Ekonomia

Konsumatori familjar, si ndikon heqja e fashës 300 kwh

Parashikimi i konsumit nga ERE për 2015-n. Ndryshimi prek rreth 37% të familjeve.

Nga Zamir Alushi

Rreth 37.3% e konsumatorëve familjarë rëndohen më tepër nga heqja e fashës 300 kwh/muaj. Kjo del nga përllogaritjet e një studimi të ERE-s.

energjia dritat faturaGjithmonë në llogaritjet e fashës 300 kwh përllogaritjet janë bërë nga zero, por duke iu referuar studimeve të Entit Rregullator të Energjisë dhe të Bankës Botërore, janë të paktën 181,291 konsumatorë familjarë ose 21.3% e numrit të përgjithshëm të tyre që nuk kanë fare konsum mujor, pra kanë faturim zero. Një gjë e tillë shpjegohet me faktin se të njëjtët konsumatorë mund të kenë dy banesa, një verore të cilën e shfrytëzojnë periodikisht për pushime dhe tjetrën për banim. Po ashtu, është evidentuar një numër i konsiderueshëm banesash të pabanueshme, të rrënuara, por që nuk janë evidentuar në regjistrin e faturimeve, si dhe banesa të emigrantëve, të mbyllura dhe pa konsum energjie. Duke përjashtuar kontingjentin e konsumatorëve me konsum zero dhe duke iu referuar energjisë elektrike të faturuar, nga të dhënat vërehet se 473 mijë abonentë konsumojnë deri nw 300 kWh/muaj. Ndërkaq, nëse zbresim konsumatorët me konsum mesatar nga 1 deri në 100 kwh/muaj, që sipas studimit rezultojnë 128,627 kontrata, ose 15.1% e totalit të familjeve (për të cilët do të jetë e pallogaritshme rritja e tarifës), atëherë numri i familjeve që do të ndiejnë realisht heqjen e fashës 300 kwh/muaj është rreth 37% e totalit të klientëve familjarë.

Konsumi

Energjia deri në 250 kwh/muaj, konsumohet nga 391,658 konsumatorë familjarë, ose nga 46.0 % e numrit të përgjithshëm të konsumatorëve, ndërsa energjia deri në 200 kwh/muaj konsumohet nga 317,675 konsumatorë familjarë ose nga 37.3% e numrit të përgjithshëm të konsumatorëve. Ndërkaq, sipas studimit, i cili ka bërë parashikime të konsumit të energjisë nga familjet edhe për vitin 2015, për intervalin e konsumit 101-200 kwh/muaj janë 22.2%  e totalit. Në vlerat 201-250 kwh/muaj konsumojnë janë 8.7% e familjeve, ndërsa në hapësirën 251-300 kwh/muaj janë 9.5% e konsumatorëve familjarë. Menjëherë sa kalojmë fashën ndarëse, në hapësirën 301-400 kwh/muaj janë 10.1% e konsumatorëve, ndërsa kur ngjitemi më lart, në vlerat 401-500 kwh/muaj janë 5.2% e konsumatorëve dhe më pak akoma në vlerat 501-600 kwh/muaj, ku regjistrohen 3.7% e konsumatorëve. Por çfarë ndodh me të pasurit. Ata që harxhojnë mbi 600 kwh/muaj janë 4.3% e totalit, por konsumojnë 18.9% e totalit të energjisë së faturuar për familjarët.

Pesha specifike   

Kerkesa per energji elektrike ne familje
Kerkesa per energji elektrike ne familje

Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për konsumatorët tariforë për vitin 2013 përbën rreth 57.6% duke shfaqur të njëjtin trend sikurse edhe në vitet e tjera. Pesha specifike që zënë grupimet e konsumatorëve të energjisë aktive (sipas çmimeve në %) të befason. Blloku i parë deri në 300 kWh (7.7 lekë/Kwh) zë peshën 44.34% të vlerës së faturuar. Blloku i dytë, mbi 300 kwh ((13.5 lekë/kwh)zë 14.68% të faturimit, tregtia dhe shërbimet (me çmimin 12.2 lekë/kwh) zë 15.78%, industria (me çmimin 9.1 lekë/kwh) 7.75%. Pra, në këtë vend paguajnë familjarët më tepër se industria, tregtia dhe shërbimet. Një peshë të rëndësishme në konsumin e energjisë elektrike zënë edhe konsumatorët buxhetorë dhe jo buxhetorë, te këta të fundit bëjnë pjesë kryesisht ujësjellësit dhe hidrovorët.

Me çfarë të ngrohemi?

