Kosova

Marrëveshje Kosovë – FMN për 185 milionë euro

Rreth 185 milionë euro është shifra e marrëveshjes, e cila është arritur në mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave për zhvillim të vendit.

Kjo marrëveshje u arrit pas 10 ditë diskutimesh për një program 22 mujor, i cili akomodon në tërësi nevojat që ka shteti i Kosovës. Këto fonde do të ndahen në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë atë të bujqësisë, arsimit, shëndetësisë etj.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti me këtë rast tha se ky program adreson nevojat e Kosovës.

“Kemi dizajnuar një program që në pika të përgjithshme adreson nevojat tona, ndoshta çështja madhore pranë këtij programi është pajtimi që ne kemi arritur për të ndryshuar rregullën fiskale sa i përket deficitit buxhetor, normalisht duke e mbajtur këtë rregull fiskale për shpenzimet e rregullta buxhetore por duke lejuar që përtej kësaj rregulle fiskale, ne si vend i ri me një ekonomi në zhvillim me plot nevoja të hyjmë në marrëveshjen ndërkombëtare për të financuar projekte zhvillimore që i nevojiten Kosovës”, tha ministri Hoti.

Ministri Hoti po ashtu tha se për shkak se borxhi publik i Kosovës është i ulët, jep hapësirë për kredi ndërkombëtare duke mundësuar kështu zbatimin dhe implementimin e plotë të projekteve që Qeveria e Kosovës i ka bërë të ditura.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza, tha se “kemi arritur që ta finalizojmë suksesshëm negociatat për një program të ri me FMN-në…ky program pritet të kalojë në faza të tjera të aprovimit në instancat e FMN-së. Sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid me trende pozitive të zhvillimit kemi rritje të aseteve, rritje të depozitave. Rritje të kreditimit, kemi zvogëlim të normave të interesit”.

Udhëheqësi i Misionit të FMN-së, Jacques Miniane, tha se qëllimi i programit është të mbajnë atë që është mirë për ekonominë e Kosovës.

“Ne besojmë se ky program është i mirë sepse ky program nuk ka të bëjë për asgjësimin e modifikimit sepse…ky vend nuk ka krizë fiskale, nuk ka probleme fiskale, nuk ka probleme me borxh dhe nuk ka probleme me sektorin financiar. Ndaj qëllimi i programit është që të vazhdojmë ta mbajmë atë që është e mirë për ekonominë e Kosovës”, tha Miniane.

Gjatë kësaj marrëveshje të dyja palët janë pajtuar po ashtu që të rishikohet buxheti i vitit 2015 dhe buxheti preliminar i vitit 2016, i cili mundëson vazhdimin e projekteve të cilat janë nisur dhe të hapen mundësi të reja zhvillimore. Marrëveshje është arritur po ashtu edhe për strukturën e buxhetit, për shpenzimet koherente dhe shpenzimet kapitale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button