Kryeartikull

Zagari i fjalës së blerë

Ermal Mulosmani
Është shumë e vështirë në këtë vend të shkruash në një media diçka e mos të marrësh epitetin nga pas. “Për kë shkruan ky” – duket sikur dëgjoj jehonën e zërave nëpër kafenera? Medemek kush e financon, cila Parti, cili biznes apo lobim politik. Sa filloj të lexoj një shkrim, edhe mua, ndër mendje më vijnë interesat e “punëdhënësit” qoftë ky Edi Rama, Lulzim Basha, Ilir Meta apo derivate të tyre. Do ishte optimiste situata sikur të mbyllej me kaq. Por në Shqipërinë e sotme kemi edhe mediat skiftere të krimit, trafikut të narkotikëve, biznesit e shpesh të të triave apo katrave bashkë.

Dhe kjo kthehet në një pengesë të tmerrshme për të lexuar.

Oscar Wilde, 130 vjet të shkuara, shkroi:

“Mund të jemi të paanshëm vetëm për gjëra që nuk na interesojnë. Kjo është arsyeja që një opinion i pavarur gjithmonë është pa asnjë lloj vlere.”

Sigurisht, Wilde i shkroi këto fjalë në momentet  e dalldisë pasionante personale dhe kur po jetonte delirin artistik e lavdinë, përpara se të përjetojë burgun dhe rënien e tmerrshme. Nuk e di a mendoi kështu edhe në fund të jetës. Por gjithmonë më vijnë në mendje. A ka vlerë vërtetë një mendim i pavarur? A fillojmë të bëhemi të anshëm sapo interesi na kap për gryke dhe fillojmë të lëpijmë ato që kemi sharë? A ka një farë dinjiteti profesional dhe personal, njëfarë mundësie shkëputjeje nga interesat ekonomikë apo presionet e gjithanshme që i bëhen sot medias? A mundet që një gazetar i pavarur të japë dhe ta mbrojë mendimin e vet me të njëjtin pathos e stërkala fjala vjen sa Lorenc Vangjeli Qeverinë?

Përgjigja fatkeqësisht është negative. Gazetarët e pavarur janë lehtësisht të dallueshëm. Ata flasin qetë, e marrin pak fjalën, nuk iu duken rrylat e fytit, nuk fyejnë dhe, më e keqja, shpesh struken e tërhiqen në qoshen e tyre.  Janë skifterët ata që vërsulen. Shikojeni Lencin, Dudushin, Fredon, Anilën, Muçin…Ata marrin flakë shpejt. Gjithmonë në emër të së vërtetës. Që për koincidencë, sa herë ata marrin flakë është në anën e pushtetit!

Impulsin për këtë shkrim e mora nga një intervistë e këtyre ditëve e Sokol Ballës. Një intervistë mburravece e plot shpoti, ku e cilësonte veten si  padroni i “të vërtetës lakuriqe”, mbi të cilën simbolikë kishte konceptuar edhe spotin lakuriq të censuruar nga vetë  News 24. Ai pra, mbrojtësi i njohur botërisht i një ane të së vërtetës, ose siç thotë Kryeministri “i gjysëm të vërtetës” po na sillej si puritani idealist që busull ka vetëm raportimin e shterues të saj!.

Për të vërtetuar këtë që po them mjafton të futeni në faqen e tij online. Të gjitha shkrimet sulmojnë Lulzim Bashën ose Presidentin, dy targetet kryesorë të Kryeministrit. Të gjitha shkrimet i bën të sponsorizuara, nuk ka rëndësi janë të tij apo fjala vjen të Meros, Carlos apo Lelës, e rëndësishme është t’i bien Bashës apo Metës.

Për Sokolin nuk ka asnjë problem që Qeveria apo Kryeministri, këta nuk kanë hyrë në vitin e shtatë të qeverisjes, nuk vjedhin, nuk përfshijnë kriminelë në lista deputetësh apo bashkiakësh, nuk kanë bërë trafik narkotikësh, nuk kanë përgjime ku dalin që vjedhin zgjedhje. Joooo, fajin e ka Saliu ose Luli. Ose Meta.  Vini re titujt e fundit të Sokolit: “Basha në fatin e vet”, “Që sot Basha sulmon gazetarët (po kur të vijë në pushtet)”, “Ia fute kot Lul”, “Na lodhe Lul” si dhe të gjitha editorialet e Meros, Bolinos, Ngjelës etj e tj…

E pra Sokol, kjo është vetëm gjysma e të vërtetës, ajo që i intereson Kryeministrit! Ështe fiks ajo që të ka nxjerrë News 24 në spotin promovues. Të vërtetën lakuriqe ti nuk e nxjerr dot megjithëse e ke regjistruar me kamera. Sepse nuk të lënë Sokol, ti je një zagar i fjalës së blerë. Fjalën zagar e huazova nga intervista jote ku i quan kundërshtarët e tu “zagarë të fjalës së lirë”! Ata  zagarë, ti Sokol, thua që  i lë të gjallojnë pasi “në këtë mënyrë del në pah pisllëku i tyre përpara pastërtisë tënde”! Kësaj i thonë “Marrja flen e i zoti se len”.

Por, do të siguroj për një gjë. Kurrë ana që do të marr unë nuk do jetë në pushtet! Do më vijë turp Sokol të bëhem me pushtetin. Gazetaria është kritikë ndaj pushtetit. Nuk ka lavdërim më të madh sesa të të quajnë “gazetar i opozitës”! Pra je në anën e kundërtt të pushtetit, çfarë lavdërimi! Kjo përgjgije vlen edhe për Lutfi Dervishin në shkrimin që kishte publikuar e që ti e citoje. Çdo gazetar duhet të jetë opozitar që t’i shërbejë gazetarisë.  Në qoftë se nuk kam gjë të mirë për të folë për Opozitën, atëherë, do shkruaj reportazhe nga bjeshkët ose nga deti.

Ti Sokol hoqe dy gazetarë opozitarë nga puna. Do e kesh gjithë jetën mbrapa këtë vulë, një dashnore e pushtetit, një prostitutë mediatike e Edi Ramës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button