Gjermania pret “peshqit e mëdhenj”. I dërguari i Berlinit: Të zhgënjyer me çështjen “Tahiri”
“Në varësi të zhvillimeve në javët që vijnë do të ndryshojë dhe opinioni ynë. Ne vlerësojmë efektet e para të vettingut me dorëheqjet nga sistemi, por presim më shumë. Sa i përket vettingut, goditjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne konstatojmë se ka progres që nga hera e fundit, por nuk kemi ende rezultate të mjaftueshme për rastet e mëdha, pra për “peshqit e mëdhenj”. Për ne zbatimi i prioriteteve kyçe është kusht themelor për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe në Gjermani për këtë vendos Bundestagu”, deklaron ai.
Një minus të madh, sipas Frei, Shqipëria ka shënuar me mosheqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“E kam ndjekur me shumë vëmendje rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe se si është trajtuar ky rast nga pikëpamja politike. Nuk ka arsye se përse duhet të mbrohen persona të caktuar nga pikëpamja politike. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë dhe përgjegjësinë nuk përgjigjet politika, por organet e gjyqësore. Ky është një rast shumë i rëndësishëm para pyetjes se, a është vërtetë Shqipëria në gjendje që të mos ndalet përpara personave të tillë?”, vijon Frei.
Zoti Frei njeh si të padiskutueshëm faktin e reduktimit të kultivimi të drogës, por shënon si problematike shifrat e larta të trafikimit. Në këtë kuadër tha se mbetet për t’u parë nëse vitin e shkuar u godit kultivimi, apo kishte pasur mbiprodhim në vend.
Veç rezultateve në fushën e sundimit të ligjit, Gjermania uron që në qershor të jetë miratuar edhe reforma zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR për një proces të besueshëm zgjedhor vitin që vjen.
Për një rivlerësim të situatës, deputetët e grupit CDU-CSU të kancelares Merkel rikthehen në maj.