Kronika

Hapet gara për kontratat e reja, Poliklinikave në rrethe u mungojnë 270 mjekë dhe infermierë

Në qendrat mjekësore të rretheve mungojnë mjekët specialistë, ata të familjes, si dhe stafi infermieror që nevojiten në ofrimin e kujdesit mjekësor për banorët e zonës që mbulon çdo ambulancë. Ndër rrethet më problematike sa i takon këtyre mungesave, pohohet të jenë rajoni i Korçës, Fierit, Beratit, Kukësit, Elbasanit, etj. Pas verifikimit të mungesave në pjesën dërrmuese të këtyre qendrave, dikasteri i shëndetësisë bën me dije se është urgjente punësimi i qindra mjekëve, infermierëve, si dhe drejtues qendrash, mungesa për të cilat është çelur edhe një fazë aplikimi për kontratat e reja të punës.

Mungesa e mjekëve është pothuajse në të njëjtat nivele me atë të infermierëve, çka flet edhe për problematikën e rënduar të mbulimit me kujdes mjekësor të shumë zonave në rrethe të ndryshme të vendit. Konkurrimi për këto vende të lira pune do të bëhet me dosje. Çka do të thotë se kandidatët e interesuar duhet të përgatisnin dosjen e dokumenteve të kërkuara, e cila duhet të dorëzohet pranë Ministrisë së Shëndetësisë, deri në datën 27 tetor. Në tabelat bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar shpërndarjen e rreth 270 vendeve vakante për mjekë, infermierë dhe drejtues qendrash mjekësore që nevojite në ambulancat dhe poliklinikat e rretheve. Të shumta pohohet të jenë mungesat edhe të mjekëve specialistë në spitale. Kjo ka bërë që shumë prej pacientëve të marrin rrugët drejt Tiranës, apo spitaleve të tjera në rrethet më të mëdha, për të kryer ekzaminimet dhe diagnostikimin e patologjive të caktuara.

Afatet për të fituar një kontratë pune në këto qendra

Janë përcaktuar tashmë edhe kriteret që duhet të përmbushë çdo kandidat për të siguruar një kontratë pune në këto qendra mjekësore. “Kandidatët duhet të kenë mbaruar studimet e larta universitare në një fakultet me program të akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, duhet që diploma e tyre të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit. Dokumentet e kërkuara duhet të paraqiten në zyrën e Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë së Shëndetësisë çdo ditë nga ora 12.00-14.00, deri në datën 27 tetor”, bëjnë me dije autoritetet e dikasterit të shëndetësisë. Dokumentet që duhen paraqitur në dosjen e aplikimit janë: “Formulari i plotësuar dhe firmosur, jetëshkrimi i kandidatit (CV), diploma universitare, certifikata e notave, si dhe diploma e specializimit (kopje e noterizuar). Në dosje nuk duhet të mungojnë as leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri përkatës, edhe në këtë rast duhet që kjo kopje të jetë e noterizuar. Gjithashtu, duhet të paraqisni edhe raport mjekësor të aftësisë për punë, fotokopje letërnjoftimi, dëshmi penaliteti. Në pamundësi për ta marrë në kohë deklaratën personale dhe në rast shpalljeje fitues, dëshmia mund të çohet në momentin e lidhjes së kontratës. Pjesë të dosjes së dokumenteve duhet të bëni edhe të gjitha diplomat, apo dëshmitë e tjera që konfirmojnë kualifikimet e ndjekura gjatë ushtrimit të profesionit.

Vlerësimi për fituesit

Në këto kushte, çdo element i dosjes do të vlerësohet me pikët përkatëse, të përcaktuara sipas llojit të dokumentit dhe profilit të vendit të lirë të punës. Nëpërmjet urdhrit të posaçëm, Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar, vlerësimi total për mjekët përgjithshëm do të jetë me 80 pikë për të gjithë elementët e kërkuar në dosjen e dokumenteve. Ndërsa për mjekët specialistë është 100 pikë. Vlerësim, i cili sigurohet nga skema e pikëve të përcaktuara për notën mesatare, specializimet e ndjekura, njohjen e gjuhëve të huaja, gradat shkencore, eksperiencën e mëparshme të punës, si dhe diploma të tjera kualifikuese që profesionisti mund të ketë siguruar. Po sipas këtij urdhri, për personelin e infermier vlerësimi total është me 70 pikë. Edhe për këtë kategori punonjësish pikët sigurohen nga skema e përcaktuar e vlerësimit të çdo elementi të dorëzuar në dosjen e konkurrimit. Pas mbledhjes së të gjitha aplikimeve, komisionin “ad-hoc” i ngritur me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, bën të mundur vlerësimin me pikë të dosjes për secilin kandidat që ka aplikuar për të fituar një nga vendet e lira të punës në profilet e shpallura. Komisioni administron dosjet e kandidatëve që konkurrojnë për punësim dhe në përfundim të konkursit, në procesverbal rishkruhet e gjithë procedura e ndjekur, duke përfshirë argumentimin për shpalljen e fituesit, si dhe pikëzimin e dhënë për secilin prej tyre. Vendimi i komisionit me dokumentacionin përkatës të emrit të fituesit i dërgohet drejtorit të qendrës shëndetësore, i cili autorizohet për lidhjen e kontratës individuale të punës me profesionistin e përzgjedhur si fitues.

Afatet dhe dokumentacioni për aplikim

Dokumentet e që duhen paraqitur në dosjen e aplikantit janë:

• Formulari i plotësuar dhe firmosur.

• Jetëshkrimi i kandidatit (CV).

• Diploma universitare dhe certifikata e notave (kopje e noterizuar).

• Diploma e specializimit (kopje e noterizuar).

• Leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri përkatës (kopje e noterizuar).

• Raport mjekësor i aftësisë për punë.

• Fotokopje letërnjoftimi.

• Dëshmi Penaliteti (në pamundësi për ta marrë në kohë deklaratë personale dhe në rast shpalljeje fitues dëshmia do të sillet në momentin e lidhjes së kontratës).

• Diploma, ose dëshmi të tjera.

• Kandidatët duhet të kenë mbaruar studimet e larta universitare në një fakultet publik ose privat, me program të akredituar nga MAS. Ndërsa për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur po nga Ministria e Arsimit.
• Dokumentet duhet të paraqiten në zyrën e Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, nga ora 12.00-14.00 deri në datën 27 tetor. Pas kësaj date nis përzgjedhja e kandidatëve fitues që do të lidhin kontratën e punës për ofrimin e kujdesit mjekësor të specializuar në një nga ambulancat dhe poliklinikat e lagjeve në rrethet ku ka ka mungesa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button