Kronika

Llalla me homologun e tij suedez: Forcim të bashkëpunimit në hetimin penal ndërkombëtar

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla diskutoi me homologun e tij suedez, Anders Perklev, në të parën vizitë të një autoriteti të tillë në Tiranë nga vendi Skandinav, mbi forcimin e bashkëpunimit në hetimin penal ndërkombëtar.

Perklev gjendet në Tiranë, në kuadër të një program bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Suedisë në fushën e drejtësisë për të mitur. Gjatë takimit në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e vazhdueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkombëtar. Sa i përket projektit për drejtësinë për të miturit, Llalla dhe Perklev e vlerësuan si një ndër masat më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë vuri në dukje se nga ana e institucionit janë marrë periodiksht masa për trajtimin e duhur të të miturve të përfshirë në vepra penale. Së fundmi është hartuar edhe një qarkore e posaçme, në bazë të të cilës kërkohet nga e gjithë struktura e prokurorisë që të tregojë kujdes me masat e sigurimit dhe dënimet për të pandehurin e mitur.

Prokurori i Përgjithshëm i Suedisë, vendi i të cilit jep mbështetje të vazhdueshme për reformën në drejtësi në Shqipëri, theksoi se trajtimi i duhur i të miturve të përfshirë në vepra penale është një ndër hapat më të rëndësishëm të integrimit në Bashkimin Europian.

Autoriteti i Prokurorisë Suedeze aktualisht po drejton planifikimin e një programi bashkëpunimi e zhvillimi ndërmjet Suedisë dhe Shqipërisë në fushën e drejtësisë për të mitur, që do të zbatohet në bashkëpunim me Policinë Suedeze, Administratën Suedeze të Gjykatave, me Burgun dhe Shërbimin e Provës Suedez. Vizita e Perklev do të shërbejë për të përforcuar mbështetjen për këtë program.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button