Ekonomia

Frikë nga deflacioni. Biznesi ngurron të investojë

Që kur kriza botërore preku ekonominë shqiptare, pasoja kryesore e saj ka qenë strukja e sektorit privat. Individët hezitojnë të shpenzojnë, ndërsa biznesi ngurron të zgjerohet duke kryer investime të reja.

Sipërmarrësi Stefan Pinguli thotë: “Është krizë besimi dhe krizë shprese”.

Por pse biznesi ndihet i pasigurtë? Për Stefan Pingulin, burimi më i madh i pasigurive është vetë shteti: “Se jemi përballë një ndryshimi kaq intensiv të ligjeve dhe taksave saqë nuk arrijmë dot të rakordohemi. Të gjitha këto çështje luajnë një efekt tresh: efekt psikologjik, presion financiar dhe presion fizik mbi biznesin me kontrollee rikontrolle, e cila ka humbur drejtëpeshimin e perspektivës”.

Ekspertët ndajnë të njëtin mendim me biznesin. Armiku më i madh i ekonomisë është pasiguria.

Adrian Civici shprehet: “Me ndryshime të shpeshta fiskale, me paqartësi në politikat e zhvillimit ekonomik dhe klimës së biznesit, atëherë përgjithësisht konsumatorët dhe biznesi veprojnë sot për nesër. Duke pritur një kohë më të qartë dhe më të qetë për të bërë investime strukturore ose blerje të mëdha”.

Në shkurt, inflacioni vjetor zbriti në 0.2%, niveli më i ulët në 13 vitet e fundit. Ndonëse Banka e Shqipërisë nuk sheh rrezik të afërt për deflacion, eskpertët druhen se kjo mund të sinjalizojë një tjetër stepje të konsumit dhe investimeve. Por si mund të dilet nga ky qerthull?

“Së pari, përmirësimi i klimës së biznesit, i qetësisë dhe sigurisë ekonomike. Por, nëse kjo masë nuk jep efektet e pritura, ndoshta është pak e rëndë për supet e ekonomisë dhe buxhetit tonë, por ndoshta duhet të mendojmë dhe për politika mbështetëse konsumi”, shpjegon Civici.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria vlerësojnë se rritja ekonomike do të forcohet në 3.4% këtë vit. Banka e Shqipërisë po ashtu ka një parashikim të ngjashëm, por tërheq vëmendjen se ringritja e ekonomisë do të varet shumë nga rekuperimi i konsumit dhe investimeve private.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button