Ekonomia

Siguria gjatë transportit të vlerave monetare

Nga Roland TASHI (Kryetar i Komitetit të Sigurisë në Shoqatën e Bankave)

 

Duhet theksuar se çështjet e sigurisë në vend kanë pasur vëmendjen e ligjvënësit dhe strukturave shtetërore ligjzbatuese, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë njerëzore dhe publike, garantimin e veprimtarive normale të bizneseve private, ku padyshim nevojën më të madhe për siguri e kanë bankat, të cilat vetëm me masat dhe strukturat e tyre të sigurisë nuk mund të krijojnë ishuj qetësie në qytetet, zonat e vendit ku ato zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Në këtë kuadër, prej muajit korrik 2014 e në vazhdim janë përgatitur dhe kanë hyrë në fuqi ligje dhe udhëzime të cilat kanë pasur qëllim rritjen e nivelit të sigurisë në sistemin bankar të vendit.

Bankat dhe institucionet e tjera financiare, shërbimet e sigurisë i “blejnë” nga Shoqëritë Private të Sigurisë Fizike (SHPSF) me të cilat kontraktojnë dhe bashkëpunojnë për sigurimin e njësive të biznesit, si dhe transportin dhe shoqërimin e vlerave monetare.

Është e nevojshme të evidentojmë se kur “produkti” i këtyre SHPSF-ve, në drejtim të sigurisë është cilësor, vetëm atëherë mund të kemi më shumë nivel dhe masa sigurie për transportin e vlerave monetare, më pak ngjarje, shqetësime dhe incidente.

Ligji i ri nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, SHPSF-ve, ligji i ri nr. 72/2014 “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, hyrë në fuqi në gusht 2014, udhëzimi i ministrit të Punëve të Brendshme, nr. 157, datë 1.04.2015, projektligji që po diskutohet “Për disa masa shtesë të sigurisë publike”, i cili do të ndikojë në rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe subjekteve publike dhe private, kanë qëllim rregullimin, disiplinimin e veprimtarisë që ushtrojnë SHPSF-të, funksionimin e tyre bazuar në standarde profesionale, standardizimin dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të armëve të zjarrit. Kuptohet se shpallja dhe zbatimi korrekt i këtyre ligjeve ndikon në formalizimin e shërbimeve të SHPSF-ve, rritjen e nivelit të rekrutimit dhe përgatitjes së punonjësve të sigurisë dhe, si pasojë, më shumë siguri dhe mbrojtje në banka.

Me gjithë bazën ligjore aktuale, viti 2015 ka pasur disa ngjarje jo të zakonshme, krimi ka vepruar ndaj automjeteve, grupeve të SHPSF-ve gjatë procesit që ato kryejnë për transportin e vlerave monetare në sistemin bankar dhe biznese të tjera private. Lidhur me këtë tendencë, duhet të vlerësojmë se për sigurinë është shumë i rëndësishëm dhe detyrues zbatimi i ligjeve dhe udhëzimeve, por për të rritur më tej nivelin e kësaj sigurie, me qëllim parandalimin e ngjarjeve, kërkohet një vëmendje e shtuar dhe punë e përbashkët e të gjithë aktorëve. “Zinxhiri i sigurisë”, ai që duhet të krijohet në banka dhe institucione financiare për të mbrojtur burimet njerëzore, vlerat monetare dhe zhvillimin e një veprimtarie normale, duhet të ketë të njëjtin nivel fortësie në të gjitha hallkat e tij, pasi mund të cenohet dhe goditet nga krimi pikërisht atje ku është hallka më e dobët.

Në rast se i referohemi procesit të transportit dhe shoqërimit të vlerave monetare, segmenti brenda “zinxhirit të sigurisë”, që kërkon kujdesin dhe vëmendjen kryesore, është përgatitja dhe nënshkrimi i aktmarrëveshjeve me SHPSF-të vetëm në zbatim të ligjit dhe udhëzimit të ministrit të Punëve të Brendshme, parashikimi dhe përcaktimi në aktmarrëveshje i të gjitha detajeve të nevojshme që mund të shfaqen dhe të rrezikojnë procesin e transportit të vlerave monetare.

