Flamuri palestinez ngrihet në OKB
Është ngritur për herë të parë flamuri palestinez në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe 6 shteteve të tjera.
Por ajo çka ka zgjuar tension ishte deklarata e fundit e presidentit palestinez, Mahmud Abbas, i cili tha se nuk e sheh të arsyeshme që të respektojë marrëveshjen e Oslos. Kjo është ujdia e cila shërben si baza për zgjidhjen e konfliktit izraelito- palestinez. Abbas pretendon se Jerusalemi e ka shkelur jo vetëm marrëveshjen e Oslos por të gjitha paktet. Sipas Mahmud Abbas, nuk ka asnjë arsye që palestinezët te mbeten besnik ndaj tyre për sa kohë që izraelitët nuk janë.
Fjalimi i tij në Asamble është mbajtur në sfondin e një zhgënjimi në rritje në mesin e shumë palestinezëve për shkak të paralizës së negociatave për paqe me Izraelin, konfliktit më të zgjatur e ndërlikuar të Kombeve të Bashkuara që nga themelimi i tyre 70 vite më pare.
Popullariteti i Abbas ka rënë për këtë arsye, ndaj tre vitet e fundit vihet re edhe më shumë këmbëngulja e tij që ndërkombëtarët të njohin shtetin palestinez, si strategji për të rritur edhe presionin ndaj Izraelit. Por, duket se këto kërkesa nuk janë në fokusin e liderëve, të cilët janë kthyer nga konflikti sirian dhe mposhtja e ekstremizmit.
Megjithatë thuajse një muaj më parë, Asambleja e Përgjithshme votoi me shumicë dërrmuese duke lejuar flamurin palestinez të ngrihej në selinë e Kombeve të Bashkuara, një hap simbolik ky që nga ana tjetër zemëroi izraelitët, të cilët e quajtën atë “një gjest cinik që nuk ndihmon aspak për të çuar përpara procesin e paqes”.