Ekonomia

Turizmi, nis projekti 35 milionë euro për zhvillimin e alpeve dhe bregdetit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) nis zbatimin e projektit “Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe zonës bregdetare”, që financohet nga kredia prej 28 700 000 eurosh dhënë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe qeveria Shqiptare me një kontribut prej 6 000 000 euro.

Projekti me vlerë rreth 35 milionë euro, pritet të kontribuojë në krijimin e  vendeve të reja të punësimit për banorët e këtyre zonave si dhe intensifikimin e aktiviteteve ekonomike ekzistuese.

Sipas ekspertëve projekti do të krijojë zgjerimin e ofertave turistike, përmes zgjatjes së kohës së qëndrimit dhe rritjes së shpenzimeve të vizitorëve.

Këto ditë është shpallur tenderi për shërbimin e projektimit për rikualifikimin urban në fshatrat e Dhërmiut dhe Vunoit, Bashkia Himarë. Projekti përfshin restaurim në fshatrat e vjetra të Dhërmiut dhe Vunoit (rrugët, trotuaret, sheshet, fasadat e shtëpive tradicionale, ndriçimi publik, etj).

Qëllimi është zhvillimi i turizmit, si dhe progresi ekonomik përmes restaurimit, ruajtjes dhe rehabilitimit të shtëpive tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore. Pjesë e këtij projekti janë edhe shërbimet e supervizimit për punimet civile për rikualifikimet urbane në Vlorë (faza e parë), Himarë (faza e parë) dhe Bashkinë Pukë.

FSHZH është në rolin e zbatuesit të projektit dhe në këtë kuadër ka shpallur ftesën për nënkontraktorë që do të kryejnë punimet për rigjenerimin e peizazhit urban dhe përmirësimin brenda qytetit të Vlorës. Punimet e nevojshme për zbatimin e kontratës konsistojnë kryesisht në punime gërmimi dhe sistemim peizazhi, rregullime në objekte, punime betoni, ndërtim strukturash, asfaltim, gjelbërim, instalimin e ndriçimit urban, si dhe mobilim urban.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button