Ekonomia

22 vende diskutojnë në Tiranë përmirësimin e kapaciteteve

Konferenca treditore “Menaxhimi i likuiditetit dhe kontrolli i Thesarit” nisi sot punimet në Tiranë, i organizuar nga Ministria e Financave, përgjegjëse për reformat në sistemin e menaxhimit financiar publik, në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Konferenca mbahet në kuadrin e axhendës së komunitetit operacional të Thesarit për menaxhimin e shpenzimeve publike nëpërmjet të mësuarit nga eksperienca e kolegëve.

TCOP-PEMPAL-i përfaqëson një përpjekje shumëpalëshe për të përmirësuar kapacitetet e brendshme në menaxhimin e shpenzimeve dhe për të shkëmbyer eksperiencat në reformat për modernizimin e financave publike në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe të Azisë Qendrore.

Sistemi shqiptar ka bërë përmirësime të mëdha pozitive me anë të reformave për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, ndërsa është miratuar edhe strategjia 2014-2020 e menaxhimit të financave publike. Strategjia është përshtatur për krijimin e një kuadri makro-fiskal të kujdesshëm, duke përmirësuar parashikimet makroekonomike, kontrollin e angazhimeve shumëvjeçare, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe rritjen e transparencës së raportimit financiar.

Strategjia, sikundër është bërë e njohur, ka për qëllim të vendosë një kontroll të brendshëm dhe praktikat më të mira të menaxhimit financiar, parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit në menaxhimin e fondeve.

Përvoja e fituar nga ekspertët e Ministrisë së Financave të Shqipërisë (të politikës fiskale, buxhetit, thesarit, borxhit dhe kontrollit) nga pjesëmarrja në seminaret e TCOP-PEMPAL-it përbën një kontribut thelbësor në zbatimin e reformave të ndërmarra.

Në këtë seminar marrin pjesë anëtarë të komunitetit të Thesarit (TCOP), që në këtë mbledhje plenare në Tiranë, do të shkëmbejnë përvojat në zhvillimin e praktikave të menaxhimit të parave, duke aplikuar elementet kyçe të kontrollit të thesarit. Takimi i Tiranës vjen në traditën e takimeve të TCOP. Takimi do të bëjë një pasqyrë të sistemit të menaxhimit të financave publike (MFP) rolit dhe funksioneve të thesarit për të 22 vendet e ftuara në këtë event. Të gjitha delegacionet e 22 vendeve pjesëmarrëse janë duke u fokusuar në çështjet ekzistuese në menaxhimin e parave dhe parashikimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button