Duke parashikuar efektet e zhvillimit të përgjithshëm dhe të faktorëve që e shoqërojnë këtë zhvillim nëpërmjet analizës statistikore, ERE ka bërë përcaktimin e nevojës maksimale për energji elektrike të një familjeje në vitin 2015. Sipas strategjisë së ERE-s, ngrohja e banesës dhe ngrohja e ujit për qëllime sanitare nuk parashikohen të kryhen me energji elektrike, por me burime energjetike alternative. Energjia elektrike për gatim në arsyetimin e studimeve të Bankës Botërore konsiderohet si energji elektrike për plotësim nevojash jetësore, për pasojë ajo është pjesë e konsumit brenda 300 kwh/muaj. Aktualisht, në vendin tonë 100% e familjeve në qytet dhe rreth 60% e familjeve në zonat rurale përdorin energjinë elektrike për ngrohjen e ujit sanitar nëpërmjet bojlerëve elektrikë). Numri i tyre është mbi 700 mijë. Në kushtet kur alternativa e përdorimit të paneleve diellore termike është e papërfillshme (ajo mbulon vetëm rreth 1-1.5% të nevojave për ujë të ngrohtë sanitar në familje), ndërsa alternativa e ngrohjes së centralizuar të banesës është gjithashtu shumë e kufizuar, ERE e konsideron ngrohjen e ujit sanitar me energji elektrike si alternativë të pranueshme, ndërsa gatimin e vlerëson të mundshëm me burim tjetër energjetik.

Masat

Mund të rritet edhe “kompensimi i dritave”

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, dhe ai i Financës, Shkëlqim Cani, në deklarimet e tyre janë shprehur se nuk do të preket konsumatori familjar në nevojë. Me këtë qeveria ka parasysh kompensimin. Pra, qeveria krahas heqjes së fashës 300 kwh/muaj mund të rrisë kompensimin për shtresat në nevojë. Aktualisht, subvencioni për kompensimin financiar të familjeve në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike mbulon këto grupe përfituesish: Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, konsiderohen si të tilla ato pa asnjë të ardhur; familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara (të verbër, para-tetraplegjikë etj.), të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë). Subvencioni për dy kategoritë e sipërpërmendura është bërë pjesë e listës së pagesës së ndihmës ekonomike që merret në njësitë vendore; përfitues janë edhe kryefamiljarët që marrin pension invaliditeti, shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat. Subvencioni për këtë kategori pasqyrohet në një kolonë të veçantë në listëpagesën e punonjësve me aftësi të kufizuara që ndodhet pranë njësisë vendore përkatëse. Po kështu përfitojnë kryefamiljarët që kanë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët nuk kanë të ardhura. Subvencioni për këtë kategori është shprehur në një kolonë të veçantë të listëpagesës së marrjes së pensionit nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Me subvencion janë edhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35.000 lekë në muaj. Subvencioni për këtë kategori është përfshirë si zë i veçantë në listëpagesën e institucionit përkatës shtetëror.

Përllogaritja

Sa harxhojnë pajisjet shtëpiake?

Me 254 kwh/muaj, por duke gatuar dhe ngrohur me energji alternative (gaz, dru, energji diellore), mund të dalësh i fituar me tarifat e reja. Pra, ERE me heqjen e fashës kërkon të dekurajojë përfundimisht përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje. Çfarë pajisjesh elektrike mund t’i lejojmë vetes. Kjo duket në tabelën anash, pjesë e një studimi të ERE-s. Sipas parashikimit të ERE-s për vitin 2015, ndriçimi, kondicioneri, frigoriferi dhe lavatriçja do të marrin energjinë kryesore në shtëpi. Sipas ERE-s, gjatë periudhës së ngrohtë prill – shtator ka një konsum mesatar pothuajse konstant kurse në tre muajt paraardhës dhe pasardhës ka një rritje simetrike të ngarkesës e cila shpjegohet me ftohjen/ngrohjen e motit dhe përdorimin gradual të energjisë elektrike për ngrohje/ftohje. Çdo ndryshim i temperaturës së mjedisit reflektohet menjëherë në konsumin ditor të energjisë elektrike, pikërisht të efektit nga përdorimi ose mospërdorimi i ngrohjes elektrike të banesës. Për vitin 2013 CEZ u ka shitur klientëve familjarë me konsum deri në 300kwh/muaj 1 725152 Mwh; klientëve familjarë me konsum mbi 300 kwh/muaj    479660 Mwh; për ambientet e përbashkëta familjare në pallate ka faturuar 56501 Mwh.

Si shpërndahet barra e çmimit të ri

Nëse çmimi i ri do të jetë 8.5 lekë, për familjet që ndodhen në fashat e konsumit nga 200 në 600 kwh/muaj, krahasuar me skemën aktuale, barra rritet për familjet me konsum të ulët energjie dhe lehtësohet për ata që konsumojnë mbi 350 kilovat orë në muaj.

Për 250 kwh/muaj, 240 lekë më tepër 

Nëse çmimi i ri do të jetë 8.5 lekë, për një familje me konsum 250 kilovat orë, fatura rëndohet me 240 lekë në muaj, ndërsa për një familje, që konsumon 600 kilovat ajo ulet me 1512 lekë në muaj krahasuar me atë që paguhet sot.

272 mijë familje

Energjia elektrike mujore që shpenzohet nga familjet e varfra rezulton 211 kwh/muaj, pagesa përbën 7% të të ardhurave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button