Ekonomia

Balluku inspekton aksin Maliq-Lozhan-Strelcë: Afron prodhuesit me tregjet

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet për ndërtimin e aksit rrugor Maliq – Lozhan – Strelcë, ku tashmë ka nisur procesi i asfaltimit.

Balluku tha se ky aks do të ketë një impakt në ekonominë e zonës, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe afruar prodhuesit me tregjet, ndërsa sqaroi se projekti ka pjesë të tij edhe vendosjen e elementëve urbanë, si ndriçim e trotuare, pranë zonave të banuara të cilat përshkruan.

“Kudo që investojmë, investojmë me studime të mirëfillta, jo vetëm teknike, por edhe ekonomike. Duhet thënë që ne e kemi trajtuar këtë si një zonë urbane me ndriçim, me trotuar dhe gjithçka tjetër. Kjo nuk do të jetë vetëm një rrugë për të ecur automjetet, por do të jetë edhe për këmbësorët sipas të gjitha parametrave”, u shpreh Balluku

Sipas zv/kryeministres Balluku, aksi merr një rëndësi akoma dhe më të madhe, pasi do të shërbejë si një alternativë për të lidhur dy qarqe.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi bëri të ditur se punimet parashikohet të përfundojnë brenda vitit.

“Kemi bërë gati 12 kilometra asfalt, 10 i kemi bërë nga drejtimi Lozhanit për në Maliq dhe nga Maliqi në drejtim të krahut të kundër kemi filluar shtresën e binderit në 2 kilometrat e para dhe do vazhdojmë me këtë ritëm. Parashikojmë që brenda vitit ne do ta përfundojmë nëse na favorizon edhe koha”, tha Berberi teksa nënvizoi se po vazhdon puna edhe për ndërtimin e një ure mbi lumin Devoll.

Punimet në aksin rrugor Maliq – Lozhan – Strelcë, 19 km i gjatë, nisën korrikun e vitit të kaluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button