Kronika

Avokati i Popullit rekomandim INUK për procesin e prishjes së banesave në Hudenisht

-Institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar sot pezullimin e çdo veprimi të mëtejshëm të INUK ndaj objekteve të banorëve të Hudenishtit, për të cilët nuk janë respektuar procedurat ligjore të njoftimit të akteve.

pogradecInstitucioni i Avokatit të Popullit, thekson se, “në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të shtetasve nga veprimet apo mosveprimet e organeve të administratës publike, në kuadër të një inspektimi të ndërmarrë me iniciativë në zonën e Hudenishtit, Pogradec, ku po zbatohet projekti i rehabilitimit të segmentit rrugor Lin-Pogradec, ka pranuar një sërë ankesash që janë paraqitur nga banorët që kanë ndërtuar objekte banimi dhe shërbimi në këtë zonë. Nga shqyrtimi i ankesave dhe dokumentacionit përkatës na rezulton se këta banorë janë të pajisur me dokumentacione të rregullta pronësie, ose kanë filluar procesin e legalizimit dhe janë në faza të ndryshme të zhvillimit të tij”.

“Shqetësimi i shprehur nga ana e ankuesve qëndron në faktin se sikurse janë vënë në dijeni, edhe nga media vizive dhe e shkruar, INUK ka filluar tashmë një aksion të gjerë në të gjithë segmentin rrugor të sipërcituar, për prishjen e objekteve të ndërtuara prej vitesh dhe të pajisur me dokumentacione të rregullta pronësie, ku ndër të tjera përfshihen dhe objektet e ndërtuara nga subjektet që janë ankuar pranë Institucionit tonë. Në analizë të të gjithë problematikës së lartpërmendur, dhe që mbetet si çështje e verifikimit konkret dhe të menjëhershëm nga ana e INUK, konstatohet se vendimet administrative kanë si kërkesë parësore proceduriale vendimmarrjen paraprake dhe shprehjen konkrete me vendim përfundimtar nga ana e INUK për ndërhyrjen ndaj objekteve të prekur nga rehabilitimi i segmetit rrugor”, thekson AP.

INUK, vijon AP, “duhet të respektojë procedurat për vënien në dispozicion të akteve apo vendimeve për prishje të objekteve, të prekura nga rehabilitimi i segmentit rrugor Lin-Pogradec dhe që do t’i nënshtrohen prishjes, në zbatim të projektit publik. Siç ka rezultuar nga ankesat dhe shqetësimet e banorëve të Hudenishtit, ndërhyrjet ndaj objekteve të tyre do të ndërmerren vetëm mbi bazën e njoftimeve verbale të kryera nga inspektorët e degës së INUK Korçë”.

Aksioni i INUK ne Hudenisht
Aksioni i INUK ne Hudenisht

Kështu, thekson AP, “në nenin 14 të Ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar, parashikohet shprehimisht se; “Kundër vendimit të Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik të Bashkisë/ Komunës/Qarkut/Kombëtar për marrjen e masave urgjente dhe dhënien e sanksioneve administrative mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin. Në rast se në bazë të vendimit përfundimtar të formës së prerë të gjykatës, vendoset pranimi i padisë, i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i Bashkisë/Komunës/Qarkut/Kombëtar që ka dhënë vendimin, dëmshpërblimin për dëmin e shkaktuar”.

“Çdo individ ka të drejtë të njihet paraprakisht me aktet e dala në përfundim të një procedimi administrativ, dhe në rastin konkret, të njoftohet me vendimin e INUK për prishjen e objektit, duke i  lënë atij në dispozicion një afat prej 5 ditësh me qëllim që ai të mund të ushtrojë tagrat e tij, të garantuara dhe parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi”, thekson AP.

Avokati i Popullit thekson rëndësinë e respektimit të procedurave të njoftimit për vendimmarrjen e INUK kundrejt subjekteve që preken, me qëllim që të ushtrojnë të drejtën për të ankimuar këto vendime në gjykatë, parashikuar dhe garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Sa më lart, AP shprehet se, “jemi në shkelje të një parimi thelbësor për një shtet të së drejtës, siç është parimi për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, pasi ankuesve ende nuk u është vënë në dispozicion një akt administrativ që do të mund të shprehej mbi objektet e tyre informale, duke iu mohuar të drejtën e njoftimit dhe ushtrimit të një mjeti efektiv të ankimimit, qoftë dhe të vendimit të marrë nga INUK për prishjen e këtyre objekteve”.

“Situata paraqitet edhe më e rëndë dhe me pasoja të pariparueshme për ato familje, të cilave u cënohet banesa e tyre gjatë zbatimit të projekteve të tilla madhore, por që nuk kanë asnjë dijeni për ecurinë e procedurave administrative brenda një afati të arsyeshëm”, thekson AP.

Aksioni i INUK ne Hudenisht
Aksioni i INUK ne Hudenisht

Në këto kushte, vijon AP, “nisur nga sensibiliteti i çështjes dhe problematika që parashtron stina e ftohtë dhe e lagësht gjatë së cilës po kryhet aksioni i INUK, Avokati i Popullit gjykon se nga ana e INUK nuk janë zbatuar dhe respektuar detyrimet që burojnë nga kuadri ligjor që rregullon veprimtarinë e këtij organi të administratës publike”.

Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit, paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që, sipas tij, ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive.

AP rekomandon pezullimin e çdo veprimi të mëtejshëm ndaj objekteve të banorëve të Hudenishtit, për të cilin nuk janë respektuar procedurat ligjore të njoftimit të akteve, në përputhje me përcaktimin e bërë në paragrafin e dytë, të nenit 21, të ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, ku thuhet se; “Paraqitja e rekomandimit pezullon aktet ose veprimet e paligjshme, apo të parregullta deri në shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe dhënien e përgjigjes Avokatit të Popullit”.

Si edhe marrjen e masave administrative për vënien në dispozicion të akteve që lidhen me procesin e prishjes së objekteve të banorëve në zonën e Hudenishtit, me qëllim garantimin e të drejtës së ankimimit në organet gjyqësore.

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka rinisur dje operacionin për prishjen e një sërë ndërtimesh në zonën turistike të komunës Hudënisht, përgjatë vijës liqenore Lin-Pogradec.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button