Ekonomia

Viti 2015- Banka e Shqipërisë: Politikë monetare stimuluese për nxitjen e ekonomisë

Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2015, ndoqi një politikë monetare lehtësuese, me qëllim stimulimin e mëtejshëm të kreditimit, për gjallërimin e ekonomisë së vendit dhe ankorimin e inflacionit drejt objektivit të synuar.

Banka e Shqipërisë uli dy herë normën bazë të interesit në muajt shkurt dhe nëntor, deri në minimumin e ri historik prej 1.75%, e cila është reflektuar në uljen e mëtejshme të normave të interesit. Në fund të këtij viti, interesi i bonove të thesarit arriti vlerat minimale për të gjitha maturitetet.

Në veçanti, bonot 12- mujore zbritën në nivelin 2.26%, ndërkohë që një vit më parë interesi ishte në nivelin 3.31%. Interesi mesatar i depozitave 12- mujore në lekë, për periudhën janar – tetor 2015 ishte 1.4%, nga 2% që kishte në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Ndërsa, interesi mesatar i kredive të reja në lekë për 10-mujorin e këtij viti ishte 8.2%, nga 8.7% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2015, rënia e interesave arriti të përmbushë objektivin e Bankës së Shqipërisë për uljen e kostos së kredisë dhe përfitimin e kursimeve në ekonominë e vendit.

Dokumenti i politikës monetare të Bankës Qendrore është instrumenti kryesor ku gjejnë parashtrim parimet kryesore mbi të cilat mbështetet hartimi dhe zbatimi i politikës monetare në Bankën e Shqipërisë, si dhe paraqet kanalet kryesore të komunikimit të saj.

Dokumenti zbërthen në terma konkretë dhe transparentë objektivin kryesor të Bankës së Shqipërisë, si dhe kuadrin teorik e operacional të hartimit e zbatimit të politikës monetare. Dokumenti i Politikës Monetare është hartuar në vazhdim të atij për periudhën 2012-2014. Në linjat kryesore, strategjia e politikës monetare ruan parimet dhe praktikat e ndjekura prej Bankës së Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Ajo është pasuruar me elementë të rinj në procesin e analizës dhe të parashikimit, në përputhje me praktikat më të fundit ndërkombëtare në fushën e politikës monetare dhe në përputhje me zhvillimin e ekonomisë dhe të tregut financiar shqiptar.

Publikimi i këtij dokumenti shërben për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, ai shërben për ankorimin e pritjeve të agjentëve ekonomikë drejt objektivit të synuar të inflacionit prej 3.0%, duke ndikuar direkt në rritjen e efektivitetit të politikës monetare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button