QKB. Përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur ky tatimpagues në datën kur ka kaluar në statusin pasiv.

Për tatimpaguesit që kërkojnë të riaktivizohen pranë DRT-ve, si rezultat i rifillimit të veprimtarisë/aktivitetit (këtu hyjnë të gjithë tatimpaguesit që janë aktivë në QKB dhe kanë kaluar në pasiv nga DRT-të si mosdeklarues apo deklarues pa aktivitet, si dhe gjithë tatimpaguesit që regjistrohen pranë administratës tatimore), aktivizimi do të bëhet menjëherë në sistem nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas procedurave të miratuara nga DPT-ja. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit do të jetë data e kërkesës për riaktivizim dhe përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur tatimpaguesi në datën kur ka kaluar në statusin pasiv.

Për tatimpaguesit që riaktivizohen nga administrata tatimore, në kushtet kur ai ka kryer shkelje tatimore, bazuar në të dhëna të konstatuara në vendin e biznesit apo informacione që administrohen nga ana e saj, aktivizimi do të bëhet menjëherë në sistem nga DRT-ja përkatëse sipas procedurave të miratuara nga DPT-ja. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit do të jetë data e konstatuar nga administrata tatimore. Përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur ky tatimpagues në datën kur ka kaluar në statusin pasiv. Për të gjitha rastet e aktivizimit, i dërgohet njoftim edhe tatimpaguesit. Gjatë periudhës që tatimpaguesi është në statusin/regjistrin pasiv atij nuk mund t’i shtohen apo t’i ndryshohen përgjegjësitë tatimore.

Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me dispozitat ligjore. Gjithashtu për çdo transaksion të kryer nga një tatimpagues blerës me një tatimpagues shitës që është në regjistrin pasiv, i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve në listën e tatimpaguesve pasiv, konsiderohet shkelje si për shitësin dhe për blerësin dhe ky i fundit është përgjegjës bashkë me furnizuesin (shitësin) për pagesën e TVSH-së.

Tatimpaguesi i cili aktivizohet duke hequr dorë nga pezullimi i veprimtarisë, në momentin që bëhet aktiv, administrata e heq nga lista e tatimpaguesve pasiv. Në listën e tatimpaguesve pasiv, evidentohen veçmas, edhe tatimpaguesit të cilët kanë pezulluar veprimtarinë (kanë kaluar në pasiv) në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pavarësisht se administrata tatimore nuk i ka kaluar ende në pasiv.”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button