Ekonomia

Punonjësit e naftës dhe gazit/ Dalja në pension, mosha dhe vjetërsia e punës që duhen

Burrat përfitojnë pension kur arrijnë moshën 60 vjeç dhe kanë të njohur 30 vite pune, nga të cilat 20 duhet të jenë në profesionin si naftëtar. Ndërsa femrat dalin në pension në moshën 55 vjeç, dhe nga 30 vitet e njohura të punës, 15 duhet t’i kenë në profesionin e këtij statusi

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar gjatë ditës së djeshme projektligjin për statusin dhe të drejtat që punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit, sa i takon marrëdhënieve të punës, kushteve të daljes në pension, përcaktimeve për pagat, mbrojtjes dhe sigurisë në punë, përfitimeve mjekësore, etj.

Gjatë raportimit të ndryshimeve që do të sjellë ky projektligj, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka bërë me dije se për evidentimin e saktë të gjithë punonjësve që do të përfitojnë nga ky status do të përdoren aktet ligjore dhe nën ligjore në fuqi, duke specifikuar se “Naftëtar” dhe “Ish naftëtar” do të konsiderohet çdo person që punon, ose ka punuar në industrinë e naftës dhe gazit në pozicione dhe punë të përcaktuar që në Vendimin e Këshillit të Ministrave të 20 dhjetorit 1958.

Kështu, personat që përfitojnë këtë status sipas këtyre përcaktimeve, do të pajisen me dëshmi zyrtare identifikuese të konfirmuara nga Komisioni i ngritur për këtë qëllim. Ky komision emërohet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrisë përgjegjëse për këtë industri.

Lidhur me trajtimet, ministri Blend Klosi theksoi dje se numri i përfituesve të këtij statusi llogaritet të jetë rreth 5 mijë vetë, ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë, si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet, llogaritet afërsisht 2 mijë persona.

Kjo për faktin se një pjesë e ish naftëtarëve janë në moshë pensioni dhe një pjesë e tyre vazhdojnë punën e një pjese tjetër. Ndërkohë që efektet financiare të këtij ligji përllogariten afërsisht në 400 milionë lekë në vit.

Kushtet e daljes në pension

Projektligji përcakton moshën e daljes në pension dhe vjetërsinë e  nevojshme që duhet për të qenë pjesë e kësaj skeme. Konkretisht, për burrat është parashikuar mosha 60 vjeç me një vjetërsi të përgjithshme prej 30 vjetësh, nga të cilat 20 vjet duhet të jenë në profesionin si naftëtar sipas përcaktimeve ligjore që janë në fuqi. Ndërsa për gratë mosha e daljes në pension do të jetë kur të arrijnë 55 vjeç.

Periudha e punës në profesionet e parashikuara për femrat është 15 vjet, ndërsa vjetërsia totale e kërkuar është 30 vjet. Mënyra e llogaritjes së pensionit do të jetë e njëjtë, pra pa ndryshuar nga skema normale e pensioneve për të ruajtur uniformitetin me ligjet e tjera.

Nëpërmjet këtij projektligji parashikohet edhe kthimi në detyrim ligjor i skemave profesionale për profesionet e vështira, të cilat kanë si synim garantimin e të ardhurave për individët, që dalin në pension më herët sesa mosha zyrtare e daljes në pension.

Për këto raste do të jepet shtesë pensioni 1 për qind për çdo vit pune në industrinë e naftës dhe gazit, por kjo shtesë nuk mund të jetë më shumë se 40 për qind e pensionit të pleqërisë. Ministri Klosi ka deklaruar para përfaqësuesve të Komisionit të Ekonomisë se përfitimet nga ky ligj do të financohen nga kontributet shtesë dhe nga buxheti i shtetit.

Skema profesionale e pensioneve

Për naftëtarët që janë aktualisht në punë është parashikuar që punëdhënësi të paguaj një kontribut shtesë në masën 3 për qind, përveç kontributit të detyrueshëm me qëllim financimin e pensionit si rezultat i uljes së moshës së daljes në pension.

Në këtë status sanksionohet edhe detyrimi që do të kenë operatorët privatë që përfitojnë një koncesion në fushën e naftës për krijimin e fondit profesional privat të pensioneve për naftëtarët për të realizuar një mbrojtje më të mirë shoqërore dhe një pension më të mirë në moshën e pleqërisë.

Ky fond profesional përveç një pensioni më të mirë në pleqëri do të ulë edhe presionet ndaj skemës publike dhe buxhetit të shtetit për më shumë para nga pensionet publike, duke ndikuar edhe në rritjen e qëndrueshmërisë financiare të skemës publike.

 Të drejtat në lidhje me pagën

Sipas kushteve të vendosura, është parashikuar që paga të përcaktohet në bazë të kontratës kolektive të punës, por duke vendosur një pagë dysheme nën të cilën nuk mund të lidhet kontrata kolektive e punës, e cila është sa 150 për qind e pagës minimale në shkallë vendi.

Më tej, ministri Klosi ka sqaruar se ky përcaktim është vendosur duke parë vështirësitë e këtij profesioni, produktivitetit të punës, rreziqeve që ka, si dhe duke pasur parasysh pagat që aktualisht paguhen në sektorin shtetëror dhe privat të shfrytëzimit dhe përpunimit të naftës. Një element i rëndësishëm i këtij statusi është edhe trajtimi me pagesë në rast ndërprerje të punës në këtë sektor, kjo me qëllim garantimin e një minimumi jetese dhe mos braktisjen e tyre.

Kjo pagesë do të jepet nga shteti për ata ish naftëtarë që janë nxjerrë të papunë si dhe nga punëdhënësi për naftëtarët që janë në marrëdhënie pune dhe ndërpresin punën për shkak të ristrukturimeve, apo shkurtimit të vendit të punës.

Personat që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi pune sipas kësaj skeme, për burrat mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet, që janë  të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në ripunësim, kanë të drejtën e përfitimit  financiar sipas përcaktimeve me Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se 80 për qind të pagës minimale në shkallë vendi.

Përfitimet mbi trajtimin mjekësor

Përfituesit e statusit të naftëtarit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore, apo private në vend.

Shteti detyron kompanitë që operojnë në industrinë e naftës dhe gazit të ndërtojnë qendra mjekësore të pajisura me aparatura dhe mjekë specialist që trajtojnë problematikën shëndetësore të shkaktuara nga puna në këtë industri.

Gjithashtu, është parashikuar edhe detyrimi për kurim falas të sëmundjeve profesionale të shkaktuara.

Privatizimet dhe koncesionet

Përfituesit e statusit të naftëtarit të papunë ose të punësuar, sipas ligjit, janë përfitues në privatizimin e industrisë në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimit të punës.

Në rastet e koncesioneve në industrinë e naftës, në marrëveshjen e koncesionit duhet të përcaktohet detyrimi i koncensionarit të krijojë fond profesional pensioni sipas ligjeve që administrojnë këto fonde me jo më pak se 10 për qind të pagës bruto të punonjësve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button