Kronika

Sterilizimi, detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë vendit për ish ministrin Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar që ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore.

Gjykata theksoi në vendim se personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

Hetuesit dyshojnë se zoti Beqaj ka toleruar vlerësimet e komisionit për kostot e materialeve, të cilat më vonë kanë rezultuar të fryra.

Ai ka hedhur poshtë akuzat për shpërdorim detyre dhe përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se ka zbatuar vetëm ligjin dhe se nuk i njeh biznesmenët e koncensionit të sterilizimit.

Në një reagim sot në rrjetin Facebook, zoti Beqaj tha se nuk do ta ankimonte këtë vendim të gjykatës dhe ishte i gatshëm dhe i interesuar për zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje plotësisht.

Ai theksoi se në fund të këtij procesi, besonte që emri i tij do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar, duke shtuar se sterilizimi ishte një domosdoshmëri dhe më e mira e mundshme për shëndetin publik.

Pas vendimit të sotëm të GJKKO-së, ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dha dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Emërimi i tij në këtë agjenci nuk u prit mirë nga diplomatët perëndimorë në vend, madje ata kanë bërë edhe veprime publike për të shprehur pakënaqësinë e tyre teksa ishin në konferenca pranë tij.

Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama e përfshiu Beqajn edhe në grupin negociator të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kufizimi i udhëtimeve të tij jashtë vendit e pamundëson kryerjen edhe të kësaj detyre.

Koncensioni i dhënë 8 vjet më parë parashikonte ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Tre muaj më parë çështja, për të cilën ish ministri Beqaj është nën hetim për shpërdorim detyre në bashkëpunim, ka çuar në arrest me burg nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentash në bashkëpunim dhe mashtrim ish zvëvendësministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj si dhe biznesmenin që fitoi koncensionin Ilir Rrapaj.

Hetimet e kësaj çështje bazohen në dyshimet për shpërdorim të detyrës nga zyrtarët, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera kryer në bashkëpunim, si dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

I dyshuari për mashtrim me pasoja të rënda biznesmeni Ilir Rrapaj fitoi koncensionin në dhjetorin e vitit 2015, ndonëse menjëherë në atë kohë lindën dyshimet për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Edhe 6 persona të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje përmes falsifikimeve dhe shpërdorimit të detyrës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button