Politika

Qeveria i heq fondet Akademisë, Meta mban pezull “Kryetarin”

Edhe pse në projekt-buxhetin e vitit 2018 ishte parashikuar shuma prej 110.5 mln lekësh për institucionin e Akademisë së Shkencave, këtë të premte, Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka kërkuar që ky fond t’i kalojë Ministrisë së Arsimit, e cila më pas do ta vendosë në dispozicion të universiteteve për kërkim shkencor.

Burime nga qeveria thonë se kjo nuk do të thotë që ka një kërkesë për shkrirje të Akademisë së Shkencave, përkundrazi, sipas tyre ky institucion duhet të vijojë punën, por nuk do të financohet nga paratë e taksapaguesve, deri në reformimin e tij.

Duke u ndalur tek reformimi, kreu i grupit të punës Apollon Baçe thekson se janë ende në pritje të dekretimit të Gudar Beqirit nga Presidenti.

“Ne ngelemi në njëfarë gapi që quhet, sepse dikush duhet ta firmosë, se nuk jemi vetëm ne, por janë dhe të huaj që do të vijnë dhe atyre do t’u paguhen dietat dhe qëndrimi këtu tek ne. Në këto momente në Akademi, ai që ka qenë caktuar nënkryetar dha dorëheqjen, ai që është kryetar, akoma nuk është firmosur emërimi i tij nga Presidenti, kështu që ngelemi bosh dhe presim emërimin e kryetarit që të fillojë nga puna”, thota akademiku Baçe.

Por burime nga Presidenca thonë se kreu i shtetit nuk po vepron nëpërmjet dekretit për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshje mbi reformimin e këtij institucioni, reformim, i cili sipas të njëjtave burime kërkohet edhe nga ana e Presidentit.

Por, për Apollon Baçen, Presidenti ka vetëm rolin e arbitrit.

“Do të thotë që të bëhet kjo duhet të bëhet ristrukturimi dhe që të bëhet ristrukturimi duhet bërë kjo dhe hyjmë pastaj në një rreth vicioz. Presidenti është në rolin e arbitrit që shikon teknikalitetet e problemit: ka qenë në rregull, nuk ka qenë në rregull, është shkelur apo jo ligji, legjislacioni, apo rregullorja e këto. Por unë nuk e di që të jetë një gjë e tillë. Me aq sa di unë, ai ka një vonese, meqë ka filluar tepër të lëvizi sot këtu, e nesër aty dhe i bëhet një pirg me shkresa mbi tavolinë dhe s’ka pasur kohë që t’i shohë të gjitha”, deklaron Baçe.

Nderkohe kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj shprehet se është në pritje të dekretimit dhe se nuk është në dijeni të asnjë pengese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button