Ekonomia

Ahmetaj dhe Gjiknuri ftojnë ndërtuesit italianë të vijnë me investime në Shqipëri

Sot në ditën e dytë,“Italia ed Albania- building together”, takimi që ka mbledhur në Tiranë mbi 120 kompani italiane anëtare të Shoqatës së Ndërtuesve Italiane nga 15 rajone të profilit të ndërtimit, u njohën me potencialet në infrastrukturë, turizëm, energji, miniera, etj, që afron Shqipëria për investimet e huaja nga ministrat e MZHETS, Arben Ahmetaj dhe i MEI-t, Damian Gjiknuri.

Ministri Ahmetaj u shpreh se në dy vitet që vijnë, synohet që investimet e huaja të arrijnë në 1,5 miliardë euro, nga 1 miliardë euro që u arrit në 2014-tën, duke u shtrirë në sektorët si turizmi, manifaktura, energjitika, nafta, etj. Ai afroi për investitorët italianë mundësitë e investimeve në Shqipëri në zonën e parë industriale. “Tenderi ndërkombëtar për zonën e parë industriale do të hapet në muajin qershor”, tha ministri i MZHETS-së.

takim me biznesin italian (9).JPG.Foto ADuke cituar si fusha me mundësi të mëdha për investimet italiane të ndërtimit, sektorët e turizmit, projektet për infrastrukturën, ministri veçoi në këtë kontekst, projektin e qeverisë për rilindjen e qyteteve, ku ndërtimi si pjesë përbërëse, mirëpret investimet e huaja.
Ndërsa u ndal tek turizmi, ministri Ahmetaj afroi për investitorët italianë pjesëmarrjen e tyre në garat që pritet të çelen për ndërtimin e 6 porteve për jahte, për ndërtimin e aeroporteve të rinj me heqjen e ekluzivitetit të Aeroportit të Rinasit.
“Ne po rishikojmë ligjin për turizmin, ku synojmë tërheqjen e investimeve të huaj, duke ofruar terene me 1 euro për 99 vjet, që do të jepen me gara të hapura, me synim, zhvillimin e turizmit. Ne synojmë një turizëm gjithvjetor në Shqipëri ndaj do të nxisim të gjitha potencialet ekonomike”, u shpreh mes të tjerave ministri Ahmetaj.
Ai paraqiti para ndërtuesve italianë projektin madhor rajonal të nxitur nga takimi i Berlinit, autostradën “Unaza e Adriatikut”, që nis nga Sllovenia, në Kroaci, Mali i Zi, Shqipëri deri në Greqi, si një mundësi e mirë për investimet italiane në infrastrukturë.
Gjithashtu, ministri Arben Ahmetaj shpjegoi ndryshimet që synojnë lehtësimin e IHD-ve në vendin tonë në ligjet për investimet strategjike, turizmin, zonat e lira, etj.

takim me biznesin italian (15).JPG.Foto AMinistri i Energjisë dhe Turizmit, Damian Gjiknuri, paraqiti projektet për zhvillimin e sektorit të energjisë në hidrocentralet, minierat, energjitë e rinovueshme, etj. Duke u ndalur tek sektori energjetik, Gjiknuri u shpreh se projekti TAP sjell mundësi të mëdha për ndërtuesit, pasi qeveria po harton Masterplanin për gazifikimin e Shqipërisë, duke ftuar investitorët italianë.
Duke u ndalur tek potencialet e mëdha hidrologjike që ka Shqipëria, bashkë me mundësitë për ndërtimin e hidrocentraleve, ministri Gjiknuri u shpreh se “ne synojmë që në vitin 2020 të jetë instaluar një kapacitet i energjisë prej 2000 Gw” dhe ftoi investitorët italianë të vijnë për të investuar në një sektor që po përmirësohet shpejt, falë reformës së nisur me arkëtimet, uljen e humbjeve, rritjen e investimeve.
Duke u ndalur tek projektiet për linjat e reja të interkonjeksionit me vendet e rajonit, ministri u ndal tek ndërtimi i projektit TAP dhe gazifikimi i pritshëm i Shqipërisë, si mundësi për nisjen e linjës së interkonjeksionit nënujor edhe me Italinë. “Në vitin 2016 do të nisim ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 KW me Maqedoninë, e cila do të përfundojë në Fier, cka krijon mundësi të mira për nisjen e linjës nënujore me Italinë”, tha Gjiknuri.
Ministri i MEI-t ftoi investitorët italianë të marrin pjesë në projektet për zhvillimin e burimeve energjitike të rinovueshme, si një fushë e re, por me shumë perspektivë në një vend si Shqipëria që ka mbi 260 ditë me diell.Takimi dyditor “Italia ed Albania-building together” është organizuar nga Agjencia ICE, në bashkëpunim me ANCE (Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve) me mbështetjen e Ambasadës Italiane në Tiranë. Në të marrin pjesë mbi 120 kompani italiane të specializuara në sektorin e ndërtimit nga 15 rajone të Italisë.
ANCE ka një anëtarësi prej mbi 20 mijë ndërtues sipërmarrës, që punojnë me teknologji tepër të lartë dhe prania e një pjese prej tyre, synon bashkëpunim për të sjellë konkurueshmëri në çmime, menaxhim të kohës së përdorur për ndërtime.
Takimi i sotëm po vijon me takime b2b mes ndërmarrjeve italiane dhe shqiptare, mbledhjet mes ANCE, SHNSH (Shoqata e Ndërtuesve Shqiptare), OICE (Organizata e Inxhinierisë dhe Konsulencës Ekonomike) dhe SHOSHIK (Shoqata Shqiptare e Inxhiniereve Konsulentë) për thellime teknike në sektorin e infrastrukturave rrugore, aeroportuale e portuale, në ndërtim, real estate, restaurime, sektorët e hotelerisë, spitale, energji dhe mjedis.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button