Ekonomia

Program i përbashkët me Gjermaninë për bujqësinë! Krifca: Nis në janar, ndihmë për fermerët

Ministrta Krifca –Ozdemir: Gjermania shpreh angazhim për të mbështetur bujqësinë shqiptare

 Me ftesë të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, zhvilloi në vendin tone për një vizitë zyrtare  ministri gjerman i Bujqësisë dhe Ushqimit Cem Özdemir.

Të deklaratën për shtyp, të dy ministrat ndanë  lajmin se, nga janari në vendin tonë nis programi i përbashkët me Gjermaninë për zhvillimin e zonave rurale. Projekti gjerman, i mbështetur nga GIZ synon mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve.

“Jemi këtu për të çuar përpara një histori të shkëlqyer bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ai tashmë ka provuar që është një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin Federal të Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Özdemir.

Ministrja Krifca vuri në dukje se Gjermania është një partner kryesor për zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme.

“Vizita e Ministrit Özdemir, vjen pas konferencës së Procesit të Berlinit ndërmjet Bashkimit Europian dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u ritheksua edhe një herë nga Kancelari Olaf Scholz se pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian nuk është i plotë.

Gjermania është një partner kryesor për zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, produktive, me standarde të larta të cilësisë, mbrojtjes së ambientit dhe garantimit të sigurisë ushqimore”, tha ministrja.

Më tej ministrja, tha se pjesë e diskutimit ishte dhe zhvillimi i strategjisë kombëtare 7-vjeçare të bujqësisë.

“Diskutuam gjerësisht mbi të gjithë gamën e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë nga zhvillimi i strategjisë kombëtare 7-vjeçare të bujqësisë, deri tek zhvillimi i një programi të ri ndihme për zhvillimin bujqësor dhe zonave rurale e ndikim të drejtpërdrejtë tek fermerët, blegtorët dhe agropërpunuesit në vend, të cilin do të fillojmë ta zbatojmë prej muajit janar”, u shpreh Krifca.

Ministrja i shprehu mirënjohjen homologut gjerman për vëmendjen e veçantë të qeverisë së tij, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj rajonit, ku Gjermania, theksoi ministrja, mbështet fuqishëm grupin e përbashkët të punës për zhvillimin e zonave rurale në Evropën Juglindore, presidencën e të cilës këtë vit e ka mbajtur Shqipëria.

Ministri Cem Özdemir gjatë konferencës u shpreh se, “ky është udhëtimi i parë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Më lejoni t’ju them në emër të Gjermanisë se Shqipërinë duam ta kemi anëtare me të drejta të plota të BE-së. Vlerësojmë çka keni arritur në mandatin e Këshillit të Sigurimit. Ju jemi mirënjohës në pozicionin që ju mbani në dënimin e agresionit të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Kjo është me shumë rëndësi, për shkak se vendi juaj, BE dhe Gjermania, janë 100% dhe ndajnë të njëjtin qëndrim në politikën e jashtme dhe e bëjnë bashkëpunimin tonë në fushën e bujqësisë më të mirë”.

Ai theksoi se, “pjesë e bashkëpunimit tonë është që ne duhet të ndihmojmë fermerët tanë të përditësohen në këto kohë sfidash. Vendet tona ndajnë të njëjtat sfida, patëm pandeminë, aktualisht kemi krizën e klimës, etj., dhe të gjitha këto mund të trajtohen nëse bashkëpunojmë”.

Ai ndër të tjera vlerësoi edhe punën e zhvilluar nga Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca. “Ka qenë një ambasadoreshë për bujqësinë dhe interesat e fermerëve shqiptarë në Gjermani dhe Bashkimin Europianë. I lumtur të bashkëpunoj”, theksoi Özdemir.

Temë e diskutimeve mes dy ministrave ishte edhe rritja e shkëmbimit tregtar dhe investimeve të përbashkëta në fushën e bujqësisë. Vizita e Özdemir në Tiranë, vjen pas takimeve të mbajtura më parë në Gjermani, në kuadër të procesit të Berlinit.

Gjatë kësaj vizite ministri dhe ekipi i tij do të kenë një axhendë të ngjeshur në terren me fermerë, agropërpunues, shefa kuzhine dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button