Politika

Rama: Fazë e re e marrëdhënieve tradicionale miqësore me Hungarinë

Kryeministri Edi Rama vlerësoi dje se Hungaria dhe kryeministri Viktor Orban në mënyrë të veçantë, e ka mbrojtur vijimësisht pa kushte procesin e përshpejtimit të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, Rama u shpreh se Hungaria është një nga avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e BE-së.

Rama theksoi se vizita e sotme e Orban në Tiranë konfirmon vazhdimin e rrugës së re të bashkëpunimit të nisur mes dy vendeve.

“Kjo është vizita e një miku të vjetër dhe të palëkundur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohërat. Falë kryeministrit Orban dhe përkushtimit të ministrit të Jashtëm si dhe të qeverisë së tij, ne kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale miqësore, por tanimë edhe ekonomike mes dy vendeve. Kjo vizitë, përveçse vizita e një miku të çmuar është edhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë kur u ftuam në Budapest nga kryeministri Orban dhe ku u vendosën disa piketa, sipas të cilave ne vazhdojmë të bashkëpunojmë”, tha Rama.

Rama theksoi mbështetja e Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE nuk ka qenë vetëm me fjalë në instancat europiane, por ka qenë e konkretizuar me ekspertizë të vënë në dispozicion për qeverinë shqiptare në të gjitha aspektet dhe sektorët ku është kërkuar mbështetje, si dhe në kuadër të projekteve të binjakëzimit të fondit të Ballkanit Perëndimor.

“Ne ndajmë të njëjtën bindje lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik të BE-së për integrimin sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor. Personalisht ndjehem jashtëzakonisht mirë kur dëgjoj nga kryeministri i Hungarisë që BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, siç ka Ballkani Perëndimor për BE. Në këtë aspekt është me rëndësi që ky zë, ky argument të dëgjohet pa ngurrim nga ana e të gjitha shteteve anëtare”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri vlerësoi faktin se Orban ka qenë dhe është vijimësisht shtytësi kryesor i investimeve të drejtpërdrejta hungareze në Shqipëri.

“Ne sot kemi në Shqipëri disa kompani të flamurit të ekonomisë së re hungareze me të cilat jemi tërësisht të kënaqur për cilësinë e lartë që kanë sjellë dhe njëkohësisht për respektin që tregojnë ndaj vendit, jo thjesht ndaj ligjeve, por edhe ndaj nevojave të vendit. Duam të kemi më shumë kompani dhe kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime nga Hungaria në fushën e energjisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se turizmi është një urë e fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe turistët që vizitojnë vendin tonë dhe shtohen në numër çdo vit janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Hungari.

“Besoj se është koha për të menduar për investime nga Hungaria që ka sot një industri ekselence në turizëm, ka një ekonomi të turizmit ndër më vibrantet në Europë sot”, tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se vizitat e nivelit të lartë mes dy vendeve konfirmojnë gjendjen e shëndetshme pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në një farë mënyrë Hungaria ka edhe diçka të vetën në Shqipëri, sepse në kohën kur nuk mund t’i jepte Shqipërisë mbështetje për integrimin në BE dhe investime direkte i dha një princeshë e cila u bë Mbretëresha e Shqipërisë”, shtoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button