Rajoni

Liderët kushtëzojnë huanë për Greqinë me masa shtesë kursimi

Huadhënësit ndërkombëtarë i kërkuan Greqisë të premten që të përgatisë një paketë masash shtesë kursimi, që nuk është e nevojshme që të kalohen si ligje, por të zbatohen vetëm nëse do të ishte e nevojshme, në mënyrë që të sigurohet që vendi të arrijë objektivat fiskalë për të cilat është rënë dakord.

Në momentin që do të bihet dakord për të vendosur këtë kontigjent reformash, së bashku me masat e tjera që tashmë janë në negocim, do të jetë e mundur që të disburohen huatë e reja për Athinën dhe të hapet rruga për lehtësimin e borxhit.

Ideja e planit rezervë të masave duket se i ka dhënë fund një debati të gjatë mes eurozonës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, lidhur me faktin nëse reformat aktuale të Greqisë janë të mjaftueshme.

“Ne arritëm në përfundimin se paketa e politikave duket të përfshijë masa rezervë, që do të zbatoheshin vetëm nëse do të ishte e nevojshme për të arritur objektivin e suficitit tregtar në vitin 2018,” tha shefi i ministrave të financave të eurozonës Jeroen Dijsselbloem, pas takimit të ministrave.

Masat rezervë duhet të jenë “të besueshme, të zgjidhura nga ana ligjore dhe të bazuara në faktorët objektivë.”Ministri grek i financave Euclid Tsakalotos tha se Athina nuk mund të legjitimonte “masa rezervë ” pasi ligjet greke nuk e mundësonin këtë.

Por Dijsselbloem tha se është e mundur të gjendet një zgjidhje. Paketa rezervë do të mund të sjellë kursime prej 2% të PBB-së, duke e çuar kursimin në total në 3% të PBB-së, së bashku me reformat që po negociohen aktualisht.

Masat aktuale përfshijnë reformat e pensioneve dhe të tatimit mbi të ardhurat, krijimin e një fondi privatizimi dhe një skemë që do të merret me huatë e këqija. Ndërsa përmbajtja e masave rezervë nuk është vendosur ende. Ministrat pritet të mblidhen sërish të martën për të pasur një diskutim serioz lidhur me lehtësimin e borxhit.

“Situata e likuiditetit po shtrëngohet, duhen bërë pagesa borxhi… ka rrezik që qeveria të grumbullojë sërish detyime të prapambetura të brendshme sërish,” tha kreu i eurozonës për fondet e shpëtimit, Klaus Regling.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button