Ngjarjet e vitit të kaluar tërheqin vëmendjen në disa drejtime kryesore:

Së pari, kontrolli që duhet ushtruar nga strukturat përkatëse ligjzbatuese ndaj SHPSF-ve që kryejnë këtë shërbim, për zbatimin korrekt të ligjeve dhe udhëzimeve në fuqi.

Këto kontrolle nuk duhet të mjaftohen vetëm me licencimin e tyre, sipas nënkategorive përkatëse, certifikimin e mjeteve të blinduara, etj., por duhet të vazhdojnë në mënyrë periodike gjatë gjithë kohës që këto subjekte vazhdojnë të shërbejnë për transportin e vlerave.

Së dyti, është e nevojshme që kuadri ligjor të plotësohet, përditësohet, përmirësohet me akte të tjera nënligjore, udhëzime të veçanta të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aktmarrëveshje të përbashkëta me Bankën e Shqipërisë, etj., duke analizuar, duke vlerësuar dhe duke parashikuar në këto dokumente tendencën që shfaq krimi në këtë fushë.

Urdhrat, udhëzimet si dhe praktika të tjera dokumentare, duhet të saktësojnë dhe kushtëzojnë mënyrën e ndërtimit të grupeve të shoqërimit të vlerave, mjetin e blinduar dhe mjetet shoqëruese, numrin e punonjësve të shërbimit dhe shpërndarjen e tyre në këto mjete në raport me sasinë e vlerave që transportohen, qarkullimin e tyre në itineraret urbane, interurbane dhe zonat me rrezik të lartë, mënyrën se kur mund të kontrollohen nga Policia e Shtetit, etj.

Përcaktimi i qartë i mënyrës së organizimit të mjeteve dhe grupeve të shoqërimit, mënyrës së lëvizjes së tyre, mënyrës së veprimit në një situatë emergjente, të shprehura qartë dhe kuptueshëm në udhëzimet e organeve kompetente, do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e nivelit të sigurisë gjatë këtij procesi.

Në rast se bizneset që përfitojnë shërbimin e shoqërimit të vlerave monetare, veprojnë të gjitha mbështetur dhe në zbatim të këtyre udhëzimeve, kjo do të ndikojë padyshim edhe në formalizmin dhe fuqizimin e SHPSF-ve që kryejnë këtë proces, plotësimin e flotave të tyre me mjete të blinduara dhe shoqëruese me karakteristika të larta të blindimit dhe manovrimit, rekrutimin e punonjësve të shërbimit me aftësi të mira për këtë shërbim.

Së treti, një faktor shumë i rëndësishëm, mbetet trajnimi i punonjësve të SHPSF-ve, që drejtojnë mjetet dhe janë pjesë e grupeve të shoqërimit. Këta punonjës duhet të përgatiten në trajnime të veçanta, duhet të informohen dhe të formohen në mënyrë periodike lidhur me skenarët dhe shqetësimet, me të cilat mund të ndeshen gjatë procesit. Punonjësit e sigurisë, gjatë kryerjes së shërbimit, duhet të kenë dijeni të plota si duhet veprojnë në raste emergjente, grabitje, në rastet e bllokimit të rrugëve, përmbytjes së tyre dhe zonave ku qarkullojnë, në rastet e grumbullimeve dhe tubimeve civile, në zonat urbane dhe jashtë tyre, mënyrën e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit, etj.

Trajnimi periodik teorik, i shoqëruar me veprime praktike, është një element shumë i rëndësishëm për rritjen e nivelit të sigurisë gjatë procesit të transportit dhe shoqërimit të vlerave monetare.

Marrë nga Gazeta Dita

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button